Një kollë e vazhdueshme, një plagë që nuk shërohet, rënie e pashpjegueshme në peshë dhe ndryshime në fshikzën urinare.
Mund të duken si të parrezikshme, por ekspertët këshillojnë që këto shenja të mos neglizhohen, ashtu sikurse edhe 6 ndryshime të tjera kyçe në trupin e njeriut, pasi mund të jenë tregues se jeni prekur nga kanceri.
10 shenjat kryesore janë të rrënjosura në mendjen e mjekëve dhe ekspertëve në botë, por në Ditët Botërore të Kancerit, ekspertët i kujtojnë publikut që të mos i neglizhojnë këto lloj simptomash, pasi mund të shpëtojnë jetën e tyre.
Aktualisht, 8.2 milionë njerëz në botë vdesin çdo vit nga kanceri, 4.5 milionë meshkuj dhe 3.5 milionë femra.
Prej tyre, 4 milionë vdekje janë të parakohëshme, të moshës 30 deri në 69 – vjeç.
Në shumë raste, kapja në kohë e kancerit do të thotë shpëtim të jetës.
Një sondazh i realizuar nga “Cancer Research UK”, vitin e shkuar, zbuloi se gati gjysma e atyre që shfaqnin një prej simptomave të prekjes nga kanceri, nuk bënin vizitë te mjeku, pasi i konsideronin si “të parëndësishme”.
Ndër treguesit është rënia e pashpjegueshme në peshë, që mund të sugjerojë disa lloje formash të sëmundjes, përfshirë kancerin në mëlçi.
Dhimbja e pashpjegueshme dhe e vazhdueshme mund të tregojë se vuani nga kanceri në pankreas.
Më poshtë po ju sjellim 10 simptomat e njohura globalisht si tregues të kancerit. Ekspertët këshillojnë që, nëse ndonjë pjesëtar i familjes tuaj vuan nga një prej tyre, duhet menjëherë të lini një takim tek mjeku.
1 – Kollë e vazhdueshme, shenjë se mund të vuani nga kanceri në mushkëri.
2 – Ndryshimi i një nishani, simptomë që mund të tregojë kancer të lëkurës.
3 – Çrregullime në zorrë, shenjë për prekje nga kanceri në zorrë.
4 – Një plagë që nuk shërohet, që mund të jetë shenjë e disa lloje kanceri.
5 – Vështirësi e vazhdueshme në gëlltitje, shenjë se vuani në kanceri në ezofag.
6 – Rënie e pashpjegueshme në peshë, shenjë që tregon lloje të ndryshme kanceri.
7 – Ndryshime të vazhdueshme në fshikzë, shenjë për prekjen nga kanceri në fshikzë ose në prostatë.
8 – Një kokërr/gjendër e pashpjegueshme, që sugjeron disa lloje kanceri.
9 – Dhimbje e vazhdueshme dhe e pashpjegueshme, një tregues për disa lloje kanceri.
10 – Gjakderdhje e pashpjegueshme. Simptomë që sugjeron kancer në zorrë, qafë të mitrës etj. /klan