Home KRYESORE Elita të frikësuara, bota në flakë!

Elita të frikësuara, bota në flakë!

Nga Gigi Riva

Vetëm fytyra të bardha në konventën republikane që kurorëzon Donald Trumpin, i shndërruar, madje edhe përtej qëllimeve të tij tashmë të këqija, në kampion të supremacisë, në një Amerikë që zbulon se nuk është shëruar nga virusi i ndarjes dhe urrejtjes racore, pavarësisht Presidentit me ngjyrë, ende në detyrë.

Vetëm trupa lakuriq, të poshtëruar dhe të prangosur me duart pas shpine, në pamjet e kapanoneve, ku Erdogani ka mbyllur mijëra ushtarët e grushtit të dështuar të shtetit, qoftë gulenistë (nga Fethullah Gylenit, Imami armik) qoftë kemalistë (nga Kemal Ataturku, babai i Turqisë laike): foto të mira për Twitter, që kanë jehonën e “Garage Olimpo” të gjeneralëve argjentinas, apo të të rinjve në “Salo” Pasolini.

Vetëm narcisizëm në gjysmëbustin e Mohamed Lahouaiej Bouhlelit, i cili përdori muskujt për të bërë kërdinë mes 84 njerëzve në bregdet, në Nisë. Dhe një frikë sfiduese, në fytyrën fëmijërore të Muhammed Riadit, afganit me sëpatë në trenin bavarez.

Trupat janë një shenjë identiteti, kartëvizita e parë që mund të tingëllojë si dënim, në një botë që ka përbuzje ndaj çdo dallimi, ku ai që i ndan të gjallët, është stimuli i përsëritur për të mos numëruar të vdekurit.

Nuk mund të jesh perëndimor në tokat e dominuara nga Kalifati, por as edhe në Promenade des Anglais, apo në një tren gjerman. Nuk mund të jesh zezak apo me ngjyrë para disa policëve amerikanë, në ndonjë periferi të Evropës, në Anglinë e fundosur nga Brexit-i, në vende të dominuara nga “utopia reaksionare” (të drejtën e autorit për këtë shprehje e ka Zygmunt Bauman).

Dhe mund të shkosh përtej trupave, në ndarjen diabolike (“diaballo” në greqisht = ndarje). Nuk mund të jesh shiit në Shtetin Islamik, sunit në zonat e kundërmësymjes shiite në Irak, i krishterë në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Për të mbërritur tek mendimi, tek “vrasja” politike që nxit për shkatërrmin e armikut ideologjik. Kemalistët dhe gulenistët në Turqi shpien drejt një diktature të shumicës, e legjitimuar prej alibisë së grushtit të dështuar të shtetit.

Një planet i frikësuar u kërkon udhëheqësve të vet siguri, që në thjeshtësimin e kërkimit për konsensus të menjëhershëm, përkthehet në kundërvënie të fortë: “ne” kundër “të tjerëve”. Secili në mënyrën e vet, në botën e reduktuar në një copë toke me ngjyra, pa qeverisje dhe madje edhe pa ide se si të rindërtohet, në kaosin që asgjëson institucionet mbikombëtare.

Pafuqia e OKB-së nuk është gjë e re, Evropa që nuk u bë kurrë, është gjithmonë në prag të heqjes dorë nga Shengeni, Shtetet e Bashkuara të tunduara nga neo-izolacionizmi, me ngjitjen e pabesueshme dhe të paparashikueshme (deri disa muaj më parë), të miliarderit me parukë ngjyrë kalliri. E madje edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është në dilemë nëse duhet të përjashtojë një fuqi si Rusia nga Lojërat Olimpike të nga Rio de Janeiros, për problemet e dopingut. Problem i vogël? Pyesni një herë Vladimir Putinin, se sa shumë sporti është politikë për regjimet autoritare.

Nga Italia shohim kronikën të përzihet me gjeografinë dhe shqetësimi rritet. Jemi në mes të Mesdheut, në jug të një France ku kamikazet – me rripa shpërthyes apo kamionë, pak rëndësi ka – janë bërë armiq, shenjë e dështimit të integrimit të një pjese të vogël, por shumë brutale imigrantësh të brezit të tretë. Në veri, një Austri ku do të rivotohet për shkak të manipulimeve dhe mund të fitojë një president që ka në program ngritjen e telave në Brenner.

Në lindje, Ballkani i mureve të ngritura, për bllokimin e valës së migrantëve. Ai Ballkan që për definicion është i paqetë dhe profetik, aq sa na është dashur t’i heqim pluhurin shprehjes “ballkanizim”. Pak më tej, Turqia që mund të merret, dhe jo pa arsye, si paradigma e konvulsioneve të Tokës, sepse qëndron pikërisht në një prej vijave ndarëse të saj. Një Erdogan gjithnjë e më larg Europës dhe standarteve të saj, që kërcënon të rikthejë dënimin me vdekje, i cili donte për Stambollin e tij, që të shndërrohej sërish në farin e Lindjes së Mesme, ashtu si kish qenë në kohën e Portës së Lartë. Donte “zero probleme me fqinjët” për të konsoliduar një hegjemoni ekonomike. Përfundoi duke patur “zero fqinjë pa probleme”, dhe për shkak të delirit autokratik, “shumë probleme brenda kufijve”, mes ringjalljes së independentizmit kurd, kundërshtimit të laikëve ndaj një shteti gjithnjë e më fetar, bombave që i vijnë nga një kalifat i përkëdhelur, e më pas i braktisur në orën e njëzetetretë.

Ai e di që është jetik për ekuilibrat e NATO-s ku bën pjesë, e megjithatë, as edhe ky pozicion nuk është ombrellë e mjaftueshme për ta shpëtuar nga shigjetat e një Uashingtoni të shqetësuar, për paqartësitë, imponimet dhe tani revanshin ndaj kundërshtarëve, revansh që ka aromën e hakmarrjes mizore.

E megjithatë, pa Turqinë nuk bëjmë dot, për të fituar atë që mbetet, nëna e të gjithë betejave. Duke bërë si të palëkundur, por në të vërtetë duke shpërfaqur gjithë dobësinë tonë, kemi qenë të brishtë në luftën kundër Shtetit Islamik, kërcënimi ynë kryesor. Koalicioni e ka reduktuar territorin nën kontrollin e Abu Bakr al Baghdadit, por e shtyn vazhdimisht sulmin vendimtar ndaj bastioneve të Raqqas dhe Mosulit.

Për sa kohë që do të rezistojnë, do të vazhdojë ëndrra e një atdheu, një parajse tokësore për t’u sakrifikuar, për mijëra të rinj që nuk janë domosdoshmërisht islamistë, por sigurisht të radikalizuar nga një ideologji e pranishme në tregun politik, e cila u premton atyre një shpengim nëse janë në nevojë, një protagonizëm nëse janë të kamur.

Vënë në dispozicion vetveten dhe kështu rikthehemi tek trupat, këtë herë të përdorur si armë vdekjeprurëse, me çmimin e shpërbërjes së tyre. Çrrënjosja e Shtetit Islamik, sigurisht që nuk do e zgjidhte problemin e terrorizmit. Do të prodhohej një diasporë e rrezikshme, që megjithatë nuk do ta kishte më kokën e Hidrës. Pak a shumë si ndodhi me al Kaedën, pasi iu hoq vendstrehimi i sigurtë në territorin afgan.

Por sulmi final tremb Europën, tremb edhe Francën që e kishte premtuar, që pas atentatit në Bataclan në 13 nëntor 2015, por u tërhoq, nën frikën e rikthimit në atdhe të arkëmorteve me ushtarë, gjë që do të hidhte në erë konsensusin mes palëve. Për momentin gjen të padisponueshme SHBA, e angazhuar në fushatën elektorale për Shtëpinë e Bardhë, dhe më pas, do të shohim. Ndërsa ushtritë e rajonit, nuk janë ende gati të përdoren.

Udhëheqës aspak largpamës preferojnë të provojnë fatin në zgjedhjet e ardhshme, në vend që të mbahen mend për një lëvizje të guximshme, e dënuar ndoshta nga kronika e ditës, por e vlerësuar nga historia. Një pjesë e problemit qëndron këtu, në frikën e elitave të shkëputura prej popujve. Nga kaosi i madh dilet hap pas hapi. Shkatërrimi i Shtetit Islamik është hapi i parë. /L’Espresso/bota.al

Share: