Home KRYESORE Si të flasim me fëmijët për terrorizmin?

Si të flasim me fëmijët për terrorizmin?

Nga Jeta Shkurti (Toçila ) Psikologe Ligjore

Kur terrorizmi godet e gjithë bota shtanget.

Frika e madhe, konfuzioni që mbërthen njerëzimin është i papërshkrueshëm. Akti i fundit terrorist ndodhi në Bruksel, ditën e 22 marsit. Mediat në mbarë botën transmetonin drejtëpërdrejtë të rejat nga vendngjarja. Shumë viktima të shkaktuara nga terrorizmi kanë ngjallë dhimbje jo vetëm tek familjarët e bashkëkombësit e tyre qofshin ata francezë, turq apo belgë, por edhe tek ajo pjesë e shëndetshme e popullatës në botën civile. Janë pikërisht kjo pjesë e gjendur përballë ekraneve të televizioneve që ngre pyetje dhe kërkon të shprehë emocionet.

Mes tyre ka edhe fëmijë, pasi është e vështirë të ruash fëmijët e sotëm nga ekspozimi ndaj edicioneve informative që transmetojnë pareshtur. Në pjesën më të madhe të familjeve shqiptare tradita e do që të gjithë anëtarët të kalojnë kohë në dhomën e ndënjes dhe rrjedhimisht aty ka një televizor që fiket vonë në mbrëmje. Gjatë gjithë kohës fëmijët e të gjitha moshave bombardohen me informacione të larmishme, nga të cilat pak prej tyre arrijnë të kuptojnë dhe shumë prej tyre mund t’i keqkuptojnë. Në këto kushte prindërit duhet të jenë të përgatitur të bisedojnë me fëmijët, t’u japin përgjigje pyetjeve të tyre rreth ngjarjeve më të fundit. Është me rëndësi që fëmijët të dinë se mund të bisedojnë me prindërit e tyre për frikën dhe emocione të tjera. E di që biseda për terrorizmin është një detyrë e vështirë për cdo prind, por në ditët tona është kërkesë e kohës.

Një mënyrë e mirë për të filluar bisedën është të pyesësh fëmijën “C’mendon ti për terrorizmin?” Kjo do ti ndihmonte prindërit të krijonin idenë se cfarë informacioni ka fëmija për cështjen dhe mendimin e tij. Përshtatja e informacioneve me moshën e fëmijës duhet të jetë parimi bazë i bisedës. Nga ana tjetër, prindi nuk duhet të druhet kur nuk e di përgjigjen e një pyetjeje të drejtuar nga fëmija, dhe madje të theksojë se terrorizmi është një cështje që nuk zgjidhet dot prej tij.

Fëmijët mbi 8 vjec, nuk do të kënaqeshin me shpjegime të varfra, kjo do ti sillte atyre më tepër ankth. Në këtë pikë, prindërit mund të diskutojnë dallimin mes posibilitetit dhe probabilitetit. Po aktet terroriste, dhuna mund të ndodhin në botë, por ka gjasa edhe të mos ndodhin në vendin tonë. Arsyeja që këto akte zënë kaq shumë hapësirë televizive është që nuk ndodhin cdo ditë. Fëmijët do të kuptojnë se në botë ndodhin gjëra të këqija, por nuk sjell asnjë dobi frikësimi prej tyre. Edhe pse terroristë e përdorin dhunën, shumica e njerëzve nuk e miratojnë atë si mënyrë për zgjidhjen e problemeve. Kujtoni se nga gjithë njerëzit në botë, terroristët nuk janë shumë. Shumica e njerëzve janë të mirë dhe duan paqen.

Të vegjlit nuk kanë sensin e gjeografisë. Atyre mund tu duket se sulmi po ndodh në dhomën e ndënjes. Ata nuk kanë aftësinë ti vendosin gjërat në kontekstin e duhur. Për të lehtësuar frikën e tyre mund të vihet theksi në distancën mes shtëpisë dhe ngjarjes duke përdorur një glob për ilustrim. Në këtë pikë e gjej me vend të theksoj rëndësinë e monitorimit të asaj që konsumon fëmija nga media. Unë jam për lejimin e fëmijëve të shohin lajme, por në varësi të moshës dhe zhvillimit të tyre të kontrollohet sasia dhe cilësia. Gjithashtu prindërit duhet të kenë kujdes që cështjet sensitive të ditës të mos i diskutojnë në prani të fëmijëve.

jeta tocilaSic e përmenda më lart, është normale që prindërit të mos kenë një përgjigjë të saktë. Por ata mund të shprehen se do ta gjejnë një përgjigje tek profesionistët e fushës dhe do ta ndajnë informacionin kur fëmija të jetë pak më i rritur. Dhe pasi prindërit të kenë ofruar një sasi minimale informacioni, duhet të jenë të kujdesshëm të vrojtojnë nëse fëmijët u kënaqën nga përgjigjet dhe në momentin kur fëmijët të jenë gati për me tepër atëherë tu japin më tepër.

Share: