Home KRYESORE E shtuna përplasje Rama-Shoqëri civile

E shtuna përplasje Rama-Shoqëri civile

Nga Qamil Xhani

Kur pritej nga Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama të reflektonte për miratimin e ligjit të importit të mbetjeve ka ndodhur e kundërta. Në kulmin e pakënaqësive ndaj vendimit të Kuvendit që kaloi me 63 vota ligjin, Kryeministri zgjodhi dje të takoj biznesmenët që kanë investuar në industrinë e riciklimit.
Në bashkëbisedimin, që zgjati më shumë se tre orë, Kryeministri mbrojti vendimin për të hapur portat e vendit ndaj mbetjeve të huaja. Duke hequr çdo dyshim se ligji mund të rishikohet, Rama theksoi se ky vendim rikthen në punë biznesin e riciklimit që ishte drejt falimentimit. Përveç faktit se sipas tij, ligji krijon rreth 1 mijë vendeve pune, Rama theksoi se nuk bëhet fjalë për mbetje të rrezikshme.
Madje i krahasoi mbetjet lëndë të parë, njëlloj si gruri që përdoret për prodhimin e bukës. Rama tha se plehrat që do të sillen në Shqipëri kanë vlerë dhe kuotohen në bursën ndërkombëtare, njëlloj si gjithë mallrat e tjerë. Edi Rama dje foli prerë se nuk do të tërhiqet nga zbatimi i këtij ligji, bile foli egër ndaj atyre që e sulmojnë ligjin në fjalë. I quajti “Sharlatanë”.
Nëse shihet dialogu i Kryeministrit Rama me biznesmenët që merren me plehrat, bie në sy se të njëjtat argumente që i kundërshtonte në vitin 2013, kur ishte kundër ligjit, tashmë i mbronte si të favorshme për miratimin e tij. Nëse në 2013 deklaronte se importi i mbetjeve është i ndalur nga BE-ja, dje tha se me miratimin e ligjit plotësuam një kusht që e kërkon BE. Në 2013 deklaronte se Shqipëria nuk ka kapacitete për kontrollin e tyre në doganae, dje u shpreh se doganat dhe inspektoratet e mjedisit janë të afta të kontrolloje mbetjet e rrezikshme kimike.
Nëse në 2013 nuk kishte asnjë logjikë ekonomike për miratimin e ligjit, dje u qante hallin biznesmenëve që kanë investuar rreth 200 milionë euro në industrinë e riciklimit. Pika tjetër që u përmend disa herë nga Rama ishte hapja e vendeve të punës. Bëhet fjalë për 1 mijë deri në 2 mijë vende pune. Në vitin 2013 Rama deklaronte se vendi ka 1 milionë të papunë, nëse kësaj shifre i heq apo i shton 1 mijë persona nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Për një mijë vende pune, nuk mund të helmohen 3 milionë të tjerët që jetojnë në Shqipëri. Një mijë kundër tre milionë shqiptarëve!
Në gjithë dialogun e kryeministrit me biznesmenët binte në sy fakti se nuk kishte asnjë që e kundërshtonte. Debati për ligjin nuk është mes qeverisë dhe biznesmenëve që duan të bëjnë disa lekë më shumë dhe qeveria u dha këtë mundësi. Realisht debati është mes qeverisë dhe qytetarëve. Nëse pak ditë më parë qytetarët ishin indiferentë, tashmë janë të qartë se ligji që u miratua të enjten e kaluar është jo vetëm një mosmbajtje e pretimit nga PS, por dhe një rrezik për shëndetin e tyre. Në mos edhe mafioz si biznes.
Për këtë qëllim shoqëria civile është vënë në lëvizje për të zhvilluar protesta  kundër miratimit të ligjit. Protesta e radhës është lajmëruar ditën e shtunë dhe pritet të jetë më masivja e mbajtur nga shoqëria civile. Pak nga pak, kjo formë reagimi qytetar po merr përmasat e protestave kundër armëve kimike që u tentua të silleshin në Shqipëri në vitin 2013. Në të njëjtën mënyrë, organizatat e shoqërisë civile synojnë që të detyrojnë Kryeministrin të tërhiqet nga vendimi për importin e mbetjeve.
Por duke parë se dje Kryeministri nuk dha asnjë shenjë reflektimi, madje deklaroi se ligji do të zbatohet me çdo mënyrë, edhe protestuesit do të përpiqen me çdo mënyrë të shprehin mosaprovimin e tyre. Edhe me përballje.
Mësohet se protestuesit kanë në plan që të grumbullohen para sheshit tek kryeministria. Me parulla dhe kazanë plehrash do të fillojnë “muzikën” e plehrave dhe me pas do të vërshojnë nga bulevardi drejt vendit ku do të mblidhet asambleja e PS-së. Ndonëse do të ketë forca policie kudo ditën e shtunë protestuesit me kazanë-makina do të ecin drejt Asamblesë socialiste e cila do mblidhet pikërisht ditën e shtunë.
Gjithashtu, mësohet se disa grupe të shoqërisë civile do të jenë në ndjekje të deputetit socialist iniciues të këtij ligji Eduart Shalsi, për ta futur në kazanin e parë të rreshtit të kazanëve që do rrethojnë kryeministrinë dhe Asamblenë e PS-së. Nuk bëhet fjalë për lëndim fizik, por simbolik, shprehen burime nga protestuesit e ditës së shtunë.
Situatën e krijuar në opinion nga ligji i ri i mbetjeve po e shfrytëzon edhe Partia Demokratike. Kreu i PD-së, Lulzim Basha premtoi dje se opozita do të jetë në krah të qytetarëve për të ndalur me çdo mënyrë zbatimin e ligjit. Qytetarët, shoqëria civile dhe militantët e opozitës, pritet të sjellin jo pak tension të shtunën, kur qeverisë i duhet të mbrojë kauzën e saj të rej, plehrat.
Ligji i plehrave nuk ishte i duhuri dhe as në kohën e duhur nga Edi Rama. Ndonëse është ligj problematik nuk kishte pse ta miratonte tani para zgjedhjeve parlamentare duke i dhënë një kauzë shtesë opozitës të shfrytëzojë protestën e shoqërisë civile e cila dihet se fillon të shtunën, por nuk dihet se kur mbaron. Apo do mbarojë kur të mbarojë edhe Qeveria si qeverisje!
Kush dreqin ia futi në mendje këtë ligj Edi Ramës? Nuk i kishte keq punët deri para këtij ligji, por siç duket tek Rama po gjen vend ajo shprehja popullore :”Rriti o Zot mendjen/ thej o Zot qafen!”.
E shtuna është fillimi i fundit të qeverisë, siç mësohet nga rrjetet sociale dhe organizimi sekret që po bëhet nga të gjithë antiRamët./Koha Jone
Share: