Home KRYESORE DETAJET-EKSKLUZIVE / BIZNESMENI QË DENONCOI SHULLAZIN ËSHTË SHTETAS AMERIKAN

DETAJET-EKSKLUZIVE / BIZNESMENI QË DENONCOI SHULLAZIN ËSHTË SHTETAS AMERIKAN

Denoncimi i biznesmenit Arjan Zika ka qenë një nga pikat kyçe të hetimit delikat ndaj Emiljano Shullazit.

Në shkurt 2016 një garazhi në pronësi të këtij shtetasi ju vu bombë ndërsa pak kohë më vonë Zika ka deponuar.

Deponimi i tij është trajtuar me ekstra-procedurë nga një bërthamë shumë e ngushtë njerëzish në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Prokurorinë e Përgjithshme.

Fill pas deponimit shtetasi Arjan Zika është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

HashtagAL ka mësuar se Zika është shtetas shqiptaro-amerikan; dhe mban dy emra; ai njihet dhe me emrin Jani Zerka.

Nënshtetësia e tij amerikane i ka krijuar denoncuesit një koracë mbrojtje të dyfishtë; Zika ishte dhe në vëmendjen e autoriteteve të SHBA; ndonëse hetimi i rastit të tij ka qenë ekskluzivitet i një grupi të ngushtë specialistësh shqiptarë.

Zika ka qenë i pari person që ka regjistruar një kallëzim për kanosje dhe gjobëvënie ndaj Emiljano Shullazit; por nuk ka qenë i vetmi i kanosur për të cilin grupi i prokurorëve dhe SHISH-i kishin dijeni.

Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se në fillim të vitit 2014  nisën disa këmbime informacionesh mes Prokurorisë-Policisë dhe SHISH për grupin e Shullazit; por tentativat për dokumentimin e veprimtarisë së tij kriminale dështuan.
Mes palëve nisi mosbesimi; dikush e informonte Shullazin dhe ai ishte përherë një hap para.

Ka qenë kjo arsyeja që më pas SHISH(i cili është aktori kryesor i interceptimeve speciale) të ndryshonte strategji dhe të ndiqte një ekstra-procedurë me interceptimin dhe survejimin e grupit të Shullazit.

Duket se strategjia ka funksionuar dhe sot prokuroria disponon nga SHISH një dosje voluminoze me të dhëna që dokumentojnë gjobëvënien.

Ende nuk është bërë e ditur natyra e këtyre interceptimeve ndërsa dëshmia e Arjan Zikës përfaqëson një nyje të rëndësishme proceduriale që e konkretizon pretendimin e prokurorisë.

Por përtej detajeve të aksionit konspirativ mbi interceptimin e grupit të Shullazit; skandali i vërtetë në këtë histori mbetet mosbesimi i thellë që prokuroria dhe SHISH kishin tek organet e policisë.

Ende nuk dihet nëse SHISH disponon të dhëna shtesë mbi ndikimin e Shullazit në organet e policisë. / HashtagAL

Share: