Home KRYESORE Konflikt i ri ushtarak Rusi Ukraine…?

Konflikt i ri ushtarak Rusi Ukraine…?

Dy vjet pasi Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin aneksoi Krimenë dhe filloi destabilizimin e Ukrainës lindore, tensionet po rriten përsëri, teksa lajmet sugjerojnë që ai mund të jetë duke u përgatitur për një tjetër konfrontim ushtarak me qeverinë pro-perëndimore në Kiev.

Duke pasur parasysh kapacitetin e tij të pafundëm për frikësim dhe paparashikueshmëri, është e mundur që zoti Putin thjesht po krijon kërcënimin e një krize, në mënyrë që të forcojë pozicionin e tij diplomatik, dhe të nxjerrë Rusinë nga sanksionet ekonomike, të vendosura nga perëndimorët në fillim të vitit 2014.

Megjithatë, pavarësisht nga qëllimet e tij, provokimet, reale apo të imagjinuara, mund të dalin jashtë kontrollit. Është thelbësore për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara që të ruajnë sanksionet, dhe t’i kujtojnë Putinit, se ato nuk do të hiqen, deri kur ai të ndihmojë për të sjellë paqe në Ukrainë.

Armëpushimi i dakordësuar 18 muaj më parë midis forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, është gërryer vazhdimisht. Komentet e fundit të Putinit, vetëm sa e kanë shtuar tensionin. Javën e kaluar ai akuzoi Ukrainën për planifikim të sulmeve terroriste në Krime dhe tha se një konfrontim me “sabotatorë” ukrainas, kishte çuar në vdekjen e dy ushtarakëve rusë në qytetin e Armyanskut.

Qëllimeve të Putinit, u shtohen shqetësimet e një shtimi të pranisë ushtarake, që filloi në maj me vendosjen e forcave dhe armëve shtesë, pranë kufirit verior, lindor dhe jugor të Ukrainës.

Për momentin, dipomatët janë gati të vënë bast se ajo që kërkon Putini, është një marrëveshje më e mirë. Me Evropën të fokusuar në një krizë refugjatësh dhe daljen e Britanisë nga BE, ndërkohë që Amerika është e zënë me zgjedhjet presidenciale, kjo është tamam koha për të rritur pak tensionet, e madje edhe shtuar kërcënimin për një luftë më të gjerë, për të arritur ata që janë, në thelb, objektiva ekonomike dhe politike.

Ndër këto është amendimi i Marrëveshjes së Minskut II (2015), e cila supozohej se do të sillte një armëpushim të përhershëm, një tërheqje të trupave dhe armëve të rënda nga pikat kyçe në zonën e konfliktit, si dhe reforma politike në Ukrainë, duke përfshirë zgjedhjet.

Bashkimi Evropian pritet të rinovojë sanksionet në fund të këtij viti, por disa vende si Italia janë të etur për të rifilluar aktivitetin ekonomik me Rusinë, dhe të mos presin që marrëveshja e Minskut të zbatohet plotësisht. Putini, i cili po llogarit se disa do të jepen, nuk mund të shpërblehet për agresionin e tij. /NYT – Bota.al

Share: