Gjuetia e shtrigave po merr çdo ditë e më shumë një trajtë sa vjen e më çnjerëzore në Turqi. Gazetarë, analistë dhe njerëz që i kanë shprehur mendimet e tyre kështu apo ashtu, me këtë mjet komunikimi apo atë, mjafton që të krijohet një fije dyshimi, pak rëndësi ka nëse ka apo jo ndofarë baze për të dyshuar, dhe kërkohet arrestimi i tyre. Kjo është pjesa më e lehtë, sepse mund të të ndodhë që forcat e rendit të të vihen pas edhe për shkak të lidhjes familjare me ta, ose të arrestohen këta të fundit në vend të tyre. Kjo ka ndodhur sërish ditëve të fundit.
Në vend të poetit dhe shkrimtarit Ahmet Ozer arrestohet e bija me foshnjën 5-muajshe! Një ndër shënjestrat e gjuetisë së shtrigave që ka nisur në Turqi pas 15 korrikut është edhe poeti e shkrimtari turk Ahmet Ozer.
Sipas akt-akuzës, policia, me urdhër të zv. Kryeprokurori i republikës në Bakërkoy, ka shkuar në banesën e poetit turk në lagjen “Defterdar” të Ejupit në Stamboll. Ahmet Ozeri, një ndër emrat më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore turke nuk gjendej në shtëpi. Forcave të rendit derën ua hapi e bija e tij avokate. Aty, si policia, si prokuroria nënshkruan një nga praktikat më skandaloze dhe të turpshme. Prokurori kërkoi që, në mungesë të babait, të merrej e bija. Kështu, forcat e rendit ndaluan të bijën.
Mirëpo vajza e tij avokate ishte nënë e një foshnjeje 5-muajshe. Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur nga ana e presidentit nuk do të dijë as për foshnjat. Së bashku me vajzën e poetit, në polici u mor edhe vajza e vogël. Pavarësisht ankesave dhe kundërshtimeve për ditë me radhë, prokurori ende nuk e liron këtë zonjë të shoqëruar nga e bija e saj kaq e vogël!
Ky nuk është një rast sporadik, pasi menjëherë pas 15 korrikut, prokuroria, në mungesë të z. Bylent Koruxhu, analist dhe opinionist i njohur pranë të përditshmes turke “Zaman”, kërkoi arrestimin e së shoqes, e cila është nënë e pesë fëmijëve. Në mungesë të z. Ekrem Dumanllë, kryeredaktor i kësaj gazete, u arrestua shoferi i tij.
Meqë nuk patën gjetur dot z. Bylent Kenesh, kryeredaktor i së përditshmes “Today’s Zaman”, u arrestua vëllai i tij mësues; në vend të futbollistit dhe ish-deputetit të partisë “AKP”, z. Hakan Shukur, kur kryeministër i saj ishte vetë presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i morën babanë; apo si në rastin e mosgjetjes së z. Adil Oksuz, u kërkua arrestimi i një gjyqtari.
Kjo praktikë ngjan kaq e huaj për shoqërinë njerëzore të shekullit XXI. Shumë nga këta njerëz që sot shoqërohen për në polici në vend të të afërmve të tyre, deklarojnë se kanë qenë ndër të parët që dolën për të kundërshtuar grushtin e shtetit të asaj nate.