Home KRYESORE Zëri i Amerikës i rikthehet raportit konfidencial të OSBE, të publikuar nga...

Zëri i Amerikës i rikthehet raportit konfidencial të OSBE, të publikuar nga Lapsi.al

Në publikimin e raportit të Transparency International, Zëri i Amerikës, për të theksuar nivelin e lartë të pandëshkueshmërisë për rastet e korrupsionit në Shqipëri, iu referuar edhe raportit konfidencial të OSBE, të publikuar ekskluzivisht nga Lapsi.al, në shtator të vitit 2015.

Në citimin e parë që i bën këtij raportit të bujshëm, Zëri i Amerikës nënvizon faktin se në të kishte të dhëna për shkelje të ligjit nga 36 politikanë e deputetë. Ky raport u pranua si i vërtetë nga OSBE. Në të flitej për lidhje të dyshimta të deputetëve e politikanëve të nivelit të lartë, përfshirë kryeministrin Rama, ish –kryeministrin Berisha dhe kryetarin e kuvendit, Ilir Meta.

“Shqipëria ka pothuajse zero historik hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh për korrupsionin politik të nivelit të lartë. Një raport konfidencial i OSBE-së i zbuluar dhe i nxjerrë në media kohët e fundit bënte një përmbledhje të një numri të madh aludimesh të ngritura kryesisht nga media duke lidhur figura të ndryshme politike me korrupsionin ose krimin. Edhe pse nuk është opinioni zyrtar i kësaj organizate, OSBE u shpreh se dokumenti ishte i vërtetë dhe në përmbajtje ka informacion për shkelje ligji nga 36 deputetë shqiptarë, përfshirë kryeministra të mëparshëm e të tanishëm, si edhe Kryetarin e Kuvendit”, shkruan Zëri i Amerikës.

Raporti konfidencial i OSBE, i botuar ekskluzivisht nga lapsi.al, risillet në vëmendje nga Zëri i Amerikës, në kohën kur Transparency International nxjerr në pah nivelin e lartë të korrupsionit në vend dhe pandëshkueshmërinë e zyrtarëve. Po ashtu, Zëri i Amerikës i referohet këtij dokumenti në të njëjtën kohë kur ambasadori amerikan, Donald Lu, lëshoi kritika të forta për korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe lidhjet e krimit të organizuar me politikën. /Lapsi.al

Share: