Home KRYESORE Despotët dhe zvarranikët shqiptarë

Despotët dhe zvarranikët shqiptarë

Nga Lis Bukuroca
Despotët nuk kanë mundësi të mbijetojnë aty ku ka demokraci të vërtetë dhe grupe parlamentare, që ushtrojnë një kontroll të përhershëm të qeveritarëve, por në shoqëritë me një këmbë në kohën e sotshme, me tjetrën në shoqërinë fisnore, janë fusha ideale për profilizimin e tyre. Në shoqëri gjysmë-gjysmë, pjesa dërmuese e popullit nuk kupton dallimin mes partive të majta dhe të djathta.

Aty nuk votojnë programe të partive, por kandidatët zgjidhen sipas parimeve të sfilatave, ku votohen bukuroshet e botës apo sipas shijeve në Shtëpitë Publike. Aty fiton ai që është i veshur më bukur, që gënjen më së miri, që rrenë më bindshëm dhe që premton popullit lumturi duke punuar sa më pak, ose fare. Aty votohen imazhet, jo mendimet. Aty votohen gjestet, jo mundësitë. Aty votohen në bazë të suksesit në të kaluarën, jo në bazë të aftësive profesionale të sotshme. Aty votohen iluzione dhe shpresojnë se do të rritet bari, që nuk e kanë mbjellë kurrë.

Ata që luftojnë këtë dalldi, perceptohen si prishës të harmonisë dhe projekteve dhe synimeve dhe planeve të tyre, që nuk mund të realizohen kurrë, sepse mungon aftësimi dhe parapërgatitja profesionale.

Se në Kosovë nuk dinë çfarë është e majta dhe e djathta, dëshmoi konvertimi i PDK-së nga e majta në të djathtë, edhe atë, pa humbur asnjë anëtarë. Kjo tregon se krejt anëtarësia është e lidhur me Hashim Thaçin dhe askush nuk kishte hyrë në atë parti, pse ajo ishte e majtë dhe kishte ndërmend të ndihmojë shtresat e varfra.

Sikur një parti në Perëndim të ndryshonte drejtimin, do të mbetej pa asnjë anëtarë. Jo mirëpo në Ballkan. Daçiqi dhe Vuçiqi ishin dy nacionalistë shovinistë serb, sot përpiqen të duken demokrat dhe ia kanë arritur ta bindin edhe Perëndimin. Perëndimi konvertitë të tillë brenda vetes përbuzë dhe demaskon, por në vende që improvizojnë shtetin, nuk ka alternativë tjetër, pos të përkrahë nacionalistë, shovinistë dhe kriminel në pushtet, që ia ofron ai popull.

Në shoqëritë që jetojnë në gjysmerrësirë mendore, në shoqëritë që i bëjnë rezistencë modernes dhe të kaluarën e vështrojnë si domosdoshmëri për përsëritje, për ripërtypje, të tashmen përjetojnë si degjenerim, pra epokën e vet, por aprovojnë ligje kundër traditës dhe zakoneve të veta, që nuk i respekton as Qeveria.

Shumica jeton në një obskurantizëm përrallor, kryesisht tek ata popuj që nuk ka pasur iluminizëm dhe nuk njohin këtë shfaqje. Refuzimin e epokës së vet, konsiderojnë qëndrim fisnik dhe pikërisht këta, duke qenë të pezulluar dhe në konflikt me modernen, mund të manipulohen lehtë.

Kështu ndodhë në Rusi, ku feja dhe shteti kanë synime të njëjta për të sugjestionuar popullin, në Serbi, në Greqi, në Turqi dhe kështu në Kosovë.

Se udhëheqësit e partive shqiptare ishin dhe janë despotë, lehtë dëshmohet. Despotët zakonisht pranë vete nuk durojnë konkurrencë, por zvarranikë nga bindja, zvarranikë nga lindja, zvarranikë nga botëkuptimi dhe zvarranikë nga karakteri. Ata nuk duan njerëz me dije, por njerëz që janë besnikë dhe në shërbim të karrierës së despotit.

Se despoti përjashton çdo njeri të mençur nga qendra, mund të merret si shembull LDK e Ibrahim Rugovës. Gjatë sundimit të partisë së vet, do ta braktisin atë dhjetëra intelektual të njohur të skenës kosovare, edhe ata që ishin themelues.

Pas ikjes së Rugovës, partia u shndërrua në një klub karrieristësh, ku zvarranikët e mbetur, morën partinë në duar dhe nuk zgjidhnin mjete për t’u avancuar, madje edhe në kundërshtim me programin e partisë ku bëjnë pjesë.

Share: