Home KRYESORE Shqiptarët e çmuar nën hijen e Apostullit Pal

Shqiptarët e çmuar nën hijen e Apostullit Pal

Nga Mira Tuci (Mira Tuci)

Deri pak muaj më parë, ideja e një koncerti që mban vulën shqiptare në qytetin e qyteteve në Romë, qoftë edhe në nder të Shenjtores Shqiptare Nënë Tereza, një portret i dashur dhe i admiruar në të gjithë botën, do të tingëllonte gati utopike. Por falë Hyut gjithnjë ka njerëz dhe në këtë rast gra shqiptare si Dijana Toska që nuk dorëzohen para vështirësive potenciale ose nga ato që shpikën aty për aty nga hiçi, si e si të mos të mbërrish në destinacionin final.

Ne shpesh priremi të shohim vetëm kornizën jo pikturën e plotë apo japim gjykime bazuar mbi shtresime empirike, por po të gërmosh pak më thellë kupton se ka destin dhe përcaktime të disa njerëzve të mencur dhe pasionantë, nuk ka rastësi. Edhe ky rast është i tillë.

Koncerti i artistëve shqiptarë në nder të Nënë Terezës që u ndoq nga më shumë se 100 milionë shikues në mbarë botën e nga shumë të tjerë që po shijojnë si nektar muzikën dhe talentin shqiptar këto ditë pas koncertit ka një simbolikë vendndodhjeje. Në raportimet mediatike shqiptare koncerti u tha se zhvillohej në Vatikan apo thjesht u citua mekanikisht emri Katedralja e Shën Palit, jashtë mureve.

Por pse pikërisht kjo kishë? Mund të ishte zgjedhur dhe një tjetër “brenda mureve”….por historia na ndriçon mbi përzgjedhjen e qëlluar të saj. Madje dhe vetë Papa Francesku zgjodhi Shqipërinë dy vite më parë si zanafillë të udhëtimeve të tij Apostolike, si një rrugëtim invers i Shën Palit Apostull.

Gjuha shqipe është ndër më të lashtat dhe uniket në pemën e gjuhëve indoeuropiane….kisha ku u fol dhe këndua shqip është ndërtuar mbi varrin ku të krishterët shkonin në pelegrinazh, në përkujtim të Shën Palit, apostulli i cili ungjillizimin e Romës e nisi nga Iliria. Ndaj ai koncert dhe artistët shqiptarë i dhanë dinjitet kombit dhe gjuhës shqipe me atë interpretim të rrallë në katedralen e Shën Palit.

Citoj faqen zyrtare të Vatikanit mbi historinë mbushur plot mistere të kësaj kishe.

“Me përfundimin e persekutimeve dhe shtrirjen e akteve ligjore të tolerancës ndaj krishtërimit në zanafillë të shekullit të IV, Perandori Konstandin dha urdhër të bëheshin gërmime mbi vendet e cella memoriae ku të krishterët adhuronin kujtimin e Shën Palit Apostull, që ju pre koka mes viteve 65 – 67, nën sundimin e Neronit. E mbi këtë varr të vendosur në via Ostiense, rreth 2 km nga muret Aureliane që rrethojnë Romën, u ndërtua një Bazilikë, e shuguruar nga Papa Silvestri në vitin 324.” E rikonstruktuar dhe zmadhuar mes viteve 384 – 395, nën perandorët Teodosio, Valentiniani I II dhe Arkadi, Bazilika nuk do të reshtë të jetë objekt zbukurimesh dhe rinovimesh nga ana e Papëve. Fortifikimet kundër pushtimeve në fund të shekullit të IX, këmbanorja dhe porta bizantine e shekullit të XI, e po ashtu edhe fasada nga Pietro Cavallini në shekullin e XIII. Është momenti i artë për bazilikën më të madhe të Romës, deri në përurimin e Bazilikës së re të Shën Pjetrit në 1626. Ky vend i shenjtë pelegrinazhi për të krishterët është i famshëm për veprat e tij artistike.”

2 mijë vjet më pas historia i bën drejtësi popullit që Shën Pali ungjillizoi më herët. Zgjedh një grua të vogël në Iliridë e përmes saj ndjek një trajektore të jashtëzakonshme, ti japë dinjitet bash mu në zemër të qytetit të shkëlqyeshëm, ku prehen eshtrat e apostullit që ungjillizoi Ilirinë para se të prekte katakombet e Romës ku krishtërimi do të simbolizohej me vizatimin e shenjës e peshkut ndër portikë.

12 “apostuj”, artistë si gurë të një kurore mbretërore u rreshtuan në të artën skenë të Bazilikës së Shën Palit. Në vigjiljen e shenjtërimit të Nënë Terezës do të ishte një nga mesazhet më domethënëse që shqiptarët do ti jepnin përmes artit të gjithë atyre që na kanë cilësuar një popull emigrantësh por edhe vetvetes. “Ne kemi vlera, ne kemi art, ne kemi një shpirt bujar dhe Nënë Tereza nuk është përjashtim por fryma e harruar e këtij kombi”. Arti dhe sporti janë “produktet” më të mira që kemi eksportuar me një bujari mbresëlënëse këto dy dekada, kishte ardhur koha që të performonin së bashku në zemër të Europës, nën një Flamur, atë kuqezi dhe në një frymë, frymën e shenjtores së vogël që vinte nga Shkupi dhe që në historinë e saj personale dhe familjare ngërthen historinë e vuajtur të një kombi të copëzuar në disa shtete.

Artistët të cilët veç e veç prej vitesh bëjnë rolin e Ambasadorit të Kulturës Shqiptare pa asnjë shpërblim, përveç mirënjohjes së pjesës më të mirë të kombit, shkëlqyen në tonalitetet e gurëve të çmuar duke na bërë krenar e si rrallëherë u bënë bashkë. Në dimensionet dhe unicitetin e gjithësecilit artist, këmbanat e Shën Palit lajmëronin për një epokë të re të shqiptarëve.

Nga timbrika e zafirtë e violinës së Shkëlzen Dolit shkrirë me plotësinë e vokalit të Rita Orës e cila dukej delikate në veshjen e përkortë dhe shkëlqimin e katedrales, himni “What Child is this” nën orkestrimin e Shpëtim Saracit do të kujtonte në intro, notat epike shqiptare për tu ngjitur më tej në ojnat e një kapricio spanjolle.

Romanticiteti i fantazisë argjentinase të një mjeshtri në piano si Genc Tukici dedikuar Papa Franceskut nën drejtimin e maestro Bujar Llapaj që dukej si një vullkan i vogël mbi lexhijon e dirigjentit do të pasohej nga bukuria e një agimi shqiptar të cilin na e vizatoi zëri i tenorit Ramë Lahaj fill pasi ka shkëlqyer në Operalian e Placido Domingos.

Ermonela e diamantë ngjitet në skenë dhe orkestra I shkon pas e bindur, një dramacitet që rrënqeth shpirtin e nuk ndalet vetëm te lëkura e trupit kur ajo interpreton “Preghiera” nga Donizzetti. Me thyerjet e mprehta të një diamanti të vërtetë zëri I saj të bën totalisht për vete, të fiton të gjithën deri në një përqafim që kalon dimensionin njerëzor.

Bukurisë së një shkëmbi nën detin Jon i përgjigjet thellësia e zërit të baritonit Gëzim Myshketa, vokali i të cilit duket sikur vinte nga kohët e arta Arbnore ku Gjergj Kastrioti i printe me mencuri princave të tij. E ia lë vendin trishtimit të ëmbël të Arbëreshes për tokën e saj përtej detit në telat e violinës së Shkëlzen Dolit i cili ka një aftësi magjepsëse për të kaluar nga eleganca e Massenet tek notat më epike të së bukurës Arbëri me një lehtësi të mahnitshme.

Kulminacioni i ngjyrave të një ylberi në zërin e Elbenita Kajtazit kombinuar me tingullin parak, lahutën e Sherif Kurtit, një jehonë shekujsh që vinte e merrte trup në altarin e Bazilikës së Shën Palit ku prehen reliket e apostullit. Shpirti i Dardanisë erdhi e fluturoi në kupolën e Kishës për të mos u larguar më prej aty, shqiponja u gdhend në memorie jo vetëm në drurin e lahutës.

Sanctus Dominus zbriti mbi aurën e artistëve shqiptarë si për ti bërë vend Himnit të Nënë Terezës, Valsit Hyjnor që do të shoqëronte bijën e vogël të shqiptarëve drejt Altarit të Shenjtërve.

Loriku i betejave në fushat e gjelbra fitoi betejën me vetveten në altar teksa recitonte vargjet e Gonxhes….teksa lutej “Dua të kthehem në Shqipëri” sepse si thotë dhe Gonxhja jonë e vogël, “secili nga ne është krijuar për të bërë vepra të mëdha”. Dhe amanetin e Nënë Terezës artistët e shndërrnuan në një HYMN, dhuratë për kombin që ajo nuk e harroi kurrë edhe kur portat ia mbyllën për shumë kohë.

Soprano Inva Mula me zë prej rubini që u jep formë përjetimeve të Gonxhe Bojaxhiut teksa linte tokën e saj për në viset e largëta që i ëndërronte dhe Aleksandri i Madh në Indi, vise të cilat do ti fitonte jo me beteja por me dashuri dhe mëshirë e prej aty do të fitonte zemrat e të gjithë njerëzve vullnetmirë në të gjthë planetin….E teksa gurët e kurorës sonë më të mcuar, yjësia më e bukur e qiellit shqiptar rreshtohet nën hijen e apostullit Pal….të gjithëve ndër veshë u jehojnë fjalët e Nënë Terezës “Vetëm Dashnia do ta shpëtojë botën” e mua më jehon në veshë zëri i brendshëm se shqiptarët do ti shpëtojnë vetëm artistët e këtij kalibri plot shpirt, plot dashni e tashmë edhe lutjet e Shën Terezës së Kalkutës përzjerë me koret e engjëjve. /Marre nga faqja personale e gazetares Mira Tuci

Share: