Rritja e kredive të këqia ka ardhur për shkak të abuzimeve që bëhen nga bankat duke qënë ato të vetmet gjeneruese të kredive me probleme.
Kanë qënë deputetët e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, gjatë diskutimit të ligjit të falimentit, që akuzuan punonjësit e bankave si përgjegjësit kryesorë të shtimit të kredive të këqia.
Kreu i Komisionit Fatmir Xhafaj u shpreh se ndryshimet e ligjit nuk e zgjidhin problemin e kredive të këqia, pasi përgjegjës për to janë oficerët e kredive, të cilët kanë përfituar financiarisht nga procesi.
“Argumentet që dhatë ju nuk janë bindëse se është e vërtetë që mund të bëni 1,2 apo 3 ankande, mund të ulni 20 apo 30% vlerën, por problemi i kredive të këqia me këto masa nuk arrin të zgjidhet protësisht.
Kjo sepse në vlerësimin e parë të pronës, banka me aksionerët e saj mund t’i kenë politikat të shëndetshme por njerëzit që janë aty në banka janë bërë milionerë me këtë më shumë sesa debitori vetë për shkak të këtyre proceseve,” u shpreh Xhafaj.
Sipas deputetëve, nuk ka asnjë akuzë për drejtuesit e bankave se përse janë dhënë krei kur nuk duhej të jepeshin./Gazeta shqiptare