Gazeta Panorama bën me dije se PDIU po zhvillon negociatat për Ministrinë e Kulturës. Po i njëjti burim, thekson se kjo parti do të ketë edhe një zv/ministër në kabinetin qeveritar.
Pak ditë më parë, kryeministri Rama, përgjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit e tij në rrjetin social facebook, përfërcoi faktin se koalicioni qeverisës PS-LSI tashmë ka edhe një anëtar tjetër.
Drejtoritë
Përveç Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, PDIU do të ketë dhe postin e nëndrejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, ku postin tjetër të nëndrejtorit e mban LSIja. Ajo ka marrë po ashtu dhe drejtoritë rajonale të Tensionit të Lartë të OSTsë për Jugun dhe Veriun e Shqipërisë. Por shtrirja e saj në administratën e lartë prek dhe nivele më të ulëta.
PDIU do të drejtojë Doganën e Durrësit, Drejtorinë e Kontrollit të Shërbimit të Automjeteve në Tiranë, por dhe zyrën e ALUIZNIt në Tiranë për zonat rurale. Zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Dibrës, ku PDIU ka një mbështetje të madhe duke kontrolluar Këshillin Bashkiak, e kanë nxitur më shumë Kryeministrin që të shpejtojë përfshirjen e kësaj partie edhe më gjerë në administrimin e maxhorancës.
Përfaqësues të lartë të saj, duke përfshirë deputetin Aqif Rakipi, janë të instaluar prej ditësh në Dibër për të mbështetur kandidatin e PSsë për këtë bashki, Muharrem Rama. Bashkëpunimi me Partinë Drejtësi, Unitet dhe Integrim ka nisur me reformën territoriale administrative, kur maxhoranca pranoi propozimet e bëra nga kjo parti për hartën e re të bashkive.
Më pas bashkëpunimi i tyre u shtri në zgjedhjet e 2015 për pushtetin vendor, ndërsa gatishmëria e PDIUsë për të votuar Reformën në Drejtësi duket se konsolidoi edhe më shumë bashkëpunimin me PSnë dhe Kryeministrin Rama.
Nuk kanë qenë të pakta daljet publike në Kryeministrit Rama, por dhe kryetarit të Kuvendit Meta me kreun e PDIUsë dhe deputetëve të saj. Por mësohet se për ndryshimet më të fundit në nivelet e larta të administratës, kryeministri Rama është konsultuar dhe me bashkëkryetarin e koalicionit, Ilir Meta.
Ata patën dy ditë më parë një drekë pune mes tyre që ka zgjatur më shumë se një orë, ndërsa komenti i kreut të kuvendit për të nuk i prekte çështjet e koalicionit. “Jemi takuar për inaugurimin e stadiumit të Shkodrës dhe për ndeshjen me Marokun”, tha Meta. I pyetur për koalicionin, ai la të kuptonte që koalicioni nuk ka qenë ndonjëherë në diskutim.