Nga Mimoza Kociu
Që në vitin 2016 të vihet në pikëpyetje e liria e fjalës në vendin që u nda formalisht nga diktatura komuniste 26 vjet më parë, duket sa e pabesueshme, aq edhe e paimagjinueshme. Po ndodh pra në Shqipërinë antare e NATO-s, në pritje për të hapur negociatat e antarësimit në Bashkimin Europian, e qytetarët e së cilës lëvizin pa viza në zonën Shengen. Prej muajit gusht të këtij viti, kur 17 vjecari Ardit Gjoklaj humbi jetën në landfillin e Sharrës në kryeqytet, teksa punonte për të ndarë plehrat nga mbetjet në turnin e natës, investigimet e medias vizive apo asaj të shkruar për punën në këtë landfill kanë pasur rezultat të ngjashëm: heshtues me hir a me pahir. Drejtorja e lajmeve e A1 News, Alida Tota u pushua nga puna ditën që u transmetua një kronikë investigative në atë landfill. Një emision televiziv “Publicus“, u mbyll një ditë para se të transmetonte një investigim po në këtë landfill, ndërsa investigimet e Birn Albania (që nuk ka “pronarë“ shqiptarë), mbi këtë rast nuk janë ribotuar nga mediat e tjera, sic ndodh zakonisht. A mund të jenë të gjitha rastësi? Duhet një dozë shumë e madhe besimi tek integriteti i aktorët e përfshirë, për t‘i trajtuar si ngjarje rastësore me objekt të njëjtë, e prapë duket e pamundur. A ka qenë censurë apo vetëcensurë mediatike? Kjo është temë që meriton një analizë të posacme një herë tjetër, por censura mbetet dhe koha po na e provon këtë.
Këtyre “rastësive“ iu shtua një element i ri këtë të mërkurë, krejt kryenec. Komisioni parlamentar i medias fton në një seancë dëgjimore Alida Totën për rastin e saj dhe e paimagjinueshmja ndodh. Parlamentarë të shumicës tërhiqen nga mbledhja, duke pamundësuar kuorumin, numrin e detyrueshëm të deputetëve që rregullorja kërkon për të zhvilluar një seancë. Dëgjesa dështon dhe si kurrë më parë deputetët dalin të komunikojnë me mediat në korridorin para komisionit. Aty nga nënkryetari i mazhorancës në komision, gazetar aktiv deri para tre vitesh, zbulohet arsyeja e dështimit të seancës. Tema e pushimit të gazetares nga puna për qeverinë konsiderohet, si mjet politik që opozita do e përdorë kundër saj. Për pasojë edhe pse e ftuar zyrtarisht gazetares, nuk i duhet krijuar mundësia për të treguar atë që ka ndodhur. I njëjti arsyetim është përsëritur nga mazhoranca edhe të nesërmen, në mbledhjen e byrosë parlamentare, duke provuar kështu se dështimi i seancës dëgjimore me gazetaren, për t’i hequr asaj mundësinë e fjalës, ka qenë i paramenduar. Aq i madh është sikleti i qeverisë për këtë cështje, sa nuk ndruhet t’i lerë të fiksuara me zë, figurë e në procesverbal këtë sjellje kaq të hapur, në cënim të të drejtës për t’u shprehur, e sanksionuar në nenin 22 të Kushtetutës, për cdo qytetar, vendas a të huaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Nuk është aspak rastësor ky qëndrim kaq i hapur e i guximshëm për një vend që monitorohet nga institucionet ndërkombëtare, që për lirinë e fjalës e medias si themele të demokracisë, kanë investuar e investojnë jo pak kohë e para‘. Eshtë zgjatimi i raportit të vështirë që ka kjo qeveri me fjalën e lirë. Nuk është e vetmja duhet pranuar, por ka një ndjeshmëri të cuditshme ndaj cdo problemi që i evidentohet edhe kur është me fakte. Me fjalë, gjeste e veprime, të gjitha të
koordinuara për të mos lejuar shprehjen e pakontrolluar të mendimit në publik. Ata që e bëjnë etiketohen si “media kazanë“ nga vetë kryeministri i vendit, që ka gjetur një term zëvendësues për të mëparshmin “këneta mediatike“.
Po si sillet vallë kreministri ynë me mediat, kur nuk është i zënë duke u përplasur publikisht me këto etiketime fyese?
Ajo që po ndodh me mediat në qeverisjen e Edi Ramës është një risi absolute, në atë që njihet si censurë e butë. Mediave u është hequr e drejta të bëjnë punën e tyre bazike: të shohin vetë cfarë ndodh, e ta raportojnë atë për teleshikuesit a lexuesit e tyre.
Institucionet në qeverisjen Rama i kanë shdërruar zyrat e shtypit në redaksi mediash, shpesh me staf më të madh se vetë redaksitë e mediave tradicionale. Me kamera, fotografë, punonjës e ish gazetarë, të gjithë për të prodhuar ditë pas dite, një apo disa lajme me të njëjtin objekt, punën madhështore të kryeministrit, me foto e filmime të përzgjedhura aq shumë, sa shpeshherë nuk të besohet se ato pamje janë në Shqipëri, në vendet a institucionet ku secili nga ne mund të shkojë cdo ditë. Kryeministri kryen vizita e takime pa njoftuar a ftuar asnjë media. Punën e medias e kryejnë këto zyra specfike me një armatë punonjësish, që paguhen për të prodhuar një material filmik, me sinkron e pamje të përzgjedhura, që i shpërndahet të gjitha mediave. Gazetarët e mediave tradicionale e marrin, dhe përgatisin me atë matërial të gatshëm, kronikën që i serviret publikut si kronikë e News 24, ABC news-it, Klan-it apo TCH-it etj, kur në fakt ajo që publiku sheh është thjesht një prodhim i institucionit, që është objekt i atij materiali. Dhe kjo ndodh pothuaj cdo ditë. E bën kryeministri, e bën kryetari i bashkisë së Tiranës, e bën edhe kryetari i opozitës, më rrallë duhet pranuar, për shembull, në turin e takimeve që ka nisur së fundmi nëpër rrethe. Përse kjo nevojë e sëmurë për të kontrolluar cdo fjalë, cdo frame që i përcillet publikut? Por kryeministri e di shumë mirë rëndësinë e pamjes së jashtme në raport me mediat, atë që duhet t’u tregojë të tjerëve. Ishte në Serbi para ca ditësh dhe mori me vete një grup gazetarësh televizivë, pa kameramanët përkatës. Teksa shihnim kryeministrin me gazetarët në krah, vetëm mediat e dinin se e vetmja kamera që filmonte atje ishte ajo e kryeministrit, dhe materialet që vinin në Tiranë për t’u transmetuar nëpër televizione, seleksionoheshin nga zyra e shtypit e qeverisë. Në dy dekada si gazetare e politikës, nuk mbaj mend të ketë ndodhur një gjë e tillë me ndonjë paraardhës të Ramës, as Fatos Nanon e as Sali Berishën.
Prodhimi i materialeve filmike nga zyrat e partisë është një praktikë që nisi nëpër fushatat elektorale nga Partia Socialiste (edhe e Nanos në 2005) e Partia Demokratike, e u përcoll me shqetësim, por pa fuqi për të ndryshuar situatën nga mediat vizive. Por me ardhjen e Ramës në pushtet, ky nuk është më një shqetësim në kohë fushate. Po bëhet model pune ku qeveria bën edhe kameramanin edhe gazetarin, në fillim rrallë e kujdesshëm, e tashmë, në mungesë të një rezistence nga mediat, është shndërruar në një proces të natyrshëm. Dhe kryeministri, njohës shumë i mirë i spin-it, e di se kjo quhet censurë, e butë, por e pastër dhe e qartë si drita e diellit.
Për pasojë heqja e të drejtës së fjalës, një gazetareje të ftuar zyrtarisht në komisionin e medias për të treguar rastin e saj, shihet si normalitet edhe nga ish gazetarë deputetë, pasi shkon në linjën e filozofisë së kësaj qeverie, fatkeqësisht e mbështetur nga ish gazetarë, e me heshtje edhe nga gazetarë, njwrwz qw paguhen pwr tw folur nw emwr tw medias, një filozofi që median e sheh si kokëcarje, një bezdi publike, por që duhet pranuar, se kështu janë rregullat e demokracisë, të cilat nuk vendosen në Tiranë.