Gjatë një takimi me strukturat e PD në Gramsh, Lulzim Basha kujtoi paratë që iu dhanë përmes konçensioneve kompanisë së Vilma Nushit, duke bërë dallimin me faktin se spitalet kanë mbetur pa ilaçe.
“Muaj për muaj 1 milionë euro nga paratë tona i merr Vilma Nushi për koncesionin famëkeq të check-up-it ndërkohë nënat shtatzëna vdesin materniteteve sepse maternitetet dhe spitalet tona nuk kanë lekë të mbajnë kardiolog roje. Kurrë më parë nuk kemi patur një qeveri të tillë plaçkitëse që i merr shumicës gjithçka për t’ia dhënë pakicës.”
Basha akuzoi Ramën se kultivimi masiv i kanabisit ishte një plan i përgatitur nga ai me qëllim.
“Në këtë realitet të keqqeverisjes së gjithanshme të përkeqesimit që shënon çdo fushë të jetës, Edi Rama ka prezantuar edhe një gjëmë të madhe për shqiptarët, kriminalizimin e shtetit që i ka hapur rrugë drogës së mbjellë anembanë, drogimit të Shqipërisë. E ka bërë me ndërgjegje të plotë. Edi Rama e ka ditur. E ka bashkëplanifikuar me kriminelët që ka vënë në çdo strukturë shtetërore, se kriminalizimi i shtetit do të çonte në kanabizimin e Shqipërisë. E ka ditur dhe prandaj se ka vënë ujin në zjarr sepse për të paratë dhe pushteti është gjithçka që kanë rëndësi. Sepse për të, punë e madhe se ka papunësi, shkoni në emigracion ju tha kuksianëve para një viti, punë e madhe se ka varfëri. Po pate varfëri eja skllav në fermën e drogës së Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Përmes krimit, korrupsionit dhe varfërimit të shqiptarëve mendon se e ka ulur dhe më tej çmimin e votës dhe se me pare e korrupsionit dhe me kërcënimin e krimit do t’ia dalë të asgjësojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.”
Përmes krimit, korrupsionit dhe varfërimit të shqiptarëve, Edi Rama po perpiqet të asgjësoje zgjedhjet e lira dhe të ndershme, theksoi kreu i demokratëve, sepse zgjedhjet e lira dhe te ndershme jane fundi i pushtetit te Edi Rames.