Home KRYESORE Ed laburisti dhe klauzola nr.4 e Toni Blair

Ed laburisti dhe klauzola nr.4 e Toni Blair

Nga Sokol Shameti
Hosanna-ja që po këndojnë tani në PS të gjithë dëfrenjësit e kryetarit është lavdi koral se Partia e Edit me banim në Surrel u bë si Partia Laburiste në Angli, ndaj t’i lëmë dënglat zotërinj: Dy luanë ka sot bota, një Ballkani një Evropa! Nënteksti i qartë pra është se Rama, i cili e ka arreduar partinë sipas stilit të Blerit, duhet të gëzojë paprekshmërinë morale të vetë Blerit që ai zgjodhi si model.
Por a është Toni Bler moralisht dhe politikisht një shenjt? Fundja, nga kush u vendos në Partinë Socialiste se do të ndiqej modeli i tij dhe mbi cilat kritere u mor ky vendim? Pse devijimi tinëz i Partisë së majtë Socialiste drejt djathtizmit neo-laburist shitet për meritë? Si dhe a nuk ka nevojë elektorati t’i thuhet qartë të mos e votojë më Partinë Socialiste për të majtë. Të sqarohen njerëzit se PS ka hequr dorë me dashje nga e majta, ndaj të mos presin prej saj ndonjë qeverisje të ndryshme nga ajo e paraardhësve të tjerë djathtistë në pushtet. PS nuk ka më dëshirë sot të jetë një parti e majtë, një parti e të varfërve, ndaj ajo ka zgjedhur për mësues ideologjik njeriun që e zhveshi Partinë Laburiste britanike nga ideologjia e majtë duke e stilizuar si një parti të interesave të diktuara prej tregut dhe atyre që dominojnë tregun (të pasurit).
Sa herë përmendet Toni Bler, disave në Shqipëri nuk ua ndjen fare se çfarë përfaqëson ai për Britaninë dhe lëvizjen e majtë në Evropë, por u fanepset përnjëherë “heroi” i Luftës së Kosovës. Kjo ndodh me shumicën. Ndërsa atyre pakëve që e përdorin këtë ndjesi të shumicës për ta veshur Blerin në një qyrk mbështjellës që ua mbron menderen nga sulmet, u vlen teoria se s’ka problem nëse batakçinjtë e paqes trashëgojnë ndonjë njollë prej heroi popullor të së kaluarës: kjo mund të vlejë si avantazh e të përkthehet në fitim.
E vërteta është që Bleri, të cilin aq shumë po e marrin nëpër gojë në Tiranë saqë rrezik të ketë kaluar në SDF fulminante kronike, do të tmerrohej po të dëgjonte se si pasuesit e tij shqiptarë ende e quajnë veten “të majtë” dhe mbahen në pushtet me premtime të shitura me lopatë tek të vobektët, të papunët, pensionistët, veteranët antifashistë, apo studentët e varfër të shkollave publike. Do të vinte duart në kokë po të merrte pjesë në ndonjë miting fushate e të dëgjonte retorikën shqiptaro- socialiste të mbushur me fjalët barazi, punësim, sektor publik, shtetbërje etj etj.
Eksperimenti i madh i Toni Blerit në politikën britanike- i cili u erdhi ëmbël dhe u përshtat prej një grupi partish të mëdha të qendrës së majtë, përfshi Partinë Demokratike në SHBA- daton në mes të viteve ’90. Partia Laburiste Britanike, deri përpara Toni Blerit ishte atëbotë një parti e qendrës së majtë. Ajo ia dedikonte prejardhjen e vet trashëgimisë së lavdishme të lëvizjes sindikaliste në Anglinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në statutin e saj i cili shërbente si një gur themeli që mbante mbi shpatulla gjithë premisën majtiste të qeverive që buronin prej kësaj partie, ndodhej ajo që njihet me titullin “klauzola e katërt”. Klauzola e katërt ishte shprehja e një koordinate ideologjike, sinori i vendosur nga themeluesit sindikalistë punëtorë të kësaj organizate politike, të cilin nuk guxonte ta kalonte kush.
Kjo klauzolë sanksiononte se: “Vënia e fryteve të punës fizike apo mendore të punëtorëve në duart e tyre, mund të sigurohet vetëm përmes pronësisë së përbashkët të tyre mbi mjetet e prodhimit, shpërndarjes e shkëmbimit si dhe përmes sistemit më të mirë të mundshëm të administrimit dhe kontrollit popullor të secilës industri a shërbim”.
Çfarë do të thoshte kjo për popullin, për të varfërit dhe punëtorët votues të Partisë Laburiste? Kjo do të thoshte se kjo parti funksiononte mbi parimin se mënyra sesi një pjesëtar i shtresave të varfëra të shoqërisë e konsumon barazinë e tij është përmes pronësisë mbi mjetet e prodhimit të shoqërisë që janë ndërmarrjet, kompanitë, fabrikat, etj, ku pronësia është publike, ku përfaqësues i pronësisë së qytetarëve është qeveria dhe kjo e fundit mban përgjegjësi për performancën e këtij aktiviteti ekonomik e publiku mund t’i kërkojë asaj llogari, cilësi e sukses.
Me ardhjen e Toni Blerit në krye të Partisë Laburiste u revizionua kjo klauzolë që shërbente si adresa ku të majtët anglezë gjenin veten, si shpresa se kishin një parti e cila në statutin e saj të paktën i respektonte ata dhe teorikisht luftonte për barazi. Për herë të parë pas 90 vjetësh, Toni Bleri e fshiu me gomë klauzolën e katërt duke përuruar një nocion të ri, më të përgjithshëm. Partia Laburiste do të ishte këndej e tutje një parti, e cila në pushtet do të prodhonte qeveri partnere me privatët në oreksin e këtyre të fundit për heqjen e ndërmarrjeve publike nga pronësia e publikut. Dallimi me konservatorët dhe theçeristët ishte zhdukur. Laburistët ishin kthyer djathtas.
Ky pra është modeli që reklamon se po ndjek Edi Rama në Shqipëri. Edhe pse vetë Partia Laburiste britanike e ka dënuar tashmë këtë rrëshkitje të rrezikshme e të dëmshme djathtas duke shpallur haptaz përmes liderit të ri Xheremi Korbin rifuqizimin e Klauzolës së katërt, në Shqipëri, duket se bleristët e përfaqësuar nga Rama nuk duan t’ia dinë.
Përqafimi i tyre pasionant me modelin blerist të shndërrimit të një partie të majtë në të djathtë, shprehet sot me zellin e paepur për të hequr çdo mjet prodhimi nga duart e publikut, nga kontrolli dhe administrimi i tij. Duke e zhveshur publikun nga kjo formë pronësie, qeveritë që dalin nga modele të tilla ideologjike janë ato që përfaqësojnë “shtetin e vogël” neoliberal. Një qeveri e tillë s’ka asgjë në dorë. Asaj nuk mund t’i kërkosh dot rritje të punësimit apo zbutje të varfërisë pasi ajo ka dorëzuar gjithçka tek “partnerët” e saj privatë dhe tashmë janë këta që mund të punësojnë ose të shkaktojnë papunësi. Janë këta që mund të ulin e ngrenë paga duke e lënë kështu në mëshirën e tyre varfërinë apo mirëqenien e njerëzve.
Kryeministrat dhe ministrat e këtyre lloj qeverive kur nuk janë duke vrarë mendjen se çfarë shërbimi tjetër publik t’u shesin klientëve të vet privatë, i gjen duke u marrë me marrdhënie publike, me show televizivë apo aktivitete artistike e rekreative.
Qeverisja në realitetin fantastik të një shteti blerist është një si të jetosh në resortin e një konvaleshence të madhe andaj ata që ndodhen brenda saj shqetësohen nëse dikush u thotë se “15 ditëshi” i tyre relaksues ka mbaruar.
sokol shametiAta do të bëjnë gjithçka për ta vazhduar këtë periudhë të këndshme mjalti dhe sigurisht nuk do ta lëshojnë me dëshirë atë që kanë shtënë në dorë me dredhi. Ata nuk janë aty të vetëm e as si përfaqësues të vullnetit të vetvetes. Ajo çka i mban ata në krye të vendimmarrjes megjithatë nuk është as vota e publikut, as statuti dhe konjuktura organizative e partive që ata kanë shtënë në dorë. Ata janë atje për të siguruar që në emër të “modernizimit të partis딝, “modelit laburist”, “rilindjes” e të tjera fjalëve kumbuese- mjetet e prodhimit të vazhdojnë të kalojnë nga pronësia publike e popullit tek duart e disa biznesmenëve të fuqishëm që zotërojnë kapitalin ekonomik. E përderisa populli i së majtës shqiptare do të dështojë ta shohë këtë, ata do të vazhdojnë ta bëjnë këtë në përjetësi.
Share: