Nga Lis Bukuroca
Mendimi i dytë më pervers, më primitv që kam dëgjuar në jetë dhe që është tipar i mungesës së vetbesimit dhe sedrës është: “Gruaja donë qytek (rrahje) dhe kontroll!” Rrahja përjashton dashurinë. Dashuria përjashton rrahjen. Aty ku ka rrahje, nuk ekziston dashuria. Me rrahjen e gruas, traumatizohen edhe fëmijët. E kontrolli?
Nëse duhet ta mbikqyrim gruan, atëherë kemi marrë grua labile. Një grua që është e aftë të martohet, është e aftë edhe të kujdeset për moralin e vet. Për nga natyra, burrat janë më të përdalë se gratë. Njeriu i dashuruar nuk ndjen asnjë nevojë për tradhti. Njeriu i lumtur nuk ndjen nevojë për tradhti. Disa njerëz të martuar pa dashuri, nuk ndjejnë asnjë obligim besnikërie.
Kujdestaria shkakton probleme kujdestarit, sepse atij shumë herë, nuk i duhen vepra konkrete xhelozie, ato i prodhon fantazia e tij. Pra, gruaja nën atë trysni nuk është fjatore, por probleme të mëdha ka gardiani me vetbesimin, që nuk e ka dhe sedrën, që nuk e posedon.
Ai është i bindur se të gjithë burrat tjerë janë më të mirë se ai. Këtë kompleks inferioriteti, ia kanë ngulitur në shtëpi prindërit në fëmijëri, duke i dhuruar shembuj: të tjerët janë më të mirë në shkollë, më të meçur, më të shkathët në jetë se ai! Ai është viktimë e prindërve të padijshëm, që pastaj nga padituria, shndërron gruan në viktimë të veten. Mungesa e vetëbesimit dhe sendrës, bën njeriun në xheloz të sëmurë. Shtypja depersonalizon gruan dhe shndërron në kopje sipas dëshirës së burrit, që origjinalin nuk do ta njohë kurrë.
Për ta shëruar një burrë të tillë nga kjo sëmundje vogëlsie, gruaja duhet të punojë intensivisht drejt rikrijimit të besimit në vetvete tek ai burrë shpirtërisht i rrënuar. Kurrë një krahasim me burra tjerë. Kjo i krijon asociacione me komplekset e imponuara në fëmijëri.