Home KRYESORE Juntat komando mbi universitetet nuk kaluan dot!

Juntat komando mbi universitetet nuk kaluan dot!

Nga Artan Fuga

Sot pata kënaqësinë të pres në zyrat e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit Publik të Tiranës grupin e studentëve përfaqësues të Këshillit Rinor pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Biseduam gjerë e gjatë si miq dhe më pëlqeu tufa shumë e madhe me lule të freskëta që më dhuruan, të cilën e ndava degë më degë e lule më lule me të gjithë kolegët e mi, në përpjekjen tonë të përbashkët.

Vetes i ruajtja vetëm një të vogël degë dafine.

Shumë gjëra më konfiduan studentët. Vath në vesh duhen mbajtur. Ata përpiqen për demokraci dhe antikorrupsion në Universitete.

Bravo u qoftë!

Sa më përket mua, ndava me ta idenë që vazhdoj të kem se demokratizimin dhe modernizimin e arsimit të lartë e pengon dje, sot dhe gjithë ditën në radhë të parë kuadri ligjor në fuqi, që nuk i shërben kulturës dhe arsimimit të rinisë shqiptare por grupeve shumë të vogla lobish interesash korruptive, dhe të paaftëve që duan të ruajnë pozita monopol.

Ne duam arsim modern për rininë dhe jo broçkulla!

Kjo është bindja ime dhe përgjegjësi personale mbaj vetëm unë dhe askush tjetër përsa deklaroj dhe vazhdoj ta tund atë kambanë alarmi.

Rinia universitare ka të drejtën e Zotit të lulëzojë dhe jo t’i rezervohet vendi i skllavit.

Rinia shqiptare ka të drejtën e arsimimit universitar me nivel të lartë dhe jo të kurseve kiu – fiu!

Po ashtu mora vesh lajmin e gëzuar se ministria e arsimit në rregulloren e korrigjuar që dërgoi sot ka hequr dorë,

pas rezistencës universitare,

nga ideja e mbrapshtë antiligjore, firmosur fatkeqësisht nga vetë znj. ministre e arsimit,

për të vendosur “junta” të komanduara për periudha pa afat në universitete (quajtur nga unë “junta ushtarake pa uniformë”),

Besoj nën nxitjen e ndoca ngatërrestarëve që për hir të interesave të tyre nuk mungojnë ta shtyjnë pushtetin publik drejt daljes nga kornizat ligjore në fuqi.

Me pak fjalë “Junta ushtarake” në universitete nuk kaloi.

Ne duam tani zgjedhje të lira dhe të ndershme!

Ja përse rezistenca qytetare është e dobishme për demokracinë dhe ligjin.

Ta dëgjojnë sidomos ata dhe ato që nuk kanë guxim dhe as kurajo të bëjnë as detyrën minimale qytetare, pra të aktivizohen që te ne të mbretërojë ligji dhe jo tekat dhe dëshirat tiranike të kujtdoqoftë.

Share: