Home KRYESORE “E Shqipnisë”

“E Shqipnisë”

Nga Sokol Shameti

Ka një Shqipëri në Kosovë që ne po dështojmë ta përqafojmë. Ti e bën këtë zbulim përmes shenjash të vogla ose të mëdha, sa herë që në Morinë kapërcen kufirin psikologjik që bën roje teksa ti kridhesh nga njëra mjegull në tjetrën në autostradën e kombit.

Një listë me emra të rinjsh me frymëzime toponimie qytetëse nga Shqipëria. Një pronar restoranti që të kthehet në guidë turistike. Një roje parkingu që hyn në bisedë e pyet me kuriozitet për numrin e çamëve. “A ke ditëlindjen shqipe?”, pyet kamerieri kur merr bakshish, me kujdesin e atij që s’do të të dëmtojë. Një polic me kapele gjashtëkëndore që i hedh një sy targës së makinës sonë dhe bën shenjë se s’ka nevojë për kontroll dokumentesh.

Kosova feston 8 vjetorin e pavarësisë. “Gëzuar gjithë shqiptarëve”, dëgjon në çdo urim në televizion. Por duket sikur në fakt ky është një urim që jeton vetëm brenda televizorit. Në rrugë, pak gjallëri dhe kjo nuk duket aspak si festa e të gjithëve. Disa pronarë supermarketesh kanë ekspozuar flamurin e Kosovës. Një taksi lëviz ngadalë me dy flamuj, atë të Kosovës dhe atë kombëtarin në secilën nga dritaret.

“Nga flamuri që mbajnë, kupton nëse janë me qeverinë apo me opozitën. Nëse janë të pasur apo të varfër. Si në Belfast”, më shpjegon një mik nga Tirana që jeton prej vitesh në Prishtinë. Qeveria e shumica e të pasurve duket se kanë përmes flamurit dhe shtetësisë kosovare një instrument të leverdisshëm që u mundëson primatin në një feud. Opozita dhe të varfërit, duket se nuk e duan këtë instrument – ata kanë një ëndërr.

Dëshmimi me krenari i identitetit shqiptar, këtu është kthyer në një lloj sfide, një lloj vënie me shpatulla për muri ndaj atyre që duke theksuar kosovarizmin nënkuptojnë divorcin nga shqiptarizmi. “Identiteti kosovar, gjithsesi ekziston”, vijon kalkulimet i njëjti shok – “1913 – 1999 i thonë 86 vjet secili për hesap të vet. Tjetër gjë i bën këta për të qeshur, tjetër gjë na bën ne”.

Nuk më qeshet. Më mendohet ndonjë dëshmi për të kundërtën. Diçka përsëri nga viti 1913. Jo 1913-a e ndarjes së shqiptarëve, por ajo e bashkimit të grekëve. Atyre të Epirit të jugut, Maqedhonisë e Kretës me Greqinë. Përmes luftës, terrorit, dëbimeve dhe masakrave në kurriz të shqiptarëve e të tjerëve që bashkëjetonin në ato troje, vërtet. Por ama me një 92 vjeçar pas shpine në të cilin kishin jetuar të ndarë nga Greqia e pavarur shtetërore e 1821-shit pa ngritur kurrë pretendimin se kishin formuar ndonjë identitet “epirot”, “maqedhonas” a “kretan”.

Çfarë çikërrime duken 86 vjet përpara pafundësisë së historisë dhe sa pak mësime nxjerrim rregullisht nga historia e çdo kohe. Ajo që do të kujtojmë më vonë nga kjo marrëzi, është se disa shqiptarëve u mjaftuan pak dekada pushtim për të dezertuar tek ideja se pushtimi i bastardoi e duke i bastarduar, ironikisht i përmirësoi në mënyrë racore.

Strumbullari megjithatë duket se vërtitet përherë, tek serbët, “shkijet” siç i quajnë disa ish-pushtuesit. Për ta, pavarësia e Kosovës është “e njëanshme” duke dashur kësisoj të thonë “relative”, jo përfundimtare, emocionale, dekorative dhe pa peshë universale. Ende e paqartë mbetet se cila pavarësi në botë ka qenë e dyanshme megjithatë, duke përfshirë njëkohësisht edhe dëshirën për liri të të pushtuarit edhe dëshirën për dhënie lirie prej pushtuesit.

Çfarë nuk ndryshon është fakti se referenca tek raporti me serbët ende duket se kushtëzon kuptimin e Kosovës dhe pavarësisë së saj për shqiptarët. Për disa nga këta të fundit, pavarësia e Kosovës është thjesht një vijë ndarëse nga Serbia. Për të tjerët ajo është heqja e vijës ndarëse nga Shqipëria. Tek ky koncept duket se qëndron edhe dilema, tensioni, fërkimi, thelbi i antagonizmit politik por edhe atij klasor në Kosovë.

Me kë do të jetë Shqipëria në këtë dilemë? Mjerisht, edhe në këtë rast pyetja e saktë do të ishte: cila nga Shqipëritë? Shqipëria e pushtetit, kulisës partiake dhe konjukturale dhe ajo e bajraqeve të influencës tregtare nuk e ka problem ta shohë Kosovën si një njësi ekonomike me të cilën mund të hysh në marrdhënie shkëmbimi, konkurrence apo ekspansioni si me çdo njësi të huaj. Por ka edhe një Shqipëri të dytë brenda Shqipërisë. Ashtu si në Kosovë, ajo përbëhet prej njerëzish të thjeshtë që nuk kanë interesa, por ëndrra.

Dy realitete shqiptare në Shqipëri dhe dy të tilla edhe brenda Kosovës. Shqipëria që ne dështojmë të kuptojmë brenda Kosovës është megjithatë një vatër pulsuese që vazhdon me këmbëngulje të rezistojë pavarësisht gjithë erërave që fryjnë në të kundërt.

Tek zyrat e lëvizjes Vetëvendosje ka gjallëri të jashtëzakonshme në çdo orë të ditës. “A u lodhe shok?”, pyet një i ri aktivist që s’e kam takuar asnjëherë më parë. Visar Ymerin, kryetar i Vetëvendosjes e takoj tek hyrja e ndërtesës teksa pret me qetësi orarin preciz të nisjes së protestës.

Dyzetë e tetë orë më vonë ai dhe deputetë të tjerë të Kosovës do të barrikadohen sërish në mbrojtje të shqiptares në Kuvendin e përfaqësuesve të popullit. Do ta bëjnë këtë me argumente por edhe me trupat e vet, me stoicizëm, me aktivizëm qytetar brenda një institucioni jodemokratik, për të ndaluar një seancë ku qeveritarët synojnë të imponojnë copëtimin e Kosovës për të cilën ata kanë rënë dakord në këmbim të kushedi se çfarë premtimi.

Nuk duhet shumë mend për të kuptuar se në Kosovë ekziston dhe manifestohet dukshëm një tërheqje e fortë kah Shqipëria, sado e vogël, e dobët dhe problematike shfaqet kjo Shqipëri. Jotja mbetet jotja. Shoqërorja dhe shoqërizuesja është për këtë popull një nevojë thirrëse. Si gjithandej, edhe këtu njerëzit duket se preferojnë të rrojnë me të vetët.

“A je e Kosovës, a je e Shqipnisë?”, pyet duke qeshur teksa e ngre hopa vajzën e vet një prind që ka dalë si për shëtitje në protestën ku sfidues ndaj imponimit të ndarjes, valëviten mijëra flamuj shqiptarë. Zëri i vogël i fëmijës, jo më shumë se 4 vjeç, duket sikur kthen përgjigje nga një ditë tjetër që ne ende nuk arrijmë ta shohim qartë: “E Shqipnisë”.

(Prishtine, 17 shkurt 2016)

Share: