Home KRYESORE Ja sa para depozituan shqiptarët në banka dy muajt e fundit

Ja sa para depozituan shqiptarët në banka dy muajt e fundit

Sezoni veror çdo vit ka qenë periudhë e prurjeve të mëdha të depozitave në sistemin bankar dhe as ky vit nuk po bën përjashtim.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, depozitat janë rritur si për qershorin, ashtu edhe për korrikun. Në dy muaj, totali i depozitave bankare u shtua me 4.5 miliardë lekë. Në veçanti, korriku ishte pozitiv, me një shtesë depozitash në vlerën e 3.5 miliardë lekëve, raporton Scan TV.

Ritmi vjetor i rritjes së depozitave është pozitiv, me 1.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ashtu si vitet e mëparshëm, rritja ka ardhur pothuajse e gjitha nga depozitat në valutë.

Kjo duket se lidhet me flukset e shtuara hyrëse të parasë nga emigrantët dhe nga turistët. Pavarësisht normave të ulëta të interesit, klientët vijojnë të shtojnë depozitat në sistemin bankar. Sidomos emigrantët ende mund të gjejnë një zgjidhje më të mirë te bankat shqiptare, që, së paku, në shumicën e tyre ofrojnë interesa nominale pozitive.

Në Eurozonë, interesat e depozitave janë edhe më të ulëta dhe, duke shtuar koston e komisioneve, praktikisht mbajtja e parave në banka ka kosto. Shumica e familjeve vazhdojnë t’u besojnë bankave kursimet e tyre dhe kjo e mban sistemin bankar në një gjendje mëse komode likuiditeti.

Tashmë, problemi po bëhet gjithnjë e më shumë menaxhimi këtyre likuiditeteve, në kushtet kur kreditimi ngelet i dobët dhe alternativat e tjera, sidomos për euron, janë të pakta./Opinion.al

Share: