Nga Nikolin MIRIA
Për dashurinë janë shkruar shumë libra, poezi, ese, janë thurur shumë vargje, por ajo nuk kërkohet të mbetet vetëm në të shkruar apo në fjalë, por të dhurohet e të praktikohet. Dashuria, është një nga ato virtyte për të cilat çdo njeri do të dijë, të flasë e të shkruaj. Një ndjenjë që çdo njeri e përjeton në mënyra të ndryshme. Por, a janë të gjithë të aftë të dhurojnë dashuri? Kjo është një pyetje që secili prej nesh duhet t’ia drejtojë vetes dhe t’i përgjigjet. Këtu nuk flitet për një dashuri të shkruar ose të shprehur me fjalë, por për një dashuri të vërtet dhe që dhurohet për tjetrin. Sepse, ajo është pjesë e eksperiencës njerëzore, është ajo që jetohet. Është virtyti që i jep jetës kuptim. E nga kjo arrihet të kuptohet se dashuria është një nevojë për secilin njeri, pa dallim moshe.
Ta përkufizosh dashurinë është e vështirë, sepse dashuria është një eksperiencë njerëzore e nuk ka fjalë që e përkufizon atë.
Por ajo që mund të thuhet mbi dashurinë e që përmbledh gjithçka, është fjala JETË. Mahatma Gandhi thotë: Aty ku është dashuria, aty është jeta. Kurse Tolstoi thotë: Ku është dashuria, aty është edhe Zoti. Kështu që nuk mund të kuptohet një jetë pa dashuri dhe një dashuri pa jetë, e nuk mund të kuptohet një Zot pa dashuri dhe një dashuri pa Zot. Këto janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën dhe nuk mund të shihen e nuk mund të ndjehen të ndara, Zoti, Dashuria dhe Jeta. Pra, dashuria është jetë, e jeta është dhuratë e Zotit. Është ajo që kërkohet të jetohet, dhurohet, e përjetohet çdo ditë sot e tani, e jo të presim nesër. Sepse, ajo i përket të tashmes vetëm në të tashmen është e vërtetë.
Dashuria, më shumë se një zgjedhje, është një nevojë të cilën secili njeri e ndjen në jetë. Qysh në fëmijëri shfaqet kjo nevojë e vazhdon deri sa njeriu të jetojë. Dashuria, është vullneti që nxit zhvillimin tonë shpirtëror për të arritur pjekurinë ose plotësimin e vetvetes dhe të tjerëve.
Dashuria është një nevojë që kërkohet plotësuar ashtu si gjitha nevojat tjera. Është një zbrazësi në të cilën dashuria duhet derdhur. Nevoja për dashuri, është ashtu sikur nevoja për uri, etje për kripëra apo vitamina. Ashtu sikurse njeriu nuk mund të jetojë e nuk mund të zhvillohet pa ushqim, ashtu ndodh edhe në aspektin e brendshëm që njeriu nuk mund të jetojë e të zhvillohet shpirtërisht pa dashuri. Pa dashuri, njeriu nuk mund të jetë i pasur, i shëndetshëm, i shquar, sepse ai nuk di asgjë për vlerat e brendshme. Dashuria është një nevojë shëruese. Është ajo që shëron shumë plagë.
Dashuria, është fuqia më e madhe shëruese në jetë. Ata që e lënë t’u ikë mbeten të zbrazët, sepse ajo nuk është një fenomen, mbi të cilin duhet të reflektojmë, por një nevojë e një realitet që kërkohet të jetohet. Mos të harrojmë çdo moshë ka nevojë për dashuri. Nuk u takon vetëm dy të rinjve apo dy të dashuruarve por secilit individ. Dashuria nuk i mohohet askujt, sepse secili njeri e ndjen nevojën për të qenë i dashur dhe që të dojë. Ai, nuk është gjithmonë në gjendje vetëm të dhurojë dashuri por kërkon edhe të marrë dashuri. E njeriu që do, është ai njeri që di ta dojë vetveten dhe është në gjendje të dojë edhe të tjerët.
Dashuria, është motori i formimit dhe i edukimit. Është ai motor që mban gjallë çdo marrëdhënie. Nënë Tëreza thotë: Në këtë botë ka më shumë nevojë për dashuri sesa për bukë.
Dashuria është një funksion i natyrshëm, ashtu si frymëmarrja. Shprehja e dashurisë është e nevojshme për shëndetin në çdo fazë të zhvillimit. Njeriu, pa dashuri, është pa krahë. Bota ka nevojë të pushtohet nga dashuria, e kjo varet nga çdo njeri e kërkohet nga secili prej nesh. Kur themi nga secili, kuptohet se fillon nga UNË.
Dashuria është e çmuar në vetvete, sepse nuk ka synime. Ajo ka vlerë të madhe, është gëzimi i madh është hareja në vetvete. Pa dashuri nuk ka gëzim, pa dashuri nuk ka jetë, pa dashuri njeriu lakmon diçka të panjohur, diçka të paplotësuar, diçka të zbrazët. Ajo, nuk dëshmohet më numrin e dhuratave e me fjalë të bukura, por me gjeste të mira e dhurimi të cilat flasin shumë më tepër.
Dashuria, është e çmuar sepse është një element që ndryshon sjelljen. Është ajo që e bën një transformim në mënyrë të menjëhershme. Ajo, nuk është pronë që të grumbullohet, por është rrezatim aromë që ndahet. Është ajo që jep krahë për të fluturuar si shqiponjë drejt diellit. Dashuria, është vetëm e një lloji, ajo është dashuri, e cila formohet mbi besimin e respektin reciprok. Është ajo që di të presë, është e durueshme, është vepruese. Ajo, jeton në të tashmen sot dhe tani. Ta jetojmë dashurinë do të thotë të matemi me njërën prej detyrave më të larta e të ndritura të jetës: të dhurosh veten për të mirën e tjetrit. Dashuria kërkon që të heqësh dorë nga vetja. Të lirohesh nga egoja. Ajo, është e çmuar sepse të çliron nga gjërat dhe nga vetvetja dhe të bën të lirë.
Dashuria reciproke, rrjedh nga ata individë që janë të çliruar nga vetvetja, por nëse njeriu, është i mbushur nga Ego-ja dashuria nuk qëndron, ajo zhduket, sepse dashuria dhe ego-ja nuk mund të bashkëjetojnë. Dashuria, është ajo që kërkon për t’u bërë një me tjetrin dhe me të mirën e tij. Dashuria nuk pret kthim të dashurisë. Është përvojë e përhershme e ngritjes së personalitetit të njeriut. Ajo është plotësim dhe e zmadhon qenien e njeriut sepse e mbush atë, e pasuron, nuk e zbrazë dhe nuk e varfëron. Dashuria, është shumë e shtrenjtë dhe ata që janë të aftë ta ofrojnë atë, e dinë shumë mirë se ajo duhet orientuar drejt produktivitetit me anë të vetëdisiplinimit.
William Shekspeare thotë: Dashuria është ajo kur jemi të gatshëm të japim gjithçka pa kërkuar asgjë. Kjo është dashuria për të cilën ka nevojë secili prej nesh. Dashuri do të thotë, tani.