Nga Kastriot Dervishi
Në mënyrë të kotë e me bujë të madhe, një prej dështimeve më të mëdha si mbledhja e Pezës që nisi më 16 shtator 1942, vazhdon të vlerësohet si ngjarje e madhe.
Çfarë ka qenë kjo? Kanë qenë dy faktorë që bënë këtë mbledhje: Miladin Popoviçi që drejtonte komunistët dhe që zbatonte politikën e Kominternit për “fronte të përbashkëta” dhe Abaz Kupi i cili nën porosinë britanike luftonte për të aktivizuar krahun nacionalist në një aleancë me komunistët për “front të përbashkët”.
Si Miladin Popoviçi që është ideatori kryesor, ashtu dhe Abaz Kupi luftonin të tërhiqnin sa më shumë faktorë nga vetja e tyre. Mbledhja e Pezës ishte aq qesharake saqë organet që u zgjodhën aty, nuk u mblodhën asnjëherë. U zgjodh Kamber Qafmolla kryetar i Frontit, por ky as u duk më.
Për gati një vit, i ashtuquajturi “Front” as u duk gjëkundi dhe as pati kryetar. Siç e thotë edhe E.Hoxha “as u pamë më me Abaz Kupin”. Ky falsitet “bashkimi”, “pa dallim krahine, feje e ideje” zgjati më pak se një vit. Në korrik u zgjodh i ashtuquajtur shtab i përgjithshëm.
Në fund të korrikut 1943, Abaz Kupi bëri përpjekjen e fundit që çoi në mbledhjen e Mukjes, e cila dështoi. Këtu Abaz Kupi e kuptoi se e humbi përpjekjen për të bërë aleancë me komunistët kundër pushtuesit.
Nuk ka vend fare për lavdi të madhe për mbledhjen e Pezës, siç nuk ka lavdi për mbledhjen e Mukjes. Komunistët kanë qenë fare të qartë në idenë e tyre që nuk do e ndanin pushtetin me asnjë forcë politike. Edhe dje në Pezë, u festua siç dinë komunistët, me enverë, myslimë, drapër e çekanë dhe yje të kuq.
Peza në fakt nuk ka qenë kurrë simbol i bashkimit, por i dredhisë dhe i përçarjes. Ata që në mënyrë idiote apo komuniste kapardisen nëpër lapidarë të komunizmit, le të thonë se çfarë efekti pati kjo mbledhje nga shtatori 1942 deri në gusht 1943.
Ku ishte Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar gjatë kësaj kohe? Sa beteja zhvilloi kundër pushtuesit? Dhe në fund, mos lini pa nderim edhe ideatorin kryesor të Pezës, Miladin Popovin.
Jepini çelësin e qytetit, se do ta ketë lënë ndonjë “viç” trashëgimtar andej nga Jugosllavia.