Home KRYESORE Brukseli zemra jonë

Brukseli zemra jonë

Nga Nga Arian Galdini

A ka terrorizmi Fe? Unë mendoj se Terrorizmi është Fe. Është Feja e Antinjeriut, e Antijetës. Zoti i Terrorizmit është Vdekja. Tempulli i Terrorizmit është Injoranca. Predikuesi i terrorizmit është Vrasja.

Teologjia e Terrorizmit janë Urrejtja dhe Frika. Nuk ka Terrorizëm Islam, e as të Krishterë. Nuk ka Terrorizëm me emër etnie, race, ngjyre apo ideje. Është e pamundur. Nuk janë as Fetë, as Etnitë, as Kombet, as idebartësit qëllim-mbarë, që përdorin Terrorizmin.

Krejt e kundërta ndodh. Është terrorizmi që i përdor këto. Ndaj nëse ka një betejë të madhe që njerëzimi duhet ta bëjë, nuk është beteja ndaj Konvencioneve që përdor Terrorizmi, por beteja pa kompromis ndaj kësaj Feje të re që quhet Terrorizëm.

Nëse e duam jetën dhe njeriun, duhet ta luftojmë pa kushte çdo besimtar të antijetës dhe antinjeriut, çdo besimtar të Terrorizmit dhe Vdekjes. Unë besoj tek Jeta dhe Njeriu.

Ajo çka ndodhi në Bruksel pak ditë më parë, ishte goditje në zemrën e Europës, në zemrën tonë. Ishte përpjekje e drejtpërdrejtë e besimtarëve të Vdekjes, që të na konvertonin neve, që të ma konvertonin mua besimin tim.

Shkruaj në vetë të parë, sepse shkruaj duke e vendosur veten në lëkurën e gjithëkujt, e çdo njeriu të kësaj Bote. Edhe sepse marrëdhënia me Zotin është krejt personale dhe vyen të jemi vetërrëfyes kur shkruajmë e flasim për Të. E pra, besimtarët e Vdekjes e kanë nisur prej kohësh Luftën e tyre të Shenjtë për të na konvertuar.

Ata vranë masivisht mijëra qytetarë të pafajshëm tek Kullat Binjake. Ata po vrasin çdo ditë në Siri, Irak, Libi, Liban, Algjeri, etj. Vranë në Paris. Po vrasin në Ankara, Stamboll. Dhe së fundmi vranë në Bruksel. Thonë se do të vazhdojnë të vrasin… Festojnë e gëzojnë kur vrasin.

Veç kujdes, shumë kujdes. Lufta e tyre e shenjtë, nëpërmjet vrasjes, nuk synon të na konvertojë në asnjë nga Fetë e Njeriut. Lufta e tyre e shenjtë kërkon të na kthejë në besimtarë të Vdekjes. Ndaj të mos e lejojmë askënd ndër ne, të mos lejojmë asnjë inç të vetes sonë që të rrebelohet kundër Feve të Njeriut, kundër asnjë Feje të Njeriut.

Besimtarët e Vdekjes përdorin kovencionet tona, që ne të gabojmë e të ndahemi, urrehemi, e humbasim vetvetet dhe njëri-tjetrin. E vërteta është se në kohët e Terrorit, Frika predikon Urrejtjen, Antijeta predikon Konfliktin, Antinjeriu predikon Mohimin. Pikërisht në këto kohë duhet të ngrejë krye Njeriu që të luftojë për Jetën, kërkojë Solidaritetin dhe të predikojë e ushtrojë Dashurinë.

Besimtarët e Vdekjes përdorin fjalën xhihad dhe termat e Islamit. Këtë e bëjnë jo rastësisht, e jo pa qëllim. E bëjnë sepse duan që ne të biem në kllapinë e kacafytjes mes nesh. Xhihadi është lufta e shenjtë, vepra e shenjtë, akti i shenjtë i Njeriut në kërkimin sublime, të pastër të vetvetes dhe Zotit.

Islami është Feja e Njeriut që na bën udhë e paqe me Zotin. Feja e Njeriut e ka Zotin, Krijues, Dashuri, Mëshirëplotë, Paqe, Jetë. Kësisoj, Besimtarët e Vdekjes, nuk kanë asnjë lidhje me asnjë Fe të Njeriut. Ata janë antinjerëzit që kanë për Fe vetëm Terrorizmin. Arian Galdini

Share: