Home KRYESORE Rasti Hoxha, drejtësia që mungon

Rasti Hoxha, drejtësia që mungon

Nga Azem Parllaku

Mirdash Hoxha, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Kukës, ishte njëri nga katër zyrtarët që Prokuroria e Kukësit, lëshoi urdhër-arrestin, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Sipas organit të akuzës, së bashku ish-kryebashkiakun Halilaj dhe me dy ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë kanë sponsorizuar ekipin e futbollit të Kukësit duke përdorur fondet e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve në varësi të institucionit. Janë plot 45 milionë lekë të reja, shumë e cila i është dhënë në formë sponsorizimi ekipit të futbollit të Kukësit.

Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një seri veprimesh fiktive, duke e regjistruar Bashkinë Kukës si aksionere në shoqërinë “Klubi i Futbolli Kukës” sh.a., për të cilën më pas kanë paguar në mënyrë të paligjshme, në formë sponsorizimi, në periudhën 2011-2015 rreth 45 milionë lekë të reja. Këtë shumë, Bashkia e Kukësit e ka siguruar, duke mos paguar kontributet shoqërore dhe shëndetësore për pjesën më të madhe të punonjësve në varësi të institucionit.

Por, cila është e vërteta në lidhje me rastin e ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Kukës, Mirdash Hoxha!?

Me datë 24 maj thotë Hoxha: “U arrestova në ambientet e punës në Bashkinë e Kukësit, dhe me datë 26 maj, me vendim të Gjykatës jam në arrest shtëpie. Unë po sulmohem për një çështje që nuk ka të bëjë me mua. Bashkia Kukës ka paguar në mënyrë të pjesshme sigurimet shoqërore të punonjësve për periudhën 2009-2015, dhe kjo ka shërbyer, që ndaj meje të ngrihet akuza për shpërdorim detyre.

Mënyra e formulimit të akt-akuzës, nuk ka asnjë bazë ligjore, që e lidh me funksionin që kam mbajtur në atë kohë. Akuzohem pse nuk kam bërë bllokimin e Bashkisë Kukës në Drejtorinë e Thesarit, ndërsa lihet jashtë hetimit garanti i çdo qindarke jashtë destinacionit.

Përgjatë asaj kohe, kam përpiluar 21 shkresa drejtuar Bashkisë, Këshillit Bashkiak, të cilët janë informuar në lidhje me situatën. Po kështu me një lum shkresash i jam drejtuar Drejtorisë së Thesarit Kukës, ku i kam kërkuar të ndërpresë këtë situatë, mbasi ky institucion ka detyrimin ligjor të kontrollojë dhe të mos lejojë kalimin e pagave, pa sigurimet shoqërore, ndërkohë nuk lejon të kryhen pagesa jashtë destinacionit të miratuar nga ana e Këshillit Bashkiak.

Po kështu, me korrespondencë të rregullt, kam informuar Drejtorinë e Përgjithëshme të Tatimeve, duke kërkuar ndërhyrje për t’a ndaluar këtë situatë në Bashkinë e Kukësit”.

I përmend të gjithë shkresat sqaron më tej Hoxha, teksa; “Kur jam marrë në pyetje nga ana e Prokurorisë, kam kërkuar që kjo e fundit t’i administrojë ato, por çuditërisht edhe pse u pranua, që korrespondenca zyrtare në fjalë të administrohet, nuk u thirra më për t’u ballafaquar. Duke qenë i bindur në të vërtetën e këtij inskenimi, jam i sigurtë se; Në qoftë se do të bëhet drejtësi ndonjëherë në këtë vend, jam plotësisht i përjashtuar nga fenomeni i mospagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore të punonjësve të Bashkisë Kukës. Në detyrë si drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Kukës, për periudhën mars 2010-dhjetor 2013, e kam kryer më së miri detyrën funksionale”.

Në bjndjen e tij, Hoxha rrëfen se ai po sulmohet politikisht, madje shkon më larg, kur thotë se sulmi ndaj tij është dhe krahinor me prapavija të qarta, për të larguar vëmendjen nga përgjegjësit kryesorë të kësaj situate.

Mirdash Hoxha është një prej intelektualëve nga krahina e Gorës me kontribute të çmuara si qytetar dhe si përfaqësues i qeverisjes lokale, nëpërmjet funksioneve të ushtruara. Në opinionin publik ai njihet si njeriu korrekt i punës, si iniciator dhe promovues i projekteve për t’a zhvilluar kryeqendrën verilindore të vendit. Mirëpo, edhe pse platformat elektorale të politikës i kanë përvetësuar shumë nga idetë që Hoxha ka promovuar, po shfaqen qorras dhe shurdh ndaj rastit në fjalë.

Share: