Nga Spiten Prulli
Dy ministrat Kodheli dhe Tahiri sulmojnë indirekt ministrin Ylli Manjani për deklaratën për futjen e Ushtrisë kundër kanabisit.
Ka shkaktuar jo pak reagime deklarata e Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani për të futur ushtrinë për përballimin e situatës së krijuar në vend nga mbjellja e hashashit. Të martën, kur Ministri “hodhi bombën” që rrëzon në mënyrë fine pretendimet e Kryeministrit Rama se vendi nuk ka probleme me kanabisin. Në fillim nga mazhoranca nuk pati reagime në publik. Deklarata e Ministrit u mundua të anashkalohej me heshtje edhe pse Kryeministri u ankua tek aleati i tij, Ilir Meta për qëndrimin e Manjanit. Bile ka kërkuar largimin e tij, porse mund të rrëzohet qeveria nëse Rama ndërmerr veprime të njëanshme, sepse ministri Manjani është pjestar i LSI dhe një ndër ministrat më të mirë të qeverisë së sotme, bashkë me ministrin Tahiri dhe ministren Kodheli e ndonjë tjetër.
Por zhurma që prodhoi në opinion thirrja për të futur forcat e armatosura në parcelat me hashash nuk mund të fshihet më. Sepse veç shkrimeve në media, perceptimit në opinion dhe qëndrimeve të opozitës, tashmë është edhe një Ministër i kabinetit “Rama” që e pranon se vendi ka një problem serioz me drogën. Një problem i cili nuk mund të përballet vetëm me struktura aktuale, Polici, Prokurori, SHISH, por me mjete që përdoren në situata emergjente, siç është ushtria. Kjo deklaratë, sado personale që mund të quhet krijon një ngërç mes vetë qeverisë. Sepse nga njëra anë është Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij, që çdo ditë japin shifra ku pretendojnë se sasia e hashashit në vend nuk është e madhe dhe se Policia e Shtetit po korr sukses në luftën kundër trafiku si asnjëherë më parë. Nga ana tjetër, një ndër ministrat më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar deklaron hapur se kjo çështje kërkon zgjidhje radikale. Dhe më të drejtë lind pyetja, cilin duhet të besojnë? Kryeministrin që e quan një betejë të fituar luftën kundër drogës që me pastrimin Lazaratit në vitin 2013. Apo Ministrin e Drejtësisë që thotë se situatën e krijuar e zgjidh vetëm ushtria.
Kryeministri Edi Rama priti tre ditë në heshtje nervash, që kjo deklaratë të mos popullorizohej, si dhe nga ana tjetër nuk kishte ç’ti bënte ministrit Manjani. Ministri në fjalë njihet për qëndrimet e tij stoike dhe në kundërshtim me eunokërinë e shumicës së ministrave. Ndaj përballja me të nuk është se rrezikon një kolltuk ministri, por postin e kryeministrit. Në këtë situatë pjesa e ministrave të Partisë Socialiste ka vendosur të kundërpërgjigjet. Natyrisht me urdhër të kryeministrit. Dy ministrat Saimir Tahiri dhe Mimi Kodheli reaguan dje fort ndaj idesë së Ministrit Manjani. Më e ashpër ishte Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Përveçse e ka cilësuar jo serioz dhe jo institucional propozimin e kolegut Manjani, Ministrja nuk ka hezituar t’i kujtojë kolegut të saj se kritikat nuk bëhen nga kolltuqet dhe sallonet. “Jo vetëm e pres kritikën, por t’i jap përgjigje gjithë kritikuesve që nga sallonet dhe kolltuqet lëshojnë ndonjë batutë. Emergjenca konsiderohet në rrugë institucionale. Kushdo mund të dalë dhe të thotë kemi këtë emergjencë këtu. Është një strukturë që quhet Këshilli i Ministrave, që vendos nëse ka një emergjencë”,- deklaroi Kodheli. Pra direkt se kaq nuk kishte ndaj ministrit të Drejtësisë. Më diplomat në qëndrimin e tij ndaj Manjanit ishte Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas tij, propozimi i Ministrit të Drejtësisë është bërë për një qëllim të mirë, por ushtria nuk është zgjidhja e duhur. “E mirëkuptoj vullnetin e tij pozitiv për të bërë një propozim që shkon në adresimin e këtij fenomeni. Besoj se është një propozim i pasaktë, por hyn tek ato të dëshirës së mirë”,- tha Tahiri. Ministri Tahiri e di më mirë se kushdo se ç’po ndodh në malet e kodrat e Shqipërisë, ndaj ishte jo për sherr në qeveri. E di edhe mënyrën se si reagon Ylli Manjani, kur don të replikojë fort dhe pa mëshirë.
Megjithë gjuhën e ashpër të Kodhelit dhe diplomacinë e Tahirit, çështja që ngriti Manjani qëndron ende pezull mes koalicionit. Këtu nuk është vetëm fjala për përplasjen e përhershme PS-LSI për mënyrën sesi i shohin problemet e vendit. Mbi të gjitha, ka të bëjë dhe me kompaktësinë e kabinetit “Rama”. Me afrimin e zgjedhjeve, Qeveria do të bëjë bilancin e sukseseve dhe dështimeve. Kur palët ndahen për diçka kaq kryesore siç është krimi i organizuar dhe trafiqet, ndarja për çështje të tjera dytësore do të jetë shumë herë më e madhe.
Por pritet ardhja nga Kina e kryeparlamentarit Meta. Ai do ti vërë vulën këtij dueli ministror. Deri sa të kthehet nga Pekini bashkëdrejtuesi i Koalicionit Meta, kryeministri Rama uron me vehte të mos reagojë ministri i drejtësisë Manjani ndaj ministrave Tahiri dhe Kodheli. Nga burime të rezervuara ministri Manjani ka një kundërpërgjigje sfiduese ndaj ministres së Mbrojtjes, por ende nuk ka vendosur ta bëjë publike.
Në fund del një pyetje:A do të jetë Ylli Manjani që do të shënojë përplasjen me të fortë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës?/360grade.al