Ish kryeministri Sali Berisha denoncoi sot gjatë një konference me gazetarët, kërcënimin që, sipas tij, Emiljano Shullazi ka bërë ndaj Rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule dhe kandidatit për Rektor, Mynyr Koni.
Po sipas Berishës, këto ditë është kërcënuar edhe Rektori në detyrë, Dhori Kule, të cilit, siç tha ai, i kanë dalë përpara tre automjete të blinduara duke i kërkuar që të pranojë dorëheqjen e kandidatit Koni.
Berisha tha se Shullazi do të përcaktojë Rektorin e ardhshëm të Universitetit të Tiranës.
“Para tre orësh informohem se” Edi Rama, për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës ka ngarkuar Emiljano Shullazin, për të përcaktuar se kush duhet të jetë rektor i Universitetit të Tiranës. Në zbatim të porosive të Edi Ramës, Emiljano Shullazi ditën e enjte ndalon njërin nga kandidatët, se nuk e di sa janë, akademikun e nderuar profesor Mynyr Koni, i cili është tek Shkencat e Natyrës, por nuk e di cila është fusha e Mynyr Konit. Një gjë dua të siguroj shqiptarët, që në memorien time ky person nuk ka kurrë një lidhje me Partinë Demokratike. Kryebanditi Emiljano Shullazi i kërkon profesor Mynyr Konit të tërhiqet nga gara ose do t’i rrëmbehet djali, dhe i thotë se po fole ke kokën. Dje, profesori i nderuar Mynyr Koni ka paraqitur në mënyrë të papritur dorëheqjen. Po dje, banda e Emiljano Shullazit me tre makina të blinduara, se sot në Shqipëri qarkullojnë me makina të blinduara vetëm Edvin Shullazi dhe Emil Shullazi, se makinat e blinduara përveçse në raste shumë të veçanta janë të ndaluara, por Emili ka tre, ka ndaluar në mes të sheshit “Nënë Tereza”, me tre makina, rektorin aktual të Universitetit, i cili e dorëzon detyrën, profesorin e nderuar Dhori Kule, dhe i kanë kërkuar në mënyrë kërcënuese, ultimative, që t’i heqë çdo mbështetje Mynyr Konit. Nuk e di nëse i kanë kërkuar apo jo më shumë se kaq, për arsye se unë, para se të vij këtu, nuk jam lidhur as me profesor Mynyr Konin dhe as me profesor Dhori Kulen, burimi është 100% i sigurt, se përndryshe unë nuk do të isha sot këtu para jush dhe as ju nuk do të ishit në zyrën time“, u shpreh Berisha.
Ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama se do të mbajë përgjegjësi nëse i ndodh diçka profesor Konit.
“Për të paralajmëruar Edi Ramën, se në rast se një qime floku, pëson akademiku Mynyr Koni, ose djali i tij, akademiku Dhori Kule ose familjarët e tij, ose cilido akademik në garë, në mënyrë absolute ta marrë si ultimatum, do të përgjigjet ai personalisht dhe as Gregu dhe askush tjetër. Do të përgjigjet në mënyrë personale, në proporcion absolut me atë që do pësojë akademiku, sepse kjo kështu siç ecën, ky këtë kërkon. Ky bandit. Po çfarë ti thuash këtij! Ju ndërsen bandat e tij akademikëve! Atëherë ata do të kenë një mbrojtje të plotë nga qytetarët e Tiranës, tha ish kryetari i PD, Sali Berisha.
Reagon kandidati Koni: Jam në garë
Pas deklaratës së ish-kryeministri Berisha se kandidati për rektor Mynyr Koni është kërcënuar, ka reaguar ky i fundit, duke u shprehur se vijon të jetë në garë.
“Unë, kandidati Mynyr Koni, deklaroj që vazhdoj të jem në garë për postin e rektorit të Universitetit të Tiranës. I kërkoj studentëve dhe stafit akademik që sëbashku ta çojmë përpara këtë proces zgjedhor me urtësinë dhe zgjuarsinë që karakterizon botën tonë akademike,” deklaron Koni./Shqiptarja.com