Deputetja demokrate Irma Kopliku shpërthen ndaj kryeministrit Edi Rama. Kopliku thotë se hakmarrja e Kryeministrit ndaj Shkodrës nuk ka të ndalur ndërsa denoncon një sulm të ri politik sipas saj, atë ndaj mësuesve.
REAGIMI I PLOTË I IRMA KOPLIKUT:
Hakmarrja e Kryeministrit ndaj Shkodrës nuk ka të ndalur. Ai me sulmin e ri ndaj mësuesve të saj, me një gur, dëshiron të vrasë dy zogj: të vazhdojë të hakmerret për refuzimin që i ka bërë Shkodra, si dhe të tatojë pulsin e reagimit qytetar të mësuesve dhe komunitetit shkodran ndaj një aksioni të ri politik, të cilin synon t’a shtrijë në të gjithë Republikën.
Në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë njoftim zyrtar, të gjithë mësuesit që kanë mungesë të orëve sipas normave përkatëse, janë paguar me orëmësimore dhe jo me ditë pune. Kjo gjë është marrë vesh vetëm tani, që mësuesit u ballafaquan me mungesa, në pagat e muajit shtator.
Ky veprim është jo vetëm i pamoralshëm, por haptas edhe i kundraligjshëm. Sipas Udhëzimit nr.38, datë 06.10.2015 të Ministres së Arsimit dhe Sportit, Kreu 9, pika 2 “Vendet e lira të punës, të krijuara në fund të vitit mësimor, u ofrohen në fillim mësuesve që mbeten pa ngarkesë mësimore, apo që kërkojnë lëvizje paralele brenda njësisë arsimore vendore…”, që e thënë ndryshe, nëse kishte mësues pa ngarkesë të plotë, e ka për detyrë Drejtoria Arsimore të bëjë plotësimet përkatëse, përpara se të rekrutojë mësues nga jashtë sistemit.
Në kundërshtim me ligjin dhe udhëzimet qe kanë nxjerrë vetë, ata kanë futur në sistem më shumë se 40 mësues të rinj, militantë partiakë, që t’i kenë ushtarë të devotshëm gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Orët mësimore që u janë dhënë të emëruarve të rinj, janë marrë nga ngarkesa mësimore e mësueve që ishin në sistem, por që tani kanë filluar të paguhen më orë.
Kjo është hilja e tyre dhe me Shkodrën duan të fillojnë implementimin e këtij plani djallëzor, sepse nëse nënshtrohet Shkodra, me të tjerët (sipas tyre), e kanë më kollaj.
Kjo mënyrë veprimi ka dy qëllime: i bëhet hapur presion armatës së mësuesve që unë sot të paguaj me orë, ndërsa nesër të largoj fare nga sistemi, si dhe shpërblen paraprakisht militantët partiakë, duke i futur brenda sistemit, që t’i ketë ushtarë të bindur gjatë fushatës së ardhshme elektorale.
Premtimi për rritjen e pagave me 10 % në mars të vitit të ardhshëm një muaj para fillimit të fushatës,(kur për 3 vite me rradhë nuk janë përmbushur as indeksimet e inflacionit as detyrimet për shpërblimet e fundivitit), është një fyerje tjetër e madhe që iu bëhet gjithë mësuesve të këtij vendi dhe në këto momente tingëllon dyfish fyese për mësuesit shkodranë.
Partia Demokratike Shkodër dënon me forcë të gjithë këtë lojë të pistë politike që po bën Qeveria e Rilindjes dhe i bën thirrje që të heqë dorë nga provokimi i vazhdueshëm i komuniteti shkodran duke i kërkuar njëkohësisht të heqë dorë sa më parë nga aksioni i mbrapshtë politik për pagesën e mësuesve me orë me qëllim krijimin e hapësirave për shtimin e milintantëve partiakë në arsim.
Partia Demokratike Shkodër është e vendosur që të mbështesë fuqimisht mësuesit në të drejtat e tyre. Ajo ka qenë, është dhe do të jetë pjesë e zgjidhjes së të gjithë problemeve që ata kanë dhe do vazhdojë ti mbështesë fuqishëm në protestën e tyre kundër çdo padrejtësie ndaj tyre.