Home KRYESORE Unioni i gjyqtarëve: Vetingu të mos përdoret si presion ndaj gjyqtarëve

Unioni i gjyqtarëve: Vetingu të mos përdoret si presion ndaj gjyqtarëve

Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë përshëndet hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe fton forcat politike të votojnë sa më parë të jetë e mundur, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, ligjet organike përkatëse, pa të cilat nuk mund të jetë i mundur implementimi i këtyre ndryshimeve.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë nënvizon se, ka qenë dhe do të mbetet një ndër subjektet më të interesuara në kryerjen e kësaj reforme të thellë në sistemin e drejtësisë, e cila startoi rreth një vit e gjysmë më parë. Kontributi i UGJSH është vlerësuar maksimalisht nga Komisioni i Venecias dhe Kuvendi i Shqipërisë, pasi në Opinionin përfundimtar dhe ndryshimet Kushtetuese, gjetën vend rreth 90% e vërejtjeve dhe rekomandimeve tona.

Por, me keqardhje të madhe kujtojmë se, gjatë kësaj kohe, mbi të gjithë gjyqtarët e të gjitha shkallëve, përfshi edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, është ushtruar një presion i jashtëzakonshëm politik e mediatik, shpesh herë pa të drejtë, duke i përbuzur, fyer madje edhe kërcënuar.

Miratimi i reformës në drejtësi sanksionoi edhe fillimin e një procesi të ri kontrolli (vetting) mbi të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Ky proces, i cili do të zhvillohet tashmë mbi baza të qarta kushtetuese dhe jo sipas orientimeve të partive politike, është kërkuar dhe mirëpritur që në krye të herës nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund përbaltjes së përgjithshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, individualizimit të qartë të përgjegjësve dhe përgjegjësive dhe rindërtimit të besimit mes sistemit të drejtësisë dhe publikut.

Për pasojë, UGJSH fton të gjithë klasën politike, median dhe Shoqërinë Civile të mos e përdorë procesin e vettingut si një mjet presioni ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, që vazhdojnë të kryejnë me përkushtim detyrën e tyre kushtetuese, edhe pse nën këtë klimë aspak normale presioni.

Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë thekson edhe një herë se tashmë, procesi i vettingut është një proces kushtetues, që do të kryhet nga institucione kushtetuese, mbi bazën e parimeve të kontrollit dhe balancës, sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës dhe jo nga partitë politike, të cilat jo vetëm që nuk duhet të jenë pjesë e këtij procesi por, duhet të nxisin dhe pjesën tjetër të shoqërisë sonë, të lënë të qetë këto institucione dhe punonjësit e drejtësisë të kryejnë sa më mirë, me ndershmëri dhe përkushtim, bazuar vetëm në prova dhe fakte, detyrat e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji. (gazeta-Shqip.com)

Share: