Home KRYESORE MBI SHFAQJEN E DHUNES NE EDUKIM (Pjs 2)

MBI SHFAQJEN E DHUNES NE EDUKIM (Pjs 2)

Nga Llazar Syziu

Përvoja tregon se një pjesë e mirë e prindërve vijnë rregullisht në shkollë, pyesin interesohen dhe dëgjojnë mësuesin, pastaj flasin për shqetësimet e tyre. Këta i kanë fënijët përgjithësisht në rregull dhe mbajnë përgjegjësi për frekuentimin dhe mbarëvajtjen e tyre në shkollë. Ka të tjerë që nuk vijnë rregullisht edhe kur vijnë nga kërkesa me insistim e shkollës, në vend që të dëgjojnë, flasin të parët. Në vend që të mbajnë përgjegjësi, kërkojnë llogari. Mësuesi e ka për detyrë t`i jap informacion të gjithë prindërve për njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet e fëmijëve të tyre. Por tek ky kontigjenti i fundit nuk funksionon procesi. Mentaliteti i tyre i rëndomtë është: “Ne ua kemi lënë juve. Ju e keni përgjegjësinë që mësojnë mirë apo keq, sillen mirë apo keq,,.

Disa të tjerë vijnë vetëm në fund të vitit shkollor, para se të dalin rezultatet dhe kërkojnë me insistim që fëmija e tyre të kalojë pa merituar. I përdorin të gjitha format, nga presioni deri tek metodat korruptive. Një kohë të gjatë përgjatë tranzicionit mësuesia ka qenë ndër profesionet më pak të paguara, prandaj funksiononte lehtë zgjidhja e kontradiktave në shkollë, duke korruptuar mësuesin me favore të shumëllojshme. Këto janë antivlera, të cilat e shfaqin veten në kontigjentin e nxënësve që dalin nga shkolla me mangësi në njohuritë dhe qëndrimet e tyre. Edhe në këtë rast janë problemet e shoqërisë që shfaqen në arsim, prandaj mësuesi i përkushtuar vetëm mund t`i zbut ato, por nuk mund t`i zhduk dot. Sikur të mos mjaftojnë këto premisa, edukimi mediatik që marrin fëmijët është një faktor tjetër i cili favorizon elemente të dhunës ndër fëmijë. Si rezultat i konkurencës për të tërhequr vëmendjen e fëmijëve të moshës shkollore, shumë produkte mediatike e vendosin dhunën në qendër të procesit. Kështu fëmijët mësojnë zgjidhje “interesante,, të problemeve të personazheve, me dhunë.

Personazhe që janë nën peshën e ndjesive emocionale të forta. Edhe në vende të përparuara nga ana shoqërore dhe me legjislacion të përshtatur mirë, ndodhin ngjarje të rënda në moshat shkollore. Kjo tregon se një nga arsyet e ngjarjeve antisociale është “spontaniteti,, i lartë, që është bazë në sjelljet e moshës së tyre. Pra Këto premisa të fundit tregojnë se sa i rëndësishëm është qëndrimi aktiv dhe më i motivuar, me pritshmëri të qarta i të rriturve ndaj të vegjëlve. Sa herë në referat është folur për dhunë të prinërve, ose mësuesve ndaj fëmijëve, nuk janë përshkruar arsyet e dhunës. Po të ishin përshkruar patjetër do të dilnin tek njeri nga kufizimet e mëposhtëme: “Shmangie nga detyrimet familjare,, “Neglizhim i detyrave shkollore,, “Cënimi i të drejtave dhe reputacionit të të tjerëve,, “Cënimi i sigurisë dhe moralit publik,, A do të zgjidhen më lehtë këto probleme duke mbledhur fakte, për t`i denoncuar këta fëmijë në organet përkatëse?

Me ligj është e pranueshme zgjidhja e problemit pa kaluar në organet e specializuara të drejtësisë. Po me cilat forma? Sjelljet imponuese të prindit apo të edukatorëve, janë një zgjidhje e shpejtë që zakonisht funksionion. Por ka raste që këto sjellje degjenerojnë në dhunë ekstreme reciproke, sidomos në fazat e rritura të fëmijërisë. Vetëgjyqësia që bëjnë individë të veçantë të kësaj moshe, është tregues se kjo mënyrë trajtimi duhet eleminuar. Ne jemi një vend që jetojmë 70 vjet të lirë, kështu që dhuna tek fëmijët dhe mosplotësimi i të drejtave të tyre është simbolik, në krahasim me vendet që përjetojnë luftën. Nuk ka vend në botë që nuk realizon dënime të antarëve të shoqërisë, por duke qenë se jemi në paqe, dënimet janë më të pakta, sepse nuk funksionojnë ekzekutimet pa pjesmarrjen e organeve të drejtësisë. Kështu edhe fëmijët rriten në një situatë shoqërore më të qetë.

Arsimi shtetëror tek ne është rreth 100 vjeçar. Po ashtu edhe format e kultivuara të edukimit janë relativisht të reja. Ka vende që kanë arsim të pandërprerë për disa shekuj, pra dhe praktikë më të qëndrueshme në format e kultivuara të edukimit të brezit të ri. Tek kjo përvojë ne duhet të mbështetemi. Në literaturën e sotme shprehja më e realizuar për fëmijët është: “Në çdo zgjidhje interesat e nxënësit të jenë parësore,,. Kështu mendojnë se realizohet më mirë mbrojtja e nxënësit nga veprimet, por edhe nga neglizhimet, që mund t`u shkaktojnë diskriminim. Por në praktikë shpesh teprohet duke përdorur shprehjen: “Nxënësi ka gjithmon të drejtë,,. Kjo shprehje përdoret zakonisht nga drejtues në arsim që duan të shfaqen si novator. Një njeri që vjen në shkollë për të mësuar dhe për t`u edukuar, patjetër që këto cilësi i ka në nivel të ulët. Pra pa këto cilësi rritet mundësia që të mos kesh gjithmon të drejtë gjatë veprimtarive shkollore.

Përdorimi i këtyre shprehjeve e minon punën e mësuesit, për të rritur cilësinë e përvetësimit të programit mësimor edukativ nga nxënësit. Ky pozicion i vështirë e ekspozon mësuesin si pjesë të problemit dhe jo si pjesë aktive e zgjidhjes. Pra thënë shqip dëmtojnë punën drejtuese të mësuesit në shkollë, por nuk harrojnë që të kërkojnë llogari si përgjegjës kryesorë në mbarvajtjen e punëve në arsim. Kualifikimi i vazhdueshëm i mësuesve ka shumë arsye, por një ndër më kryesoret është të aftësohen që të mbrojnë me profesionalizëm punën e tyre. Nuk është në interes të fëmijëve që t`u plotësohet çdo tekë e tyre. Në interesin më të mirë të tyre është, të mësojnë të kërkojnë të drejtat e tyre kur realizojnë vazhdimisht detyrat ndaj familjes dhe shoqërisë. Kjo është tepër e rëndësishme kur bëhet fjalë jo për një numër të kufizuar njerëzish por për ca më shumë se 30% të shoqërisë.

Një shkak tjetër i rëndësishëm është se gjatë plotësimit të regjistrit të notave nga mësuesit sigurohet fryma e të qenit në rregull me shtetin për paraqitjen e realitetit të gjendjes së klasës. Ndërsa kur vjen puna për mbylljen e shkollës dhe nxjerrjen e rezultateve dominon një frymëtjetër. Kjo mund të përmblidhet në tendencën e drejtuesve dhe mësuesve për të pakësuar problemet sociale. Për të rregulluar pozicionin e shkollës në varësi të presionit të komunitetit të prindërve, ose ndonjëherë edhe për motive më të dobëta. Këto dukuri dëmtojnë motivimin e nxënësve që punojnë me ndjenjë përgjegjësie gjatë gjithë vitit. Krijojnë paragjykime për profesionalizmin e mësuesve nga pjesa e shëndoshë e komunitetit dhe është premisë për distancimin e prindërve nga pjesmarrja në hallet dhe shqetësimet e institucionit shkollor. Opinionin e kësaj shoqërie e merr edhe nxënësi.

Të punosh me nxënës është e vështirë, por të punosh me nxënës dyshues është më tepër se e lodhëshme. Ja premisat për indisiplinim në mjediset shkollore. Drejtuesi profesionist me vizion të qartë dhe që punon në interes të shkollës, krijon pritëshmëri të këtyre premisave. Ndërton veprime parandaluese që të ndërthuren me transparencë në interes të institucionit. Pra pozicionohet në mënyrë aktive në rritjen e besueshmërisë së shoqërisë, se shkolla udhëheq tendencat pozitive të komunitetit. Rregullorja e brendëshme e shkollës duhet të përshtatet me dy elementë kryesorë: 1- Të jetë e realizueshme. 2- Të mos bjerë ndesh me ligjet në fuqi. Përpilimi dhe afishimi i saj praktikohet në shkolla dhe patjetër që realizon aftësi njohëse. Por sensibilizimi i opinionit të nxënësve dhe prindërve, pikërisht kur ka ngjarje antisociale, realizon qëndrueshmëri emocionale tek nxënësit dhe rritje të vetëdijes për përgjegjësi tek mësuesit.

Përpilimi me shprehje të reja dhe çështje të tjera,të cilat nuk ishin përfshirë më parë, e bën të monitorueshëm efektin e kësaj rregulloreje. Kjo bënë që rregullat të mos kthehen në dogma pa vlerë. Kështu parashikon se shpesh herë persona neglizhent të punësuar në arsim kërkojnë të transferojnë gabimet e tyre dhe t`ia adresojnë ato dikujt tjetër, ose kur prindi bëhet palë me nxënësin edhe në mosrealizimet apo indiferencën etij. Në rregullore parashikohen edhe masa disiplinore për sjellje flagrante të nxënësve. Por nuk është ky qëllimi kryesor i kësaj rregulloreje. Detyra e parë që duhet tëplotësoj kjo rregollore është rritja e vetëdijes personale të nxënësit për detyrat që duhet të zbatoj dhe të drejtat që arrin të gëzoj në shkollë.

Praktikisht kur rregullorja nuk përfshin si duhet problemet e reja të shkollës ndodh ajo që ngjarjet e papërshtatëshme sa vjen bëhen më të shumta dhe me kontrast gjithmon e më të madh. Rrugët e zgjidhjes së problemeve të edukimit “të drejtë por të dhunshëm,, janë të shumta, por të gjitha duhet ti përshkoj përsosja e legjislacionit. Në këtë mënyrë krijohen kushte që arsimtarët, prindërit dhe të gjithë aktorët e komunitetit që marrin pjesë në edukimin e brezit të ri, të marrin përgjegjshmërinë e pozicionit aktiv në pritshmëritë e tyre. Kjo edukatë tipike e dhunëshme është ngulitur tek shqiptarët brez pas brezi. Shprehja: “Godit disa, se të tjerët marrin vesh vetë,, është karakteristikë e kësaj edukate. Kjo është mënyra e të mësuarit duke pësuar. Ndërsa veprimtaritë që bëjnë përpjekje, për të planifikuar aktivitetin e fëmijëve, ose të paktën “planifikimet,, e vet fëmijëve të zhvillohen nën vëmendjen e të rriturve, janë karakteristikë e pritshmërive aktive në bashkëveprim me fëmijët. Forca argumentuese e edukatorëve duhet të shoqëroj çdo shfaqje të dukurive konfliktuale, që mund të shfaqen.

Bindja dhe ndërgjegjësimi i fëmijëve, se liria e tyre mbaron aty ku fillon liria e të tjerëve, duhet të jetë jo vetëm detyrë, por mbi të gjitha detyrim. Dhuna midis vet fëmijëve zakonisht tregon sjellje dominuese të grupit, ose të individit. Dominimi është mentalitet antisocial, ai lidhet me egoizmin. Bashkëjetesa dhe mirëkuptimi zakonisht lidhen me sjelljen altruiste. Brezi i ri nuk duhet të mësohet me sjellje që kanë filozofinë të pësosh, pa të mësosh, por të mësosh nga përvojat e të tjerëve. Edukatorët me përvojë sillen në atë mënyrë që fëmija të kuptojë, se një sjellje dhe një qëndrim i caktuar ka gjithmonë rëndësi shoqërore. Mësuesi paguhet si rrogëtar për të zgjeruar dhe përmirësuar vizionin e brezit të ri, për të zgjidhur sjelljet konfliktuale dhe të rrënjos tek ai qëndrime tolerante e mirkuptim shoqëror.

Por edhe qëndrimi i tij qytetar duhet të jetë shtysë për ndërgjegjësim dhe marrje të përgjegjshmërisë, se njohuritë dhe mendimet e brezit të ri sot, nesër do të bëhen qëndrime dhe veprime. Sa më i lartë të jetë statusi i mësuesit në shoqëri, aq më e lartë është mundësia e zgjidhjes së problemeve në arsim. Praktikat që i kërkojnë llogari mësuesit për probleme që i kalojnë kompetencat e tij, e konsumojnë mësuesin dhe e detyrojnë të përpunoj rutinën e tij të përditëshme pa optimizmin që duhet ta karakterizoj. Në jetë fëmijës së shkollës i takon të ndeshet me shumë dukuri shoqërore. Disa prej tyre janë të kundër ligjëshme. Megjithatë pjesën e dukshme të tyre e kanë aq të lustruar, sa që fëmija nuk e kupton që në fillim hendekun midis tyre dhe edukimit që merr në shkollë.

Naiviteti i tij, ose veset që mund ta shoqërojnë, janë premisa që ai të gllabërohet nga këto veprimtari. Ngadalë ai fillon të realizoj braktisje të edukimit që ka marrë. Performanca e tij gjatë kësaj kohe mund të jetë e ndryshme,por gjithmonë ka produkte konfliktuale me shkollën dhe familjen. Në shoqërinë tonë me procese të mëdha ndryshimi kjo mundësi është më e madhe. Trajtimi me dogma të moralit të këtyre fëmijëve, nuk është e mjaftueshme, për të mos ndodhur një ngjarje e tillë. FB_IMG_1455222652754Trajtimi me dhunë psikologjike, ose fizike ka shumë mundësi të bëj të kundërtën. Por tërheqja në veprimtari të dobishme dhe vëmendja maksimale ndaj prirjeve dhe interesave të tij bën të mundur shmangjen e premisave konfliktuale në shkollë dhe në familje. Përderisa dhuna përdoret në edukim d.m.th. se ka shprehjet e saj moralizuese.

Por cili është pozicioni i këtij morali kur si rezultat i dhunës fëmija gjakoset? Po kur largohet nga ambjenti familjar dhe jeta e tij ndërthuret me elemente negative shoqërore? Po kur kalon në ekstrem dhe fëmija kalon në vetëvrasje? Atëhere mbetet faji tek ushtruesi i dhunës që duhet të ishte treguar më i kujdesshëm. Pra morali që përkrah përdorimin e dhunës në edukim është më tepër një opinion i pa qëndrueshëm, se sa një arsyetim me fakte që duhet pranuar. Ky moral e ka bazën tek vëmendja e pakët e të rriturve ndaj fëmijëve. Shprehja”bëni si keni bërë,, nuk është zgjidhje. Por shprehja “Ktheni kokën dhe t`i shikoni në sy fëmijët,, i ndihmon ata që të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve familjare dhe të bëhen mbështetës të një shoqërie të shëndetëshme. Kështu është e rëndësishme që shoqëria shqiptare të siguroj një ndërgjegjësim në rritje të prirjeve pozitive, në mënyrë që të përsoset performanca kulturore dhe të ndërveprojë sa më denjësisht me civilizimin botëror bashkëkohor.

Share: