Nga Andrea Stefani
Ndërfutja e artikujve të Nolit në debatin për luftën, me gjithë respektin që kam për Nasho Jorgaqin, është një farë abuzimi që nuk i shërben aspak zbardhjes të së vërtetës mbi atë se çfarë ka ndodhur dhe pse ka ndodhur në raportet e komunistëve me nacionalistët. Megjithatë, jemi në truallin e respektueshëm të lirisë së gjithkujt për të botuar atë që është e vlefshme. Por mendoj se është abuzim sepse synohet që palës debatuese ti kundërvihesh me një autoritet të paprekshëm si Noli pra, me një “tabu”. Është abuzim edhe sepse artikujt e Nolit që serviren, nuk i përgjigjen fare problemeve që ngre unë dhe nuk hedhin poshtë as dokumentet që përmend për t’i mbështetur ato. Dokumente që Noli s’kishte si t’i njihte sepse janë censuruar për më shumë se gjysëm shekulli.
Noli nuk gabon kur flet për bashkëpunimin e ballistëve me gjermanët por kjo nuk na thotë asgjë fare se përse figura të “Ballit” me kontribut jo vetëm familjar por edhe personal patriotik për pavarësinë e Shqipërisë u detyruan të hyjnë në bashkëpunim me pushtuesit?! Cila ishte ajo e keqe më e madhe që ata panë dhe që i bëri ti duket edhe bashkëpunimi me pushtuesin e huaj si një e keqe më e vogël? Komunizmi? Nëse i biem shkurt dhe themi që ata ishin tradhtarë të lindur apo se u bënë të tillë për shkak të ruajtjes së privilegjeve si bejlerë a bajraktarë mbetemi në ujërat e propagandës enveriste.
Por Noli gabon në vlerësimet mbi natyrën e qeverisë së Enver Hoxhës veçanërisht si sjellëse e lirisë për popullin. Nëse pranojmë se në Shqipëri kishte liri për njeriun atëherë ka qenë shumë e gabuar përmbysja e diktaturës komuniste sepse ajo nuk paska qenë një diktaturë. O diktaturë, o liri! Të dyja bashkë nuk mund të bashkëjetojnë në një shtet.
Artikujt e Nolit të shkruara në vitet ’47-49 nuk kishin si të mos vlerësonin faktin që qeveria komuniste arriti të vendoste stabilitet pas një periudhe lufte e kaosi. Por, Noli ose nuk ka qenë i informuar ose ka neglizhuar informacionet mbi terrorin e ushtruar për vendosjen e këtij stabiliteti. Ose e ka pranuar këtë terror si një kosto të pashmangshme për stabilitetin. Ka shumë mundësi të jetë kjo e fundit. Dhe ja sepse:
Dihet që Noli ka shfaqur adhurim për qeverinë bolshevike të Enver Hoxhës. Madje është shprehur edhe më me superlativa se këto që i ka servirur “Dita”-s Nasho Jorgaqi. Nga i vinte ky adhurim për diktaturën këtij vigani liberator që, për më tepër, jetonte në SHBA? Nuk shpjegohet vetëm me faktin që kish prirje të majta. Mendoj se më shumë ka ndikuar përvoja e tij e hidhur në krye të qeverisë së tij jetëshkurtër. Për këtë shkak, Noli ka parë tek Enver Hoxha, mesian. “Krishtin” shpëtimtar që bëri me Shqipërinë e torturuar nga kaosi, atë që ai vetë, Noli, nuk e bëri dot, vendosjen e stabilitetit me anë të dhunës.
Dhe Noli ka qenë i penduar që nuk përdori dhunën për të mbajtur pushtetin në 1924. Por më qartë, këtë pendesë ai e shpreh mjeshtërisht në vjershën e tij “Krishti me kamxhik”. Duhet ta japim të tërë këtë vjershë për lexuesin sepse psikologjia e Nolit nuk mund të zbërthehet dot pa artin e tij:
Krishti me Kamzhik
Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë
Janë shtruar sarafët’) pa shpirt e pa besë,
Tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë,
Thon’ ashtu Israelin e mbrojn’ e shpëtojnë.
Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,
Dhe shkëlqejnë në kish’ e në fron me kurorë,
Vegjëlia për ta batërdisen dhe vriten
Dhe kështu parasitët gjakpirës po rriten.
Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar
Na u ngrit gjer në kulm, dhe u-bë kryetar;
Nënë zgjedhën besnikët për vdekje lëngojnë,
Se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë.
Çdo i shenjt’ ideal, çdo shtëpi Perëndie
Ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie:
Kush fitonte më tepër, ay ishte usta,
Dhe kush nukë plaçkitte ish krejt budalla.
Kur e pa këtë zi dhe këtë erësirë,
Krisht’ i ëmbël u-ndes dhe u-bë i vështirë:
Me kamçik e me fshikull sarafët i dboj,
Dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.
Dhe Shën Pjetr’ i gëzuar ahere i tha:
“Ja tani e ke nisur tamam, or usta!
Me kërbaç e me shpatë mi ne mbretëro,
Dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto.”
“Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,
Se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar;
Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin.
Se shpirt-robi s’çlirohet askurrë pa drurin.”
Jesu Krishti s’ dëgjoi, dhe s’e mori vesh mikun.
Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,
Dhe i tha: “S’e ka fajin kurrizi, po truri,
Se lirin’ e sjell drita e mëndjes, jo druri.”
“Merr-e prapë kamçikun, Shën Pjetri u- përgjeq,
Se përndryshe kjo punë na del mos më keq.
Përkëdhel’ u kurrizin dhe do t’të besojnë,
Vraj-i, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t’adhurojnë”.
Jesu Krishti s’dëgjoj, dhe s’e mori vesh mikun.
Dhe s’u-unj përsëri që ta merrte kamçikun:
Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë,
Dhe e shëmpnë çlironjësin, fen’ e atdhenë.
Në këtë kontekst të vjershës, edhe artikujt e Nolit na japin të kuptojmë se ai qe i bindur se shqiptarët ishin shpirt-robër (edhe Konica e ka thënë këtë), të shurdhër e të marrë ndaj kishin nevojë fillimisht për dru pastaj për ndriçim truri. Noli na del kështu, në rolin e një Krishti të penduar që nuk beson më se “lirin e sjell drita e mendjes, jo druri”. Prandaj Enveri me kamxhik, i ngjason si Krishti, shpëtimtari i duhur për shqiptarët dhe atdheun. Por kohët provuan përsëri të kundërtën. Druri nuk solli lirinë. Sepse ajo vjen vetëm me ndriçimin e mëndjes. Dhe diktatura e ilzoloi trurin e disa gjeneratave shqiptare nga mendimi liberal i botës duke shkaktuar një gjymtim që po e vuajmë edhe sot e kësaj dite. Jo pak shqiptarë, nuk po arrijnë të kuptojnë atë që e shqetësonte edhe Konicën një shekull më parë, se ç’është liria e njeriut. Jo rastësisht, edhe në komentet rreth këtij debati konstatoj se shumë nga fanatikët e prekur enveristë i kërkojnë kryeredaktorit Thano të mos publikojë më shkrimet e mija sepse paskam guxuar të prek “perëndinë”, krishtin e tyre. Shkurt, nuk kuptojnë fare nga liria e tjetrit për të thënë mendimin e vet si dhe detyrimin që ata kanë për ta mbrojtur këtë liri edhe pse ai mendim për ta mund të jetë një mendim i urryer (Volter). Prandaj, si të gjithë pinjollët e diktaturave që e urrejnë mendimin ndryshe, i drejtohen për shpëtim jo lejimit por ndalimit, censurës dhe sugjerojnë që mua si gazetar të më vihet kufiri te…Thano! Nuk arrijnë të kuptojnë që Thano duke qenë vetë gazetar nuk mund t’a bëjë një gjë të tillë pa kufizuar lirinë e vetvetes. Konicën e shanin shqiptarët kur botonte në gazetën e tij gjëra që atyre s’u pëlqenin. Dhe iu vinte mirë kur botonte gjëra që iu pëlqenin. Por liria nuk është kjo. Pra, që të qarkullojë vetëm ajo që na pëlqen. Edhe këta, shpirtrobërit e sotëm, të pëlqejnë kur kritikon, të themi Berishën, por të urrejnë kur ju kritikon idhullin.
E ç’të bësh me këta, t’ju hapësh kokën me shpatë, siç thoshte Konica, dhe t’ju këllasësh në tru se ç’është liria?
Natyrisht që jo. 45 vjet diktaturë treguan se shpata dhe druri nuk emancipojnë. Ato vetëm prodhojnë shpirtrobër të cilëve:
“Përkëdhel’ u kurrizin dhe do t’të besojnë,
Vraj-i, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t’adhurojnë”.
Nuk është aspak çudi që edhe Enveri të ketë përfituar nga këto instruksione makiavelike mbi dobinë e dhunës. Dhe vërtet, aq dru ju ka dhënë Enveri shqiptarëve, dhe aq shumë ja ka shpëlarë e errësuar trurin sa edhe 30 e kusur vjet pas largimit nga kjo botë vazhdojnë ta adhurojnë si perëndi! Dritë!/dita.al