Home KRYESORE Dekriminalizimi i medias

Dekriminalizimi i medias

Nga Dr. Enver Bytyci

Shqiperia po kalon nje proces unik ne histori. Sapo ka filluar ajo qe quhet proces i dekriminalizimit. Ka nis me parlamentin, sepse nuk mund te behet shteti kur kriminelet bejne ligjet e tij. Ky parlament ka humbe funksionin, qellimin dhe misionin e tij. Prandaj nuk eshte me parlament.

Reforma gjyqesore po behet me dhunen e nderkombetareve per te dekriminalizuar gjykatat, prokurorine dhe policine gjyqsore, me qellim vendosjen e drejtesise ne kete vend.

Po media si pushtet i katert a eshte e inkriminuar dhe a duhet dekriminalizuar? A mund te kete sukses ky proces, nese media qendron jashte tij? Une besoj se pa dekriminalizimin e medias nuk mund te kete dekriminalizim te shoqerise e te institucioneve te shtetit.

Media shqiptare, me perjashtime te pakta, eshte produkt i te njejtes mendesie kriminale e mafioze si edhe te pushteteve te tjera. Nese politika kriminale synon pushtetin e dhunes dhe parane, te njejten ben media ne Shqiperi, te kape parane permes korrupsionit, presionit mediatik dhe daljes nga misioni i saj per t’i sherbyer opinionit publik.

Politika, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqesori i korruptuar dhe inkriminuar ka nevoje per aleate. Aleati me i vlefshem per ta eshte media, sepse ajo eshte i vetmi instrument qe shtremberon dhe manipulon realitetin, te verteten.

Nese ndjekim gjendjen ekzistuese te medias, veme re lehtesisht se media dhe pushtetet e tjera jane njesoj te kompromentuar ne korrupsion, paligjshmeri dhe kriminalitet. Vetem ne Shqiperi ndodh qe media te vendose para kameras kriminelet vrases gjakftohte te denuar ne burg per jete dhe te fyeje e neperkembe viktimat e tyre. E gjitha ne funksion te parase, politikes dhe krimit. Nje bote humane nuk evokon vrases e kriminele. Bota mediatike shqiptare bashkepunon cdo dite me kriminele te denuar e ne kerkim, thjesht per te mbrojtur boten e krimit sipas skemes “Beji pis mediatikisht te gjithe, me qellim qe publiku te mos marre vesh kurre kush eshte e kush nuk eshte kriminel, i korruptuar, hajdut, mashtrues, trafikant”.

Kete skeme e mundeson media, sepse vetem ajo ka atributin e percimit te mesazhit politik kriminal ose jo te publiku. Ne nje vend ne gjendjen tone te mjerueshme mediat do te kishin specializuar moderatoret me te mire per te mobilizuar njerezit ne protesta. Ne Shqiperi nuk ndodh kjo, edhe pse salla e parlamentit eshte mbushur me kasape, edhe pse kryeministri e percjell me garanci vrasesin kriminel ne kufi pa i vene vule ne pasaporte, edhe pse deputeti pranon krimet e tij te mohuara sistematikisht nga kryeministri.

Skandale si keto jane te paprecedenta ne historine e shteteve. Nuk ndodh diku tjeter qe shteti te coje ne polici 38 mije qytetare per mospagese energjie e nga ana tjeter te armatose dhe te mbeshtese me logjistike e polici banden me te famshme te krimit, shullazet. Ndersa mediat, akademiket e shantazhuar bejne te paditurin.

Mediat tona ende vleresojne si shtetberese aksionin e dhunes kunder varfanjakeve dhe nuk denoncojne lidhjet e shtetit me bandat e krimin.

Mark Frroku pranoi me ne fund se eshte nje politikan kriminal. Mediat prej kohe kane mobilizuar opinioniste qe te mbrojne krimet e Mark Frrokut. Keta opinioniste kane bere me fanatizem avokatine e krimit me porosi e recetat e kryeministrit. Po tani qe krimineli deputet pranoi se eshte i tille, a ndjehen sado pak bashkepunetor te tij?! A do marrin perseri keta pjese ne mbrojtjen e kriminelit politik te radhes, apo do te kerkojne ndjese?!

Nese i numrojme raste te tilla te inkriminimit te medias dhe emisioneve opininiste te tyre, do te duhej nje studim gjitheperfshires. Por ajo qe mbetet ka te beje me moralin e saj.
Misioni i medias eshte e verteta per publikun. Nderkohe per fatkeqesine tone, ky mision eshte shqetesimi i fundit per per pronaret mediatike. Shqetesimi kryesor i tyre jane parate e paligjshme, jane tenderet dhe lejet e ndertimit.

Ne vend se informacion, emisionet televizive jane shnderruar ne emisione afariste biznesi. Biznes per pronarin, biznes per drejtuesin e stafin e emisionit. Keshtu menjanohen vlerat, se ato nuk kane lidhje me biznesin. Vendin e tyre e zene antivlerat. Kjo eshte tragjedia mediatike e jona.

Nuk po shkruaj per raste konkrete kur pronaret mediatike urdherojne lincimin e njerezve deri ne lendime, fyerje e ne shkelje te te drejtave te njeriut. Pse? Sepse personi ne fjale e ndau ne dy pjese fondin e reklames, pra njeren pjese ia dha televizionit rival.
Nje analize e nje studim i thelluar do te nxirrte ne pah pse televizionet tona i mbyllen 13 emisione investigative, te cilat funksiononin para qershorit 2013.

Por mediat tona duhen vene ne lupen e investigimit dhe hetimit ligjor ne cdo pikepamje, deri te respektimi i te drejtes njerezore e profesionale te gazetareve, deri te ballfaqimi i informacionit me faktet e shtremberuara. Nga tenderet e deri te lejet e ndertimit. Procesit te verifikimit te veprimtarise mediatike ne perputhje me ligjin i duhet shkuar deri ne fund, si kusht per dekriminalizimin e medies.

Media dhe hetimi i saj duhet te jete objekt specifik i reformes gjyqesore ne Shqiperi. Pa dekriminalizimin e medies nuk do mund te arrihet jeta normale si ne nje vend e ne nje shtet normal te se drejtes.

Share: