“Don Kishoti e ka të pranishëm tragjizmin e brendshëm që na bën ta duam. Secili nga ne, në një mënyrë,pjesërisht është edhe Don Kishot”- L. Poradeci
Nga Entela Safeti Kasi
“Don Kishoti e ka të pranishëm tragjizmin e brendshëm që na bën ta duam. Secili nga ne, në një mënyrë,pjesërisht është edhe Don Kishot” – Lasgush Poradeci
”˜Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit’ – Migjeni
Francine Prose, shkrimtare Amerikane dhe analiste e ”˜The New York Times’, Presidente e PEN Qendrës Amerikane, kishte nisur një udhëtim drejt Shqipërisë në pranverën e vitit 2009. Për një shkrimtare amerikane e cila e njihte botën shqiptare të letrave prej leximeve të Kadaresë dhe shtypit ndërkombëtar me çështjen e Kosovës që ende trondiste botën intelektuale përtej Atlantikut, nuk ishte aspak e jashtëzakonshme që të shprehej:
”˜Unë e lexoj Shqipërinë si shkrimtare, dhe kështu lexoj edhe mjedisin në të cilin gjej vazhdimisht fantazma, ku në tryezën e darkës janë ulur njëkohësisht xhelatët dhe viktimat e tyre. Këtë nuk mundem ta kuptoj!’
E solla këtë parantezë të nga kujtesa e një kohe jo të largët, për të ndaluar pikërisht tek ajo që do të ndaluar edhe një herë tek leximi i Migjenit, Lasgushit, disa vite më pas.
Migjeni dhe Lasgushi të skajuar në mënyra të ndryshme mbetën gjatë në kujëtsën e teksteve studimore. ”˜Vepra Letrare 5, e Mitrush Kutelit, kishte dalë nga shtypi në Dhjetor të viti 1990 nga Shtëpia Botuese ”˜Naim Frashëri’.Më pas Kadare, kishte botuar refleksionin e tij si shkrimtar për Lasgushin dhe kishte botuar, ”˜Ardhja e Migjenit në letrat Shqipe’.
Duke mbajtur shënime, dhe duke anëshkruar, në tekstet e botuara prej Kutelit dhe Kadaresë për të dy poetët, sipas këndvështrimit të shkrimtarëve për shkrimtarët, kisha nisur të shkruaja edhe vetë anëshkrimet gati naive për të dy autorët, poezitë e së cilëve i pëshpëritja herë pas here, e, i rilexoja sa herë që plogështia e mjedisit të tronditur më bënte ti rikthehesha jetës dhe veprës së tyre, duke gjetur aty, edhe fatin edhe fatalitetin, edhe artin edhe profecinë e tyre.
Pogradeci, që vendasit i thonë Poradec, ashtu si Lasgushi, liqeri i tij, dhe ”˜Vallja e Yjeve’, botimi i vitit 1933, një prej 500 kopjeve të botuara në Rumani prej Shoqërisë së shqiptarëve të Bukureshtit, ishin një dhuratë e çmuar e cila mbahej edhe në raftin e librave të familjes sime. Po ashtu i çmuar ishte edhe një prej 500 kopjeve të para të Migjenit, ”˜Vargjet e Lira’, botuar për herë të parë në vitin 1936, kur autori i veprës ishte mësues në Pukë, dhe kishte financuar vetë botimin e librit, pasi kishte bërë të gjitha procedurat përfshi edhe korrektimin e tekstit letrar, pasi Komisioni për shqyrtimin e librave në Ministrinë e Kulturës Popullore kishte dhënë pëlqimin për qarkullimin e vargjeve të Lira të Migjenit. Këto libra së bashku me ”˜ Lahutën e Malësisë’ të At. Gjergj Fishtës, të cilën Lasgushi ia kishte dhuruar familjes së gjyshërve, para vendosjes së sistemit komunist në Shqipëri kishin vlerën e thesarit, i cili mbetet përgjithmonë i tillë pavarësisht tallazeve të historisë .
Shkrimtari Ismail Kadare do të ngacmohej vazhdimisht prej veprave dhe jetës së dy poetëve modernë të shqipes, duke sjellë Lasgush Poradecin në perceptimin e tij tek vepra Ftesë në Studio, dhe Migjenin, tek “Ardhja e Migjenit në letrat shqipe.
Në parathënien për L. Poradecin, në tekstin që Kadare shkruan me rastin e botimit të Lasgushit nga Onufri në vitin 1998, mes të tjerash Kadare shkruan: ”˜vajtja e Lasgushit në shtëpinë e tij në Pogradec, në të njëjtën kohë ishte ”˜daljeje e tij nga vendi’, ishte dalje jashtë kohës, jashtë sistemit të rëndomtë të të menduarit’
Kultura dhe formimi intelektual i tyre ishte më e lartë se ajo e mjedisit, të cilit ata i takonin, ndërsa vetë Kongresi i Manastirit nuk kishte më tepër se disa dhjetëra vjet që ishte zhvilluar dhe kishte marrë vendime. Lasgushi kishte një formim dhe edukim evropian, ishte njohës i disa gjuhëve, si gjermanishtes, italishtes, greqishtes, rumanishtes, anglishtes, rusishtes, madje edhe sanskritishtes. Në vitin 1945 ky poet dhe intelektual do të lihej në harresë, edhe pse intelektin dhe formimin e tij e kishte vënë në funksion të identitetit integral të shqiptarëve. Bodleri, Gëte, Pushkini dhe shumë të tjerë do të vinin të shqipëruara prej tij, e përsëri ai do të mbetej anonim. Ai ishte i vetëdijshëm për ”˜vdekjen e caktuar’ të cilën e jetonte ndërsa ishte i gjallë, por si për të sfiduar mjedisin ai do të vishte frakun vjenez të ditëve të rinisë, do të hidhte supeve pelerinën cilindrike dhe do të merrte bastunin, e kështu do të shfaqej në rrugët e Tiranës dhe Pogradecit duke sfiduar mjedisin e izoluar.
Kadare shkruan se: ”˜këtij poeti të mallkuar shqiptar i duhet vetëm edhe një hap që të mbërrijë dhe kalojë kufijtë e jetës, që të shkelë në shkretëtirën danteske’ ( Don Kishoti tek Shqiptarët, Ali Aliu)