Home I pakategorizuar Si të përballim një krizë refugjatësh që kemi te dera?

Si të përballim një krizë refugjatësh që kemi te dera?

Nga Artan Fuga

Brenda disa ditësh mendohet, nga media botërore, se në Greqi, numuri i refugjatëve sirianë dhe të tjerë, mund të arrijë në njëqindmijë persona që enden rrugëve, të uritur, të leckosur, në vuajtje të mëdha njerëzore.

Ne e kemi krizën e refugjatëve te dera dhe gjëja më e keqe që mund të bëjmë si komb, si shoqëri, si qytetarë dhe së fundi si qeveri, është të mbyllim sytë, të mos e marrim me alarmin që duhet, të mos e trajtojmë qartë në publik e në media, pra të bëjmë sikur tragjedia të mos jetë në shtëpitë tona.

Mund te mos ndodhi gje, por nuk perjashtohen edhe zhvillime dramatike qe mund t’i paguajme shtrenjte per dhjetra vjet mos me shume…

Ardhja e mijra refugjatëve sirianë dhe të tjerë në Shqipëri do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, të përfshirë në një krizë varfërie dhe kaosi moral e social, por do të ishte edhe një kurth, dhe një vetëvrasje edhe për refugjatët, që do të ngecnin në një vend që jo vetëm nuk ka asnjë mundësi t’i mbajë, por edhe se do të jetonin mes tensionesh dhe moskuptimesh kolektive që padrejtësisht do t’u binin mbi kurriz.

Sigurisht ata e dinë këtë, e ndjejnë instiktivisht, e dëgjojnë nga media e huaj që në mënyrë komike këtë rradhë spontanisht na shërben duke transmetuar realisht një imazh të dobët dhe jo të pëlqyeshëm për vendin tonë, por ndofta ja u mësojnë edhe trafikantët e refugjatëve që rruga për në Gjermani e Suedi ku ata duan të shkojnë nuk kalon nga Shqipëria.

Imazhi i keq që kemi në botë, sot na bëka mirë! Historia është njëherësh tragjike, por edhe komike.

Kanë të drejtë që nga Greqia duan të shkojnë nëpër Maqedoni për të dalë në Evropën Qendrore. Rruga është më e shkurtër, me më shumë mundësi transporti me trena e linja hekurudhore, më një relief fushor, dhe mbi të gjitha në Greqi, si vend europian, ata shpresojnë që Evropa ta ndjejë se krizën e ka brenda vetes.

Në Shqipëri ata do të harroheshin. Jo se Europa nuk dëshiron ta zgjidhë krizën e refugjatëve megjithë gabimin fatal që bëri Gjermania duke u krijuar popullsive në botë iluzionin se emigrimi në Gjermani është i dëshirueshëm prej saj dhe rrugëzgjidhje e problemeve që cdo komb ka. Europa dëshiron, por nuk i ka mjetet. Qeveria greke po kërkon ndihma në të holla dhe nuk po merr gjë e po shkon drejt fundosjes, në kufirin midis Anglisë dhe Francës, te ngushtica, është krijuar një zonë e pushtuar nga refugjatë, ku nuk e merr vesh i pari të dytin dhe e quajnë “xhungla e Kalesë”. Imagjinoni që Europa nuk ka mjete financiare dhe logjistike për ta zgjidhur sot, në mes të dimrit, krizën e refugjatëve të shkretë, në territorin e saj, mendoni nëse mijra refugjatë do të vendoseshin në Shqipërinë me hambarët ku bie miu dhe thyen kokën!

Si të bëjmë pra kur jemi vendosur midis dy zjarresh? Të mos i pranojmë, na vret ndërgjegja kolektive, na vjen turp se nuk tregohemi solidarë me tjetrin në fatkeqësi, t’i pranojmë ?, nuk kemi ku i mbajmë, pa ndihma ata të shkretë na zënë derën, dhe na krijojnë kriza të brendshme, duke na dhënë me fatin e tyre të trishtë goditjen e fundit e duke na marrë me vete në humnerat e historisë.

Si të bëjmë? Më kujtohet kur na vinte në familje një kushëri varfër nga larg. E prisnim me pekule, e mbanim si jo më mirë, cmalleshim, por pas dy javësh, pasi i jepnin shumë veshje për fëmijët e tij, mezi prisnim që të ikte, duke e përcjellë me dashuri.

Si të bëjmë? Cdo trajtim i cekët, i njëanshëm, thjesht me pasione, me ndjenja, psikologjik, me ngarkesa morale, nuk është zgjidhje, sepse këtu jemi në planin e arsyetimit gjeopolitik dhe politik, dhe jo në xhami apo në kishë, e nuk po bëjmë mësim edukate morale në shkollë.

E para, mos kujtojë njeri a institucion se është mbyllja e kufirit që po i pengon refugjatët të zbrazen në territorin tonë, në fshatrat e qytetet tona. Në gjendjen ku janë ata janë krejt të justifikuar ta bëjnë. Ata nuk hyjnë me vizë që të kalojnë nga pikat doganore, mjafton të dalin fushave dhe lumenjve dhe vijnë pa asnjë problem. Kush mund të ushtrojë dhunë ndaj tyre, e t’i pengojë me forcë??? Do të kishim lënë kokrrën e namit si komb dhe si shtet. le që nuk kemi asnjë fuqi policore dhe ushtarake për ta bërë dhe sikur ndokujt t’i shkrepi në kokë për ta bërë.

Por, edhe Europës nuk mund t’i themi se nuk jemi solidare me të dhe nuk marrim pjesë në hallin që e ka zënë, ndonëse për shkak të një politike të gabuar që u ndoq nga ndonjë vend i saj. Sepse nëse sot nuk marrim pjesë në aksionin europian të zgjidhjes të krizës, tregohemi se Europën e duam për ta zhvatur e jo për t’u integruar, e mbi të gjitha, nesër pasnesër, kur refugjatët të kenë mësyer te ne, askush nuk do të ketë gojë t’i kërkojë Europës ndihma për të zgjidhur probkemin që atëkohë do ta kemi në shtëpitë dhe shkallët e pallateve tona.

Cfarë duhet bërë ?

Mendoj se gjëja e parë është të tregojmë në planin ideologjik dhe strategjik se shteti shqiptar, hapur dhe fort, mendon se kriza e refugjatëve është e zgjidhme në vendet ku ata kanë lindur, në trojet e tyre. Atje sot është kolera, drama, shkatërrimi, prandaj Shqipëria duhet të marrë pjesë, sa i takon, për të rivendosur paqen dhe qetësinë në ato vende, bashkë me fuqitë e mëdha botërore. Armëpushimi në Siri është një fillim në rrugë të mbarë.

E dyta, ne duhet të kalkulojmë urgjent dhe realisht se në përputhje me buxhetet tona, me GDP tonë, me fuqinë tonë ekonomike, territorin, numurin e popullsisë, sa na bie të kontribuojmë për Europën që ajo ta zgjidhë problemin. Se Europa ka territore të gjera, ne çfarë kemi?, një rryp toke si komb, prej mijvjeçarësh zhytyr në kënetë buzë detrave, rrëzë maleve të ftohtë, dhe kaq janë mundësitë tona.

Pasi të llogaritet kjo gjë, dhe pasi t’i bëhet thirrje popullsisë që të ndihmojë edhe vullnetarisht, sasinë e ndihmave t’ja propozojmë Europës, madje t’ja propozojmê edhe Greqisë që mban sot një peshë të madhe mikripitjeje sikurse populli i dashur grek mirëpriti djemtë e gocat tona dy dekada më parë.

Greqia është dhe ka qenë vend azili dhe mikprirtjeje prej mijravjeçarësh. Ne jemi vend i sulmuar prej hordhish pushtuese prej mijravjecarësh.

Mos bëjmë hipokritin. Vuajtjet e refugjatëve të uritur rrugëve të Athinës janë afër nesh, te gjitoni ynë. Mikpritja dhe solidariteti njerzor, i siqnertë, me refugjatët, nuk tregohet vetëm kur ata kalojnë një hap në territorin tonë, sepse njerzilliku nuk ka lidhje me territorin se ku zhvillohet drama.

Ja pra se çfarë duhet bërë, sipas meje, mos qendrojmë pasivë, mos merremi vetëm me kulisa diplomatike, po ta bëjmë çështje qytetare, cështje shoqërore pjesëmarrjen tonë si komb në zgjidhjen e kësaj drame, edhe opozita duhet të zgjohet për këtë çështje, edhe ambjentalistët, se kur thua se një pemë e prerë është një qenie e gjallë e vrarë, po një sirian, njeri si ti e si unë, i uritur, në Athinë, cfarë është???

Po nuk bëmë këtë brenda 24 orësh, më pas, kur kriza mund të na bjerê në kurriz do të ndodhemi përpara faktit të kryer dhe nuk do të kemi mundësi veprimi.

Ne duhet të bashkojmë humanizmin me realizimin diplomatik dhe strategjik.

Shqipëria i ka të gjitha mjetet të ndihmojë, të ngrihet në lartësinë e traditave tona të rrezistencave heroike, por nuk i ka mundësitë që këtë solidaritet ta tregojë duke pritur valë spontane emigrantësh refugjatë në territoret e saj.

E shumta disa dhjetra edhe mund ta shikojë mundësinë e pritjes të përkohshme, me kontrata të firmosura për qendrim provizor, pa të drejtë marrje nacionaliteti shqiptar dhe të vendosur në kampe të rregullt, të mbajtur edhe me mbështetjen e shtetit shqiptar, aq sa na takon të përballojmë krahasuar me Europën gjigande, ne një vend i vogël si rrip toke buzë Adriatikut dhe Jonit, por edhe me një investim të bollshëm, të negociuar kontraktualisht mirë me Brukselin.

Këtu nuk duhet të mbytemi nga nostalgjia dhe psikologjia inferiore e një populli që i kanë ikur bijtë dhe bijat në emigrim. Po, Grekët dhe italianët na kanë pritur, por edhe ne i kemi pritur. Nuk i kemi asnjë populli borxh. As na ka borxh njeri. Problemet gjeopolitike zgjidhen me logjikë politike dhe humanziëm, jo me ndjenja inferioriteti dhe fajësimi.

E mbi të gjitha ne duhet t’i shkulim nga koka ndonjë faktori jo miqësor me kombin tonë që mund të na punojë edhe ndonjë rreng nëse nuk jemi të zgjuar dhe nuk veprojmë shpejt. Të na mësyjë në rrypin e tokës kënetore që na ka mbetur trashëgim nga historia, dhe që e kemi boshatisur sepse bëmë politika të gabuara refugjate ne shinat e treniturbanizimi duke mbipopulluar buzën e Lanës, si shtrat ujrash të zeza, e në vend të shqiptarëve që ikin nga sytë këmbët nëpër Europë, të sjellin popullsi nga Lindja e Mesme, që pasi të ngujohen këtu për disa dekada, më pas të vendosen përfundimisht. Kjo, që sigurisht nuk ka të bëjë fare me dëshirat e refugjatëve të shkretë që enden nëpër Ballkan, do të ishte një goditje fatale për kombin tonë. Atë që nuk ta bëjnë ushtritë e huaja që vijnë me dhunë, ta realizojnë emigrimet masive, paqësore, në kushte krizash, dhe historia e përbotshme, ajo e Ballkanit dhe e Mesdheut veçanërisht, e dëshmojnë katërcipërisht.

Duhet vepruar brenda 24 orësh sepse përndryshe në qindra vjet kombi në brezat e ardhëm do të na thotë vetëm njê fjalë : Idiotët!

Share: