Nga Ndue Ukaj
Amerika ka ba që andrra jonë shekullore për liri dhe pavarësi të bahet realitet. E gjithë kjo, sepse Amerika është brumosun me mësimin se “rezistenca ndaj tiranisë është detyrë ndaj Zotit.”
Ndaj, sot e përgjithmonë, duhet të jemi mirënjohës ndaj Amerikës për gjithçka kanë ba për ne: për lirinë dhe pavarësinë tonë.
Gjatë këtyre viteve të rritës së shtetit tonë, sigurisht se i kemi zhgënjye, dëshpërue e nervozue.
Pa dyshim, ata kanë pritë ma shumë nga ne.
Kanë pritë se kemi me dëftue ma shumë dashni, sinqeritet e seriozitet për vendin tonë.
Po, ata kanë pritë se kemi me qenë ma të ndërgjegjshëm dhe ma të përgjegjshëm në raport me punët tona publike. Kanë pritë se kemi m’u kujdesë ma shumë për shtetin tonë dhe rriten e tij.
Sot, kemi arsye shtesë të shpalosim diçka nga kujtesa. Po, është koha të këndellemi dhe ta kthejmë shikimin prapa.
Të mendojmë ku ishim para vitit 1999.
Amerika nuk kërkon nga ne nënshtrim, servilizëm dhe mirënjohje për hir të mirënjohjes.
Amerika kërkon nga ne: ta bëjmë Kosovën atdhe të vlerave universale, për çka ata angazhohen kudo në botë.
Amerika, parasëgjithash kërkon nga ne që ta duam vendin tonë. Ta duam atë dhe t’ bëjmë për të ma shumë se ç’mund ajo të bëjë për ne.
Në këtë mënyrë e tregojmë mirënjohjen tonë ma të mirë, ma të thellë dhe ma të sinqertë ndaj Amerikës.
Dikur, jo shumë vite ma parë, përgjëroheshim para amerikanëve që të na ndihmonin për ta fituar lirinë dhe pavarësinë.
Ata na ndihmuan. Sot jetojmë të lirë dhe të pavarur. Ndaj, duhet t’iu përvishemi punëve dhe t’i përvetësojmë vlerat amerikane për shtetin, lirinë, kulturën dhe demokracinë. Pa ekuivokë e pa hipokrizi.