Nga Luan Kurti
Zbulimi, pohimi dhe sanksionimi i së vërtetës ka qënë dhe mbetet një nga prirjet dhe idealet më të mëdha të shoqërisë njerëzore.
Përgjithësisht, pa përmenduar provincializmin, mungesën e arsimimit, frymën e protagonizmit që nuk lejonte unifikimin mes vedit dhe shtetformimin, shqiptari i kohëve të vjetra deri në periudhën e mbërritjes dhe instalimit të komunizmit, është shquar si njeri me besë, bujar, mikpritës, i lidhur fort me tokën dhe familjen.
Këto tipare apo cilësi janë përmendur edhe nga të huajt që kanë eksploruar këto troje, si Lord Bajroni, apo edhe studiuesja e njohur Edith Durham, në veprën e saj “Brenga e Ballkanit”. Periudha e komunizmit promovoi “njeriun e ri”, skuth, spiun (veshi i partisë), që çonte pas hekurave edhe pjestarët e familjes dhe fisit dhe jo më komshinjtë apo bashkëqytetarët.
Pas njëzet e gjashtë vjetësh pluralizëm, raporti ynë me të vërtetën është përsëri i çalë, i cunguar, i diskutueshëm, në një kurbë rënieje me rregullat e lojës demokratike.
Shpesh na cysin të mendojmë atë që të mëdhenjve u leverdis më tepër, të merremi me çështje anësore pa pikë rëndësie, duke shfrytëzuar mjetet e pushtetit dhe hapësirën mediatike, duke nxjerrrë herë pas here në ekrane, njerëz “kompetent” të kësaj lëmie, që se kanë për pesë të në e shesin të zezën për të bardhë dhe të bardhën për të zezë, që shkojnë majtas dhe djathtas, të përdorur mu si buratinë nga duart e aktorëve dhe liderve politikë.
Ata janë shtresa mbrojtëse, amortizuesit që shmangin përplasjen e drejtpërdrejtë me objektin, hobi i të cilëve mbetet vetëm denoncimi dhe mufatja e trurit të opinionit, duke krijuar pafundësisht alibira.
Shumë ngjarje letrare apo historike, apo të aktualitetit, mbajnë firmën, markën e tyre. Ata janë “elita”, “ajka e kombit”, për të cilat e vërteta është fantazi mendjengushtish, lajthitje delirantësh, episod i mërzitshëm i një filmi “thriller”