Home KRYESORE Universitetet, ankthi i maturantëve do të vazhdojë edhe në fazën e dytë

Universitetet, ankthi i maturantëve do të vazhdojë edhe në fazën e dytë

Pranimi në 10 degë njëherësh i maturantëve me fat ka futur në ankth mijëra të tjerë, që ende nuk e dinë nëse do të pranohen në universitete, për shkak të formulës së komplikuar.

Por ekspertë të arsimit thanë se ankthi i pritjes do të vazhdojë për mijëra të tjerë që do të mbesin sërish jashtë listave të pranimit në universitete, sërish për shkak të formulës së re, të ligjit për arsimin.

Situata kaotike do të vazhdojë edhe pas raundit të dytë të aplikimeve në universitet do jetë po kaq kaotike. Maturantët, edhe në raundin e dytë në formularin e aplikimit do të përzgjedhin 10 degë dhe përqindja më e lartë e tyre do dalë fitues në shumë prej tyre, duke zënë kuota studimi në mënyrë fiktive.

Për ekspertin e arsimit, Fatmir Vejsiu, zgjidhja do ishte që në raundin e dytë, studentët të shpallen fitues në preferencën më të lartë, pra të ndiqet procedura e vjetër, ku Formulari i Aplikimit e kishte emrin formular A2 dhe renditja e preferencave kishte peshë.

“Zgjidhje për këtë situatë do ishte që në raundin e dytë të ndiqet rruga e viteve të mëparshme, ku kandidati të shpallet fitues në preferencën më të lartë. Pra, të renditen preferencat si në formularin A2, ku renditja kishte rëndësi të madhe”, sqaroi për mediat Vejsiu.

I njëjti ndryshim është kërkuar edhe nga maturantët gjatë dy protestave të tyre. Ndërkohë që për drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Provimit, edhe pse në raundin e dytë do të ketë sërish kuota bosh, kjo nuk përbën problem, pasi në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, përcaktohet se universitet do t’i plotësojnë kuotat bosh me studentët që janë renditur poshtë vijës së kuqe, duke respektuar renditjen e tyre./Lapsi.al

Share: