Ndalimi nga policia i aktivistëve përbën shkelje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së protestës.
I nderuar z. Tahiri
Aleanca Kundër Importit të Plehrave mësoi sot (23 shtator 2016) për ndalimin nga policia gjatë natës të dy aktivistëve kundër importit të plehrave, Klodi Leka dhe Bislim Lakna, të cilët u kapën duke shkruar parulla.
AKIP e konsideron këtë veprim të Policisë së Shtetit të padrejtë dhe në shkelje të lirive themelore të njeriut.
AKIP dëshiron t’ju kujtojë ju si Ministër se ju vetë keni marrë pjesë në të shkuarën në shumë protesta, eksperiencë që shpresojmë t’ju ketë ndërgjegjësuar sadopak mbi rëndësinë e lirisë së ushtrimit të shprehjes dhe lirisë për të protestuar pa frikë për ndëshkim nga autoritetet.
AKIP vëren se rrugët e Shqipërisë janë të mbushura me grafite të shumëllojshme, një pjesë e të cilave, në dukje të realizuara me “autorizim” joformal nga autoritetet bashkiake, për të cilat nuk ka informacion që policia të ketë ndaluar ndokënd.
AKIP vëren se rrugët e Shqipërisë janë të mbushura me grafite të vendosura nga militantët partiakë, për të cilët nuk ka informacion të jetë ndaluar ndokush.
Për këto arsye, ndalimin selektiv të aktivistëve jopartiakë për një arsye të tillë ne e konsiderojmë shkelje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së protestës.
AKIP dëshiron t’ju vërë në dijeni se në rast se aktivistët tanë do të keqtrajtohen sërish në të ardhmen nga Policia e Shtetit, ne do t’ju konsiderojmë Ju përgjegjës moralisht, politikisht dhe ligjërisht për këto shkelje.
Mbesim në pritje të reagimit tuaj zyrtar në lidhje me këtë çështje,
Me respekt
Aleanca Kundër Importit te Plehrave