Nga Arian Galdini
Në Shqipëri duhet të mbledhim mendjen njëherë e mirë dhe të biem të gjithë në një mendje që ti asgjësojmë zgjedhjet dhe votimet të cilitdo lloji e niveli, si funksion demokratik ku populli apo përfaqësuesi i popullit shpreh vullnetin e tij. Nuk kemi pse organizojmë më zgjedhje parlamentare apo të pushtetit vendor. Nuk kemi pse organizojmë më votime ligjesh, institucionesh, çështjesh apo përfaqësuesish në Kuvend. Nuk kemi pse organizojmë më votime në Këshilla Bashkiakë apo Qarku. Nuk kemi pse organizojmë më votime në Trupa Gjykues apo në Borde, etj, etj.
Kështu si po shkojnë punët në këtë vendin tonë, kot harxhojmë kohë me organizime zgjedhjesh e votimesh që na shkatërrojnë nervat, prishin qetësinë, na ushqejnë shpresa të rrejshme, na shpenzojnë duartrokitje, brohoritje, ndikime, ndërhyrje, biseda të gjata, bojë gazetash, valë televizive, e kështu me rradhë.
Pas kësaj që ndodhi në Dibër, unë propozoj që në Shqipëri të ngremë një institucion të ri të llojit tonë alla-shqiptarçe e ta quajmë: Panairi i votave.
Do të jetë më mirë që në Panairin e votave të vijnë të gjithë Udhëheqës-ustallarët bashkë me xhahilët e cubat e tyre me thasët me para, miell, vende pune, tendera, bursa ekselence, etj, etj, që ti blejnë hapur dhe publikisht votat e qytetarëve, votat e deputetëve, votat e këshilltarëve bashkiakë, apo edhe votat e këshilltarëve të qarkut.
Le ti blejnë hapur sidomos votat e deputetëve.
Panairi i votave është zgjidhja që së paku të mos na vijë më turp për çfarë po ndodh çdo ditë në këtë vendin tonë të gjorë.
I mirëkuptoj plotësisht Udhëheqës-ustallarët tanë kur këmbëngulin plot pathos që në Shqipëri të ketë zgjedhje dhe votime të fshehta apo të hapura.
Sinqerisht që i mirëkuptoj. Atyre u nevojitet kaq shumë formaliteti i ushtrimit të zgjedhjeve dhe votimeve ngase kjo është e vetmja mënyrë që ata ta sigurojnë renditjen e vendit që ata udhëheqin, në listat e vendeve me demokraci funksionale.
Nuk ka rëndësi sesi zhvillohen zgjedhjet, rëndësi ka që të zhvillohen.
Ato do të jenë gjithsesi më të mira se të mëparshmet, apo më të mirat e bëra ndonjëherë, ose thjesht transparente dhe konkurruese. Kaq mjafton.
Nuk ka rëndësi se si bëhen votimet në Kuvend, Këshilla Bashkiakë, Qarku, apo Borde Institucionesh shtetërore, rëndësi ka që të ketë votime.
Po u ushtrua formaliteti i zgjedhjeve dhe votimeve, Shqipëria e Udhëheqësive Politike e bën gjumin të qetë në ‘Hotel Demokracia Funksionale’. Zgjedhjet dhe votimet u vyejnë udhëheqësive tona politike sepse nëpërmjet marifetit të zgjedhjeve dhe votimeve ata ndërluftojnë e ndërkryen me njëri-tjetrin, ia fusin njëri-tjetrit, dashurohen me njëri-tjetrin, xhelozohen me njëri-tjetrin, urrehen me njëri-tjetrin, pasurohen me njëri-tjetrin, etj, etj.
Zgjedhjet dhe votimet janë bërë për udhëheqësitë tona politike si momenti fatlum i Brutit kur nën epshin vrastar të pushtetit i nguli thikën Cezarit.
Veçse figurativisht në mendjen time Cezari Sovran është populli dhe qytetarët shqiptarë, ndërsa Bruti janë udhëheqësitë tona politike.
Zgjedhjet dhe votimet janë bërë për udhëheqësitë tona si domosdoshmëri pothuajse të njëvlefshme me vajosjen e bravave e të dyerve të mbyllura prej dekadash.
Dyert e mbyllura dhe bravat e papërdorura kanë nevojën e herëpas-herëshme të hapen dhe vajosen që të fshihet e mos ndihet zhurma gërvishtëse e ndryshkjes dhe vjetërsimit.
Kësisoj edhe arkitektët e demokracisë funksionale shqiptare si demokraci me dyer të mbyllura, ia dinë vlerën formalitetit të zgjedhjeve dhe votimeve si shtegzgjidhja për ta mbajtur lojën nën kontroll.
Sepse ta themi e shkruajmë hapur me bojë të zezë dhe me zë të lartë, sot e për çdo ditë, se ushtrimi formal i zgjedhjeve dhe votimeve në Republikën e Shqipërisë, u vlen për shumë pak ose nuk u vlen për asgjë qytetarëve shqiptarë, përveçse u vlen paçmueshmërisht udhëheqësive politike dhe parive të tyre intelektuale, mediatike dhe financiare.
Ne qytetarët e thjeshtë, të ndershëm dhe të dobët shqiptarë nuk kemi asnjë shans të ndryshojmë ndonjë gjë me votat tona.
Udhëheqësitë tona të cilat vuajnë masivisht nga Kompleksi i Brutit, kane 25 – 26 vite që e shndërrojnë ditën e zgjedhjeve në një ditë kasaphane për ëndrrat, aspiratat, dëshirat, shpresat, lirinë dhe vullnetet e qytetarëve shqiptarë.
Luftrat e brendshme mes udhëheqësive politike dhe parive të tyre intelektuale, mediatike dhe financiare, janë plandosur mbi kurrizin e tejlodhur dhe mbisqullur të qytetarëve shqiptarë si detyrim përditor të cilin u duhet ta kapërdijnë në çdo shtëpi, kafene, thashethemnajë, gazetë, ekran televiziv, shesh, qoshe, etj, për ta ligjësuar paskëtaj me anën e votave që vidhen, tjetërsohen, blihen, apo keqnumërohen.
E gjithë kjo industri brutiane ka hapur mijëra fronte pune për kriminelë elektoralë tek të gjitha partitë e mëdha apo të vogla.
Sapo nis fushata, të parët që ngrenë çadrat në terren janë horrat, batakçinjtë, cubat, hajdutët, xhepistat, trafikantët, kanabistët.
Këta janë operatorët kryesorë elektoralë.
Pastaj vijnë fetarët që shesin vota besimtarësh me para të thata në dorë, pa patur fare as droje e as frikë nga Zoti i Gjithëpushtetshëm.
Derisa vijmë tek mijëra komisionerë, mijëra numërues të votave të cilët ia nisin punës dhe e bitisin atë, me mendimin për të vjedhur, dëmtuar, mashtruar, blerë apo shitur njëri-tjetrin. Vini re, e kanë me njëri-tjetrin, jo me ne qytetarët. Edhe pse ata administrojnë votat tona, ne prapësprapë kemi mbaruar punë në minutën kur kemi hedhur votën brenda kutisë, më tutje ne qytetarët nuk vlejmë më asnjë grosh.
Lumenj parash, eurosh, dollarësh, karrierash të pamerituara, bursash, tenderash, kanabisi, etj, etj, vërshojnë në dhe nën tryezat e Komisionerëve dhe numëruesve të votave.
Shpërdorohen pasuri të tilla marramendëse që nëse do të shpenzoheshin drejtësisht për Shqipërinë dhe shqiptarët, atëherë krejt ndryshe do të kishte qenë gjendja e këtij vendi të kaq shumë keqpërdorur, abuzuar, shpërfillur dhe përvuajtur.
Për më keq akoma, vërshimi i milionave që kjo industri brutiane investon për të masakruar qytetarin Cezar, nuk ndalet vetëm tek votimet e qytetarëve për parlamentin dhe pushtetin vendor, por marshon kryeneçësisht dhe kërcënushmërisht drejt votës së përfaqësuesve të qytetarëve dhe institucioneve të shtetit.
Industria brutiane ka shtrirë metastazat e saj tek votat e përfaqësuesve të popullit në Kuvend, në këshillat bashkiakë dhe të qarkut, por edhe tek votat që japin drejtësi në trupat gjykuese, apo marrin vendime tek Bordet e Institucioneve shtetërore, etj, etj.
Kriminaliteti elektoral ashtu sikurse dhe vjedhja, mashtrimi, imoraliteti dhe amoraliteti, është shndërruar në normalitet dhe gëzon mbarëpranim në rrathët e lartë të drejtuesve politikë.
Madje kam përshtypjen se edhe debatet politike të cilat grazhdohen nga palët politike pas çdo zgjedhjeje apo votimi, nuk e kanë fare për çështje e shqetësim mbrapshtinë e kësaj industrie brutiane që po e batakos çdo ditë e më tepër realitetin e demokracisë shqiptare.
Ata debatet i kojnë me mendimin se ata janë Cezari dhe kundërshtari politik është Bruti.
Ata as që e çojnë nëpër mend ta mendojnë se qytetari, populli Sovran ka drejtësinë të jetë Cezari i vetëm në një vend demokratik.
Shqetësimi i tyre është, sesi të gjejnë marifetin që industria brutiane të vihet nën kontrollin e tyre që ti nxjerrë ata fitues.
Këta kur humbasin ndihen Cezarë të tradhëtuar, por kur mbyllin sytë ëndërrojnë të jenë Bruti.
E vërteta e hidhur në Shqipëri nuk qëndron tek fakti se Koalicioni Qeverisës është koalicion kusarësh që ka paratë dhe Opozita ka votat.
E vërteta e hidhur nuk qëndron as tek fakti se Koalicioni Qeverisës vjedh shtetin dhe privatin për të blerë votat që nuk i ka, ndërsa ne Opozita humbasim sepse votat që ne kemi janë të shoqëruara me faturën përkatëse pa TVSH. Jo.
E vërteta e hidhur qëndron tek fakti se as Koalicion Qeverisës e as ne, Opozita nuk e kemi kuptuar se votat i kanë qytetarët shqiptarë.
Koalicioni Qeverisës dhe Opozita në një vend normal demokratik, pa demokraci funksionale, por me demokraci reale të prekshme për qytetarët, nuk bëjnë as më shumë e as më pak përveçse ushtrojnë me përunjësi funksionet shërbyese drejtuese për të cilat delegohen nga qytetarët nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Vota dhe vullneti është pronësi e patjetërsueshme e qytetarit dhe vetëm e qytetarit.
Vota nuk duhet as te shitet, as te blihet, as te vidhet, por as te mbrohet.
Vota eshte e shenjte e si e tille duhet vetem te numerohet e nderohet.
Dibra është dëshmi se vota nuk mbrohet dot edhe sikur e gjithë Opozita të ngrihet në këmbë.
Vetëm një ndërhyrje rrënjësore në Kodin Zgjedhor, për të shenjtëruar, nderuar, e mbrojtur votën me ligj, mund të na japë shpresa se në 2017 mund edhe tu afrohemi zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Nëse ne si Opozitë nuk do ta bëjmë dot këtë, atëherë e kemi të kotë që shpresojmë tek qershori 2017.
Pa transformuar radikalisht Kodin Zgjedhor, të jemi të qartë e të sigurtë se zgjedhje nuk do të ketë. Do të ketë Panair votash, si 11 shtatori i Dibrës.
Arian Galdini