Home KRYESORE Është koha të ngadhënjejë racionaliteti mbi iracionalitetin!

Është koha të ngadhënjejë racionaliteti mbi iracionalitetin!

Nga Sali Bytyçi

Shenja të vitit të mbrapshtë ’97 po shihen në Kosovë, por ende ka kohë të parandalohet repriza e këtij viti të mbrapshtë tek ne.

Ashtu si në Shqipëri në vitin 1997 liderët politikë nuk i dolën rrezikut përpara, por vetëm sa i frynë zjarrit (Berisha, pak para shpërthimit, kujt i kujtohet shkuarja e udhëheqësve politikë Kosovarë në Tiranë, u përpoq që atë stuhi ta spostonte në Kosovë), edhe liderët politikë të Kosovës, qartë po shihet kjo, nuk po duan t’i dalin përpara këtij rreziku!

Sipas mendimit tim, asnjë stuhi nuk ndodh pa një shkak. Si në Shqipëri në vitin 1997, edhe në Kosovë tani, shkak është keqmenaxhimi, ndërsa menaxhues të Kosovës dihet kush janë: liderët politikë që e kanë udhëhequr Kosovën që nga viti 1999 e këndej. Por, po të binin pasojat e stuhisë mbi keqmenaxhuesit, kjo do të ishte e keqja më e vogël, po të gjitha pasojat do të bien mbi të keqmenaxhuarit!

Tani është koha të shihen problemet qartë, jo të futet koka në rërë, siç vepron struci në momente rreziku!

Unë mendoj që, në rast të eskalimit të situatës, përgjegjësia kryesore do të binte mbi pozitën, sepse tani për tani ajo është menaxhuese e vendit dhe do të duhet të mendonte se si të kalohet kjo fazë me sa më pak dhimbje.

Po si t’i dilet përpara rrezikut të reprizimit të vitit ’97 në Kosovë?

Këtu nuk do të zbuloj Amerikën, po vetëm do të përsëris një opinion i cili dëgjohet nga të tjerët, por që e kam thënë edhe unë më parë:
1. Të japin dorëheqje shkelësit e Kushtetutës së Kosovës dhe
2. Të organizohen zgjedhjet e parakohshme.

Rrugë tjetër nuk shoh.

Në këto momente, ideja më e dëmshme për Kosovën do të ishte thirrja nga pozita e njerëzve të saj për t’i dhënë përkrahje asaj! Nuk them që pozita nuk arrin t’i nxjerrë në shesh njerëzit e saj, ndoshta edhe ma shumë se opozita, por kjo do të çonte në konfrontim me pasoja të pallogaritshme!

Një shenjë e keqe, për mua, është edhe dobësimi i racionalitetit deri në iracionalitet të mendjes së shefit të Pozitës, e kam fjalën për Hashim Thaçin (Isën nuk e zë ngojë këtu, sepse prej tij nuk pritet asgjë e mirë, ama pothuaj asgjë!), pra një shenjë që atë e ka dalluar në situata të ndjeshme për Kosovën. Nëse ka pasur situata të ndjeshme dje Kosova, ai sot duhet ta dijë se kjo që po e përjetojmë është shumëfish situata më e ndjeshme që ka kaluar vendi ynë nga viti 1999, ndaj duhet të jetë dyfish më racional dhe jo t’u bëjë ftesa partizanëve të tij për të dalë në rrugë, sepse kjo do të ishte ftesë për luftë qytetare, por të reflektojë me mendje të ftohtë akull dhe të pajtohet me zgjidhjen e duhur për këto momente. Në të kundërtën, dëmi që do t’i shkaktojë Kosovës do të jetë i pallogaritshëm dhe me pasoja të mëdha për të ardhmen e saj, po edhe për të!

Share: