Nga Mimoza Hafizi
Të nderuar socialistë,
Referendumi që ju kërkohet të dilni e të votoni nesër nuk zhvillohet për asnjë nga shqetësimet tuaja.
As për një qeverisje më të mirë, as për vende pune e paga më të larta, as për shëndetësi e arsim më të mirë, as për administratë profesionale e të përkushtuar, Jo !
As për më tepër demokraci në organizatën tonë politike, as për karierë të merituar partiake, as për më tepër punësim në rradhët tuaja, Jo !
Ky referendum është vetëm një përpjekje e pashpresë për të legalizuar mandatin 7 vjeçar të kryetarit të partisë ! Në shkelje të plotë të traditës demokratike të PS, në shkelje të plotë të normave të një partie europiane.
Në shkelje të panumërta të Statutit e Kodit Zgjedhor të PS.
Referendum pa fushatë e pa asnjë shpjegim për ju, nga nismëtarët e organizatorët.
Proces referendar me diferencë prej mijra njerëzish mes numrit të votuesve në lista dhe numrit të votuesve të deklaruar nga selia e PS.
Proces me një serë shkeljesh të cilat i kemi denoncuar e do vazhdojmë t’i denoncojmë në ditët vijuese.
Mos u bëni pjesë e kësaj farse ! Mos lejoni t’ju përdorin ! Mos i besoni premtimeve për punësim në këmbim të një vote ! Mos u frikësoni ! Jepini vetes dinjitetin që duan t’jua nëpërkëmbin !
Vigjëloni e denonconi çdo tentativë për manipulim në këtë votim ! Çështja e Partisë Socialiste është e juaja, ajo lidhet drejtpërdrejt me fatin e familjes suaj, fëmijëve tuaj, me jetën e çdo shqiptari, antar apo jo i PS.