Nga Edison Ypi
Kur para shumë vitesh punova disa muaj në Greqi, shkoja ndonjëherë pasditeve në sheshin Omonia ku dëgjoja vakira rrënqethëse shqiptarësh të sapo çliruar nga zinxhirët.
Dy lezhjanë, pa kokërr leku në xhep, kishin ardhur në Athinë më këmbë.
Një shqiptar leshverdh sykaltër me baba matjan nënë elbasanllie kishte bindjen e patundur se ishte gjerman, pra i lindur për të jetuar në Gjermani, ku patjetër duhej të shkonte sa më shpejt dhe sigurisht do kishte sukses të madh, derisa nje ditë e kapi fshesa e hodhi në Kakavijë.
Nje tjetër shqiptar nja 20 vjeç, u ankua një mbrëmje me lot’ në sy se një gay hollandez prej te cilit sapo ishte ndarë i kishte dhënë një drekë të mirë por asnjë asnjë Dhrahmi.
Një tjetër shqiptar gjysëm i çmendur qante vazhdimisht duke bërtitur; Atje më shanin “grekofon”, këtu më përbuzin “arvanos”.
Sheshi Omonia.
Muzg i ngrohtë fundshtatori.
Katër durrsakë dukshëm të uritur pa asnjë lek në xhep. Mes durrsakve një grek jepte e merrte tu bënte të ditur durrsakëve diçka që durrsakët meazallah se e kuptonin.
Njeri nga durrsakët më bën shenjë te afrohem. Çfar’ thotë ky, tha ? E pyeta grekun anglisht.
Greku tha; Nëse njëri nga këta të katër do pranojë të më japë një gjysëm litër gjak për xhaxhanë e sëmurë, do ta marr me taksi, do t’i jap një drekë si ta dojë, një infermier do t’i marri gjakun, do t’i jap 25 mijë Dhrahmi, dhe do ta kthej me taksi këtu.
Ua thashë durrsakëve të uritur propozimin e përgjakur të grekut.
Durrsakët njëripastjetrit,
-Unë jam Çam. Gjaku im në trup të grekut ?! Kurrë !
-Unë nuk jam çam. Mund t’ja jap gjakun grekut. Madje edhe po të isha çam, që me anë të gjakut tim ta bëja gjakun e grekut sadopak shqiptar. Por greku i poshtër kushedi se çfarë hile ka kurdisur, prandaj gjak nuk i jap.
-Edhe unë mund t’ja jap pa problem gjakun grekut. Por uk e di pse nuk mund të pranoj që zemra e grekut të punojë me gjakun tim.
-Jemi popuj miq, jemi popuj vëllezër, do iki unë t’i jap grekut gjak shqiptari. Se na duhen dhe pare për të blerë ndonjë gjë për të ngrënë, nuk jetohet barkbosh.
E mori greku shqiptarin e gatshëm për të marrë pare në këmbim të gjakut në emër të vllazërimit të popujve dhe kombinimit me urinë, e futi në një taksi, dhe u zhdukën.
Kaluan disa javë.
Episodi me durrsak, grek, gjak, më mbeti në mendje nja dy ditë, pastaj, të tjera tmerre shqiptareske që dëgjoja tek Omonia, ma nxorrën nga mendja.
Kur nje dite tjetër i pashë përsëri katër durrsakët. E kishin marrë disi veten.
Pyeta atë që shiti gjakun;
-Si vazhdoi ajo meseleja me ate grekun që ta bleu gjakun ?
-Më çoi në një shtëpi në Pire, tha durrsaku duke qeshur, më dha një drekë madhështore, prita të vinte ndonjë doktor të ma thithte gjakun, por hiç. Pas pak erdhi përsëri ai greku që më mori te Omonia, më dha 25 mije Dhrahmi, dhe më solli me taksi përsëri ketu, bleva ca gjëra që i hëngrëm me kursim për nja dy ditë, tani jemi përsëri barkzbrazur.
-Si ka mundësi që të dha paret pa ta thithur gjakun ?!
-Nuk e di. Nuk kam spjegim.
-Nuk ke ti por kam unë një spjegim, u hodh miku i tij. Grekët janë shumë të poshtër. Ndonjë grek i pasur që ka dashur të tallet, ka parë nga pas dritares së shtëpisë duke fërkuar duart nga qefi se si një shqiptar është i gatshëm t’i shpëtojë jetën një greku duke i dhënë gjak shqiptar me çmim qesharak.
-Përkundrazi, tha durrsaku tjetër. Greku pas dritares mund ketë qënë një grek i pasur, por jo i keq. E ka bërë këtë lojë të pazararshme për të provuar miqësinë shekullore mes popujve ballkanikë, të cilët për njeri-tjetrin japin edhe gjakun, madje fare lirë, përmes shembullit madhështor të një shqiptari të uritur i cili e shet gjakun sa për të mbushur një herë barkun, çka do të thotë se po të ishte i ngopur, gjakun shqiptar grekut do ja falte.
-E pamundur, tha durrsaku që foli i fundit. Po të ishte e vërtetë çfarë sapo tha miku ynë mendjelehtë paqedashës, pra po të ishte e vërtetë se një shqiptar ja shet aq lirë gjakun një greku, do ishte e vërtetë edhe e kundërta, që po aq lirë një grek ja shet gjakun një shqiptari. Çka jo nuk ka ndodhur, por as është parë e dëgjuar kurrë.
Kaluan edhe nja dy a tre javë të tjera.
Tashmë atë ngjarje nuk mund ta harroja.
Një tjetër mbasdite, në një tjetër qoshe të Omonias, pashë përsëri grekun e gjakut.
E pyeta me ngut çfarë ndodhi ate dite me gjakun e shqiptarit.
-Dëgjo, tha greku duke buzëqeshur, kur arritëm në Pire me atë djalin, i thashë xhaxhait që po jepte shpirt se ja kisha gjetur një shqiptar që gjakun e shiste. Xhaxhai në shtratin e vdekjes, sa dëgjoi fjalën shqiptar lëvizi nga vendi. Jo, tha, kurrën e kurrës gjak shqiptar në dejet e m’i, më mirë vdes që këtë çast.