Nga Edison Ypi
-Kam një motër që quhet Mute.
-Ç’më duhet mua si quhet motra jote.
-Të lutem mos ma pushkato frymëzimin, më ler të flas. Bëra një bakllava me porosi. Motra Mute ja nguli pirunin bakllavasë, mori një thelë, e afroi te hunda, dhe e flaku me gjith pirun mbi tepsi sikur nuk i pëlqeu. Nuk bën, tha motra Mute, s’është bakllava kjo me vaj e sheqer të keq. Ma bëri harram.
E di pse ? Sepse bakllavaja u bë me porosi, nuk e bëri Mutja që ta vidhte gjysmën. Megjithatë s’e bëra veten. I thashë Mutes; S’ka problem, ja ku i ke paret, më bëj një bakllava tjetër me gjalpë dhe mjaltë.
I mori Mutja paret bëri një bakllava. Bakllavaja e dytë e bërë me paret e mia dhe talentin xhvatës të Mutes doli diçka që nuk vihej në gojë, një kutullaç si balta e Manzës në kohën e kurvit.
Dukej sheshit që i kishte vjedhur harxhet. Megjithatë përsëri s’i rashë në sy. I thashë; Thuaji mikeshës tënde çame të ma bëjë ajo një bakllava për së mbari.
I tha motra Mute çames, çamja pranoi, i dhashë paret për bakllavanë e tretë. Bakllavaja e çames mbërriti pas nja pesë a gjashtë ditësh. Dështim katastrofik. Gjysma e poshtëme e bakllavasë së tretë me paret e mia dhe zotësinë e pakontestueshme prej amvise të çames, komplet e djegur, qymyr e tëra, për ta ngrënë as që bëhej fjalë, nuk vihej në gojë as pjesa e sipërme e papërcëlluar për shkak të erës së djegjes. Çamja s’u duk.
Motra Mute, që me siguri edhe në këtë rast kishte xhvatur një pjesë të pareve, duke spekuluar me urtësinë time, pati guximin të propozojë një bakllava të katërt, sipas saj, këtë herë të përsosur; Do ta bëj vetë për merak, tha Mutja. Po ti e bëre një herë dhe e vodhe o Mute, i thashë. Jo-jo, tha, këtë herë do ta bëj të mirë, vetëm më jep paret.
Pash çpash, pas tre bakllavave të mëparshme prej të cilave nuk kisha vënë në gojë asnjë thelë, i dhashë motrës Mute paret e bakllavasë së katërt. I mori Mutja paret dhe tha nesër bakllavanë e ke gati. Vajta gjith qef të nesërmen i sigurtë se nga e katërta bakllava do haja së paku një thelë. U tmerrova kur pashë se këtë herë Mutja kishte ndryshuar stilin e vjedhjes, e kishte bërë bakllavanë të vogël një pëllëmbë. Por nuk i dhashë rëndësi. Thashë me vete se madhësia është çështje sasie, mua më intereson cilësia që këtë herë motra Mute sado hajdute e pamundur të mos e ketë arritur, dhe ngula pirunin. Piruni u ngul si në bukë.
Mutja s’ishte mjaftuar me vjedhjen nga zvogëlimi i përmasave por kishte përlarë edhe harxhet. Nuk vura asgjë në gojë as nga bakllavaja e katërt. I dhashë karar se paskësh qënë e shkruar të mos ha kurrë bakllava. J’u nënështrova vullnetit të Allahut për të ma privuar kënaqësinë e ngrënies së bakllavasë në këtë Dynja duke ma mundësuar me bollëk në tjetrën, postum. Kur befas një ditë motra Mute solli haberin; Çamen po e vret ndërgjegjja për djegjen e bakllavasë së tretë, tha, më çoi haber se këtë herë do bëjë një bakllava fantastike me shpenzimet e veta.
I besova pendimit proverbial çam. I thashë Mutes; O Mute, u pa puna, pas 4 bakllavash që i pagova unë por s’hëngra asnjë thelë, po pres të ha diçka nga bakllavaja e pestë e çames. Pa merak, tha Mutja, nga bakllavaja e çames ti do hash hisen tënde. Prit e prit, e bakllava hiç. Ndërkohë që prisja të vinte bakllavaja e pestë, i dhashë motrës Mute paret për një gosti me ca miq.
Gostia u bë, çuditërisht me bakllava. Që me siguri ishte bakllavaja e pestë, por motra Mute nuk ma tha, nuk më vuri në dijeni. S’po merrja vesh çfarë po ndodhte. Pyeta Muten; Ku është o Mute bakllavaja e pestë, ajo e pendimit çam ? Tha Mutja, çamja e bëri bakllavanë, unë ua nxorra mysafirëve në gosti, mbetën disa cifla, haji ti.
-Me kaq e le këtë mesele revoltuese me mut dhe bakllava, nuk u hakmorre sadopak, nuk i the asgjë ?
-U mendova gjatë. Meqënse edhepse Mute gjithsesi motër, i thashë; Moj e imja motra Mute që me Motrën Tone të Idromenos s’ke asgjë të përbashkët. Ciflat e mbetura të kalvarit të bakllavave, haji vetë. Hallall e gjak e dhjam bakllavatë dhe gostia me paret e mia. Veç tash e tutje, pas gjithë këtyre vuajtjeve që më shkaktove, mos guxo të më thuash se në Shqipëri arsyetueshmëria funksionon, ndjeshmëria njerëzore është proporcionale me Lirinë që tashmë e kemi, nepotizmi praktikohet, tranzicioni ka mbaruar, urgjencat mjekësore janë të padobishme, krim brenda familjes nuk ka.