Home KRYESORE Eutanazia, e Drejta per te vdekur me dinjitet dhe Media…

Eutanazia, e Drejta per te vdekur me dinjitet dhe Media…

Nga Artur Nura

Fillimisht, duke dashur të flasë për një element të caktuar në fushën e shëndetësisë, më duhet të them se kur shkruaj për këto probleme nuk e bëj një gjë të tillë si mjek, formim që (për fat të keq) nuk e kam patur kurrë, por e bëj  (për fat të mirë) si qytetar i lirë, i cili ka patur të bëjë me shëndetësinë si i afërm pacientësh, apo edhe vetë me këtë cilësi të pashmangshme për gjithsecilin nga ne.

Ndërsa kujtoj me kënaqësi rastin e realizimit të transplantit të veshkës edhe në Shqipëri, padyshim një arritje shumë e madhe në fushën e shkencave mjekësore shqiptare, më duhet të sjellë në vëmendjen e publikut faktin se njëri prej protagonistëve të kësaj arritjeje shkencore iu referua mungesës legjislative shqiptare në raport me konceptet mjekësore në veçanti dhe ato shëndetësore në përgjithësi! Referuar kësaj deklarate kuptimplotë, më erdhi në mëndje debati i gjerë në Perëndim për eutanazinë, sigurisht si një e drejtë për të vdekur me dinjitet (debat krejtësisht i munguar për publikun tonë) dhe një ngjarje të cilën nuk do të mund ta harroj kurrë!

Kështu, për t’u bërë më konkret, më duhet të them se fati ma solli që t’i qëndroja pranë në orët e fundit të jetës një njeriu shumë të dashur dhe në moshë! Ajo kishte rreth dy javë që ishte shtruar në pavijonin e reanimacionit në QSUT dhe mjekët kishin arritur në konkluzionin që jeta e saj varej vetëm në dorë të Zotit! Pacientes së tyre dhe të afërmes sime të dashur i ishin ofruar të gjitha shërbimet mjekësore të duhura dhe të mundura dhe shëndeti i saj përmirësohej vetëm në orë të caktuara dhe pastaj përkeqësohej në progres! Kështu ndodhi deri në natën që unë po i qëndroja pranë dhe ajo ndërroi jetë më vonë në atë mëngjes në ardhje e sipër!

Rreth orës 11:30 ajo pati një perëndim të syve dhe një komunikim mistik me të përtejmen… Padyshim që thirra mjekun e rojës dhe ai së bashku me stafin u impenjuan në maksimumin e mundshëm të tyre. Goditje në gjoks, elektroshot dhe të gjitha mjetet që përdorin profesionistët e kësaj shkence, të cilat nuk po dua t’i përmend për shkak të etikës! Më duhet të them se stafi mjekësor, pasi bëri çfarë i rekomandon ligji aktual dhe etika e tyre profesionale, e rikthyen të afërmen time në jetë me “dhunë” mjekësore! I vunë narkozën të cilën ajo deri në fund kërkonte ta hiqte sepse i shtonte vuajtjet. Kjo situatë dramatike dhe tragjike rezistoi deri në orët e mëngjesit, kur mjeku nuk kish se çfarë të bënte më dhe e afërmja ime, ndërroi jetë në mënyrë të dhimbshme!

Një reflektim për rastin dhe më gjerë...

salle operacioniPersonalisht mjekun i cili apriori duhet respektuar për çfarë bëri, nuk e takova më, por dua të them se jam i bindur se brenda tij duhet të ketë lindur pyetja nëse ja vlejti mundimi që bëri ai me stafin e tij që pacientja dhe e afërmja ime e dashur të jetonte edhe disa orë vuajtje më shumë? Padyshim që përgjigja ime do të ishte jo! Por, nuk e di nëse edhe e mjekut do të ishte e barasvlershme me timen. Po ashtu, nuk e di nëse është e barasvlershme edhe me opinionin e qindra-mijëra e miliona qytetarëve të tjerë si unë?! E vetmja mënyrë për ta marrë këtë përgjigje është hapja e këtij debati dhe kjo duhet bërë fillimisht nga institucionet shkencore dhe profesionistët, pastaj tek publiku i gjerë, i cili është konsumatori kryesor i këtij momenti domethënës socio-kulturor dhe politikë padyshim.

Në fakt, nisur nga ky këndvështrim, personalisht gjykoj se shoqëria jonë është mësuar përgjithësisht që betejat politike dhe sociale (të ngjashme me këtë që po sugjeroj) t’i kalojë lehtazi dhe pa një diskutim të gjerë mbarëshoqëror në të gjitha nivelet e saj me profesionistët, organizimet shoqërore dhe jo qeveritare! Të mirat që do të kishte një proces i tillë për organizimin socio-politik të shtetit…

Duhet thënë se në rastin më të mirë, nëse politika dhe veçanërisht legjislativi do të trajtonte çdo temë-ligj pas ezaurimit të saj (të tij) me këto grupe interesi, një zhvillim i tillë padyshim që do të arrinte në mënyrë më transparente në rezultate më të mira shumëplanëshe për të gjithë shoqërinë. Për më tepër, ky zhvillim debatues publik do të informonte edhe opinionin e gjerë më shumë dhe më mirë dhe si rezultat i kësaj skeme të provuar në Perëndim për dekada të tëra, ne do të kishim një publik të formuar me një kulturë bazë të demokracisë, e cila fillon nga e drejta e individit për t’u informuar.

Sipas mendimit tim, mungesa e këtij zhvillimi të rëndësishëm parimor prezanton padyshim edhe një nga shkaqet kryesore që produktet socio-politike që shoqëria jonë nxjerr nuk janë nga më të arrirat. Me këtë rast, duhet thënë se publiku i gjerë, i cili përfaqëson shumicën tonë është ai që ndërton nëpërmjet votës individuale të lirë hartat e pushteteve si të ekzekutivit, ashtu edhe ato parlamentare.

Debati_publik_ne_Komune_te_PrishtinesTek mungesa e këtij zhvillimi parimor duhen gjetur shkaqet se përse në kemi “ligjëruar” me “nxit” abortin, heqjen e dënimin me vdekje, festojmë 1 majin pa e njohur prejardhjen e kësaj ngjarjeje historike për mbarë njerëzimin, festojmë 8 marsin ashtu siç edhe bëjmë për 14 shkurtin: party, udhëtime në mënyrë të organizuar pa i ndarë ato në filozofitë që përfaqësojnë në vetvete! Sigurisht që shpresoj që të mos ndodhë kështu edhe me këtë propozim timin publik…

Share: