Home KRYESORE “Nje mesazh nga te perçmuarit”

“Nje mesazh nga te perçmuarit”

Nga Chris Hedges*

Sulmi i ndodhur sot ne Bruksel, nuk eshte vepër e Islamit radikal. Nuk ilustron përplasjen e imagjinuar mes qytetërimeve. Ai eshte shenjë paralajmëruese e një distopie të pashmangshme, ku të mjerët e tokës, të lënë pa burime për të mbijetuar, të zhveshur nga shpresa, të kontrolluar brutalisht, të përçmuar dhe të përqeshur nga të privilegjuarit që jetojnë në shkëlqimin dhe përtacinë e perëndimit të industrializuar, shpërthejnë me furi nihiliste.

Ne kemi prodhuar tërbimin e të perçmuarve. Djallëzia e kapitalizmit global grabitqar ka pjellë terrorizmin. Në vend që të kuptojmë rrënjët e këtij tërbimi dhe të përpiqemi të përmirësojmë diçka, kemi ndërtuar mekanizma të sofistikuara sigurie dhe vëzhgimi, kemi miratuar ligje që lejojnë vrasjen dhe torturimin e të dobtëve, kemi krijuar ushtri moderne si dhe makineri luftarake për ta sunduar botën me forcë. Kjo nuk është është drejtësi. Nuk është luftë kundër terrorit. Nuk është as betejë për lirinë dhe demokracinë. Aq më pak për lirinë e shprehjes. Është përleshje e çmendur e të privilegjuarve për të jetuar në kurriz të të mjerëve, dhe të mjerët e dinë këtë.

Shndërrimi në luftëtarë të shenjtë, në xhihadist, në kampionë të një ideali absolut dhe të kulluar, është konvertim intoksikues, një formë rilindjeje që të mundëson një ndjesi fuqie dhe rëndësie. Është po aq e zakonshme për një xhihadist islamik, sa ç’ishte për anëtarët e Brigadës së Kuqe ose partitë e vjetra fashiste dhe komuniste. Të konvertuarit në një ideal absolut që nxit drejt utopisë, përqafojnë këndvështrimin manikean mbi historinë, të mbushur përplot me teori të çuditshme konspirative.

Forca kundërshtuese, madje edhe të mira, pajisjen me dashakeqësi të fshehtë. Të konvertuarit besojnë se jetojnë në një univers binar, të ndarë mes të mirës dhe të keqes, të pastrës dhe të papastrës. Si kampionë të së mirës dhe të pastrës, ata shenjtërojnë viktimizimin e tyre dhe demonizojnë gjithë pabesimtarët. Ata besojnë se janë përzgjedhur për të ndryshuar historinë. Dhe përqafojnë një dhunë hipermashkullore që konsiderohet si agjent pastrues për ndotësit e botës, përfshi ata njerëz që i përkasin sistemeve të tjera të besimit, racave dhe kulturave të tjera. Kjo është arsyeja pse e djathta ekstreme franzece, e organizuar rreth Marin Le Penit, liderit të frontit kombëtar kundër emigrantëve, ka aq shumë të përbashkëta me xhihadistët që Le Peni thotë se dëshiron të asgjësojë.

Është e rrezikshme të injorosh këtë tërbim, por është akoma më e rrezikshme të refuzosh të ekzaminosh dhe kuptosh origjinën e tij. Ai nuk buron nga Kur’ani apo Islami. Ai buron nga dëshpërimi i masave, nga kushtet e mjerueshme të jetës, të shoqëruara me dhunën imperialiste të perëndimit, me arrogancën dhe shfrytëzimin kapitalist.

*- Shkeputur me nderprerje nga artikulli me titull “Nje mesazh nga te percmuarit” shkruar pas sulmeve terroriste ne revisten satirike Charlie Hebdo.

Shenim: Jo domosdoshmërish ky opinion korrespondon me me politikat redaksionale te Perqasje.com. Por ne besojmë se një pjese e kësaj analize duhet konsideruar nga Perendimi!

Share: