Për të katërtën herë me radhë, kryetari aktual i Komunës së Strugës, z. Zijadin Sela, detyrohet ta bojkotojë festivalin ndërkombëtar të poezisë që mbahet në qytetin në të cilin ai është “qytetar i parë”, në Strugë, për një arsye krejt të thjeshtë: për shkak të injorimit të gjuhës shqipe nga organizatorët e këtij festivali. Dhe, sigurisht, vepron drejt. (I mëparshmi, që qëndroi për dy mandate në krye të komunës dhe që ishte kuadër i BDI-së, nuk veproi kështu as edhe një herë të vetme). Ndërkaq, pushteti qendror i Republikës së Maqedonisë, në të cilin bën pjesë edhe një parti shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), hesht. Hesht me vite, në mënyrë maratonike dhe, natyrisht, edhe të turpshme.
E turpshme dhe për çdo gjykim është edhe sjellja e krijuesve shqiptarë nga Maqedonia (disa syresh, jo të gjithë), por edhe nga Kosova e Shqipëria, që vazhdojnë të marrin pjesë në këtë festival si të mos ndodhte asgjë, edhe pse aty fyhet dhe injorohet gjuha në të cilën shkruajnë dhe flasin ata: gjuha shqipe. Dhe përse: për shkak të një dokumenti diskriminues me emrin “statut”!
E ky “statut” ka një histori, të cilën e shoh të udhës ta (ri)rrëfej për opinionin shqiptar në cilësinë e dëshmitarit dhe të protagonistit të “ngjarjes”, jo për ndonjë arsye tjetër, por në funksion të ndreqjes së padrejtësisë dhe të daljes nga kjo gjendje absurde kolapsi, e pakëndshme, sigurisht, kur bëhet fjalë për një vlerë sublime çfarë është poezia.
Kam qenë anëtar i Këshillit Drejtues të MPS-së në vitet 2002-2004 dhe kam bërë përpjekje të mëdha, për të mos thënë edhe mbinjerëzore, për ta penguar sjelljen e këtij statuti diskriminues, por pa sukses, për shkak se më mungoi mbështetja e faktorit politik shqiptar në Maqedoni.
Ali Ahmeti nuk gjeti kohë të më priste, që do të thotë se refuzoi të takohej me mua, anëtarin e vetëm shqiptar të Këshillit Drejtues të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, në kohën kur vendosej për statutin e sotëm të këtij manifestimi letrar, sipas të cilit, nuk parashihet përdorimi i gjuhës shqipe, por vetëm i maqedonishtes dhe i anglishtes.
Ishin muajt prill-maj të vitit 2004, kur unë, si anëtar i KD të Mbrëmjeve Poetike të Strugës, luftoja (krejt vetëm) për statusin e gjuhës shqipe në këtë manifestim të njohur ndërkombëtar, në të cilin, me statutin e ri, që kërkohej të miratohej me “procedurë të shpejtuar”, gjuha shqipe përjashtohej krejtësisht nga përdorimi. Do të duhej shumë kohë e hapësirë për të treguar gjithë përpjekjet që pata pata bërë dhe kohën e energjitë që pata harxhuar për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje, por po përmendi vetëm disa syresh shkurtimisht dhe shkarazi.
Dy herë pata shkuar nga Prishtina në Tetovë dhe nga Tetova në Reçicë të Vogël, në selinë e BDI-së, për ta takuar kryetarin e BDI-së, z. Ali Ahmeti, por më kot. Zotëria e tij secilën herë ishte i zënë dhe s’kishte kohë të më priste, qoftë edhe një gjysmë ore, sado që unë nuk shkoja për punë personale, por për një çështje tejet të rëndësishme, që s’kishte të bënte fare me mua, por me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoni dhe konkretisht në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Strugë, ndërkohë që deklaronte non-stop, ashtu siç deklaron edhe sot, se do ta bënte gjuhën shqipe gjuhë zyrtare, të barabartë me maqedonishten!
Në pamundësi që ta takoja edhe herën e dytë kryetarin e BDI-së (herën e parë më patën thënë se ishte në udhëtim zyrtar, kurse të dytën – se ishte në takim me një delegacion të huaj!) ia lashë, në selinë e Partisë, dosjen me dokumente, tok me një letër të shkurtër, në të cilën e njoftoja me thelbin e problemit – statutin diskriminues të MPS-së dhe përçapjet e mia për ta ndryshuar atë, duke ia bërë me dije se lidhur me këtë çështje i kisha njoftuar edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë: zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi, ministrin e arsimit, Aziz Pollozhani, si dhe ministrin e drejtësisë, që asokohe po ashtu ishte shqiptar, Hixhet Mehmetin. “Nuk e kuptoj se përse përçapjet e mia në mbrojtje të gjuhës shqipe kanë hasur në ‘bllokadë të plotë institucionale’, madje edhe nga pala shqiptare” – i pata shkruar ndër të tjera Ali Ahmetit, i cili nuk e pa të udhës jo vetëm të më përgjigjej me shkrim, ashtu siç i isha drejtuar unë, por as të më merrte së paku në telefon, me një fjalë nuk denjoi të komunikonte fare me mua për këtë çështje. (Njësoj, si “shefi” i tyre, vepruan edhe vartësit e tij, nuk çanë kokën fare për këtë problem, që do të thotë se e injoruan krejtësisht!).
Ali Ahmeti refuzoi të takohej me mua. Musa Xhaferi dhe as shefi i tij i kabinetit, një ish-nxënës imi nga Gjimnazi i Strugës, nuk iu përgjigjën letrës sime. Hixhet Mehmeti më iku para sysh te dyert e Ministrisë, ndërsa anëtari shqiptar i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, B. Pollozhani, me të cilin kisha kontaktuar dhe e kisha konsultuar si jurist lidhur me këtë çështje, nuk ma rekomandoi dërgimin e saj në Gjykatën Kushtetuese, duke më thënë (me shkrim): “e ke theksuar mjaftueshëm këtë problem”!
Statuti i Mbrëmjeve të Poezisë në Strugë, me të cilin nuk parashihet përdorimi i gjuhës shqipe, që, me fjalë të tjera, do të thotë se ai është i ndaluar, qe aprovuar me shumicë votash: 4 me 1. (Këshilli Drejtues, alias “Upravni odbori” i MPS-së, atëbotë kishte gjithej 5 anëtarë, prej të cilëve katër maqedonas dhe një shqiptar). Vërejtjeve të mia të argumentuara kolegët maqedonas, anëtarë të Këshillit, u përgjigjeshin me fjalët: “Ne nuk jemi juristë. Organet përkatëse shtetërore – Ministria e Kulturës dhe Këshilli i Juridik pranë Presidencës – kanë dhënë këtë shpjegim: ky është manifestim ndërkombëtar dhe në të nuk parashihet përdorimi i ndonjë gjuhe tjetër, pos maqedonishtes dhe anglishtes. Njëzetpërqindëshi vlen vetëm për pushtetin lokal”.
Përpjekjet dhe ecejaket e mia për ta penguar sjelljen e këtij statuti diskriminues zgjatën rreth dy-tre muaj, në mos më shumë. Pas miratimit me mbivotim të Statutit, këtij dokumenti që cenon të drejtën elementare të shqiptarëve në Maqedoni, atë të përdorimit të gjuhës amtare dhe disa veprimeve të tjera antishqiptare të Këshillit Drejtues dhe sidomos të kryetarit të tij, Zoran Ançevski, s’më mbeti tjetër pos të jepja dorëheqjen.
Dhe ja tani pasojat: as pas 12 vjetësh nuk lejohet përdorimi i gjuhës shqipe në Festivalin e Strugës, ku këtë vit do të laurohet me “Kurorën e artë” një krijuese e madhe si kanadezja Margaretë Atvud (Margaret Atwood), si të mbahej ai në ndonjë vend ku nuk shkel këmbë shqiptari e jo në Strugën me shumicë shqiptare, ku gjuha shqipe është e lashtë po aq sa edhe lumi që kalon përmes saj, Drini i Zi. Dhe, si për ironi, vazhdon të flitet për “gjuhën universale të poezisë” dhe për të ashtuquajturat “ura të komunikimit me botën”. Çfarë talljeje me ne, që mbase edhe s’meritojmë tjetër, sepse vazhdojmë të sillemi në mënyrë të papërgjegjshme ndaj vetes, që do të thotë se vazhdojmë t’i shpërfillim paturpësisht vlerat tona dhe identitetin e dinjitetin tonë kombëtar e njerëzor./dita.al