Ish presidenti i republikës, është vënë në furinë e një sulmi të organizuar nga mediat pranë qeverisë. Akuzat kundër tij janë banale. Pse një gazetë pranë Metës e emëroi si kryeministrin e një qeverie teknike. Pse ai guxoi të konsumojë një drekë me shefin e LSI-së dhe me mikun e tij të ri Kokëdhimën. Pse ai është i mërzitur se rilindja i hoqi të birin nga puna. Dhe më në fund, siç shkruante një portal shumë pranë zyrës së shtypit të kryeministrit, se ai po përdor Koçon si zëdhënës!!!
E çuditshmja është se të gjithë këta kritikë të Meidanit e shigjetojnë sot atë për faktin se ai drekoi me ish njeriun më të afërt të Ramës dhe me bashkëkryetarin e koalicionit që ende e mban këtë qeveri në këmbë. Pra sipas tyre “krimi” që i lejohet Ramës (ata nuk kanë folur kurrë për këtë) qenkësh mëkat kur u kryeka dhe nga dikush tjetër. Qoftë edhe vetëm parë një gote verë.
Më shumë se kaq Meidani nuk ka bërë. Mëkati i tij i vetëm është ulja e niveli të shprehjes në një reagim të sotëm ndaj akuzatorëve të tij. Ajo nuk është e denjë as për një ish president, as për staturën që ai ka ruajtur ndër vite. Ajo me të drejtë mund ta zhgënjejë dhe Ramën që dikur deklaronte se “ndihej krenar që i ka shërbyer një republike me një president si Rexhep Mediani”.
Por vetëm kaq. Ky mëkat i vogël nuk është asgjë me atë që po na shohin sytë. Sepse denigrimi i qytetarit Meidani nuk është as më shumë e as më pak, por rikthimi i metodave më të këqia të berishizmit, kur sulmoheshin “me rob shpie” ata që guxonin të mendonin dhe vepronin kundër vullnetit të liderit.
Rasti Meidani është në fakt, kthimi i kësaj mendësie dhe klime të keqe që rilindja kish premtuar ta zhbënte. Ky është fakti më shqetësues i kësaj fushate denigruese dhe jo goditja e një personi të vetëm, qoftë ky edhe një ish president.
Këmbanat e sulmit ndaj Meidanit, janë këmbana për të gjithë që duan të dalin nga rreshti i liderit. Atyre po ju thuhet hapur: “Nuk keni parë asgjë ende”. (lapsi.al)