Home KRYESORE Kanalet e zeza të politikës i janë vërsulur “armikut të jashtëm”, sidomos...

Kanalet e zeza të politikës i janë vërsulur “armikut të jashtëm”, sidomos Lu-se dhe Vlahutin

Nga Afrim Krasniqi

Kur dy javë më parë ambasadori amerikan dhe delegacioni i BE-së në Tiranë ashpërsuan gjuhën publike kundër elitës së korruptuar në gjyqësor, prokurori dhe segmentet vendimmarrëse të shtetit, dhe paralajmëruan edhe masa drastike (listë e zezë për ndalim udhëtimi në SHBA) për politikanë e zyrtarë të korruptuar, – në rrethet diplomatike pritej se në Tiranën tonë ku elitat janë formuar nga betoni i shitur dhe jo nga librat e botuar apo shpikjet e bëra, – do të kishte kundër-reagim. Dhe profecia u realizua!

Prej një jave media dhe kanalet e zeza të politikës janë i janë vërsulur “armikut të jashtëm”, sidomos dy ambasadorëve, Lu dhe Vlahutin! Një i tretë, ambasadori gjerman Hoffman ishte gjithashtu pjesë e sulmit, disa pinë shampanjë kur ambasadorit britanik i mbaroi mandati dhe të tjerë po i gëzohen faktit se ambasadori i OSBE pas raportit informal të zyrës së tij, nuk është më aq aktiv sa më parë! Rrethi po mbyllet dhe Lu e Vlahutin janë shënjestra e radhës! Sillen me ta sic sillet mafia: kërcënim, shantazh, denigrim deri edhe familjar, nisma për dëbim nga vendi apo krijim mjedisi fyes përmes talljes mbi gjithçka ata përfaqësojnë! Mjeshtër të baltosjes, – kërkuan në arkivat kroate të gjejnë ndonjë sulm denigrues për Vlahutin, kërkuan arkivat e tranzicionit të gjejnë ndonjë deklaratë amerikane në mbështetje të ndonjë politikani që rezultoi dështim, – dhe kështu, panorama e plotë kundër “guvernatorëve të emëruar”, “shërbëtorëve të qarqeve të huaja” etj, etj, – u vu në përdorim!

Në linjë zyrtare kulmi ishte kur ministri i qeverisë doli kundër ambasadorëve dhe reformës në gjyqësor, – edhe pse qeveria zyrtarisht është pro dhe ministri, sipas ligjit për funksionimin e KM nuk mund të dalë kundër kabinetit ku bën pjesë! Në një vend normal ai do paraqiste menjëherë dorëheqje, por tek ne, në vendin me dy kryeministra dhe dy linja paralele në qeveri, – secili mund të bëjë cfarë të dojë dhe si të dojë! Ligji dhe etika kanë pak rëndësi, kalkulimet elektorale kanë rëndësi primare! Më tej media u furnizua me teza interesante: fajin për dështimet në drejtësi e ka programi i USA dhe BE, (Euralis), misionet e huaja të asistencës kanë dështuar, zyrtarët e huaj të përfshirë në reformë janë të paaftë, të parëndësishëm dhe të papunë për vendet e tyre, – etj, etj!

Shikoni orët e shtrenjta në duar ”“ i këshilloi ambasadori amerikan! Shikoni burimet tuaja informale të financimit, – i këshilloi një koleg tjetër i medias LD! Shikoni vilat luksoze ku jetojnë, jetën luksoze që bëjnë, milionat e padeklaruara që nuk kanë burim ligjor, makinat luksoze për veten dhe fëmijët, – thoshte një raport konfidencial që qarkullon në mesin e diplomatëve dhe që përmend disa emra politikanësh! Përfshirë atë që ka dërguar fëmijët në një shkollë fillore ku paguhet 28.600 dollarë për një vit, përfshirë atë që ka ndërtuar shtëpi ku një metër katror parket kushton më shumë se 560 euro, përfshirë atë që ka një vilë me 29 dhoma, përfshirë atë që ka dy galeri informale financimi në Bulqizë, atë që mori një fshat turistik në hyrje të Sarandës apo atë që pas çdo pazari korruptiv gjen një kinez për ta paraqitur si investim të huaj!

theniet e ambasadesPo e mbyllim 2015 si mos më keq, po e paralajmërojmë 2016 si mos më keq! Në Rumani, Kroaci, Slloveni, Malin e Zi, Serbi, etj, qindra politikanë ranë në burg për korrupsion. Në Maqedoni kryeministri i korruptuar u detyrua e do japë dorëheqje javën e dytë të janarit! Në Shqipëri? Kampioni i korrupsionit e ka gjetur armikun, – janë …. diplomatët e huaj! Sipas tyre, elita e korruptuar politike nuk ka faj, po mbron sovranitetin dhe stabilitetin..!! Po, me kë ti zëvendësojmë Lu e Vlahutin? Me kryetarët e bashkive të Kavajës, Kamzës e drejtoreshën e arsimit në Lushnje, – si standardet më të larta që ofruan PS-PD-LSI gjatë 2015?

Gjithsesi, çdo e keqe e ka një të mirë! Falë zotit ambasadorin amerikan, ambasadorin e BE dhe ambasadorin e OSBE në Tiranë nuk i cakton Ditmir Bushati; falë zotit misionet ndërkombëtare në drejtësi nuk i emëron Ylli Manjani; falë zotit ekspertët ndërkombëtarë të byrosë së hetimit nuk i cakton Saimir Tahiri; falë zotit raportet ndërkombëtare për Shqipërinë nuk i hartojnë zyrat e propagandës së PS, PD e LSI! Ndaj 2016 e ka një dritë shprese në fundin e tunelit!

Fushata anti perëndim po jep efekt tjetër nga ajo që pritej nga ekspertët me formim revolucionin kulturor kinez që dominojnë tregun politik e mediatik në Shqipëri. Dashje apo padashje ata na dhanë një ndihmë, treguan se kush janë sëmundjet e Shqipërisë. Dhe kështu, Ambasadorët Lu, Vlahutin e Hoffman morën mesazhin de facto, – Shqipëria nuk ka vetëm gjyqtarë të korruptuar, ka politikanë, parti e media të korruptuara! Ndaj reforma duhet të ketë efekt domino, paralel dhe sa më të thellë! Pa keqardhje, pa kompromise! Ky është interesi madhor për qytetarët shqiptarë, për shtetin, për demokracinë dhe këtë presim nga miqtë e partnerët!

Share: