Home KRYESORE Mosbesimi ndaj institucioneve/Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë letër te hapur autoriteteve politike

Mosbesimi ndaj institucioneve/Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë letër te hapur autoriteteve politike

Me datë 24 Tetor 2016, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) në ndjekje të ecurisë së procesit të Reformës Zgjedhore, dorëzoi LETRËN E HAPUR për Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, në të cilën bën me dije gjendjen alarmante në prag të dështimit të procesit të reformës legjislative të kuadrit ligjor zgjedhor.

Të gjendur në ekstremitetet kohore qoftë edhe për një procedurë miratimi të një akti normativ të zakonshëm, është urgjent miratimi i kalendarit të punës së Komisionit Parlamentar. Kalendar, që pritet të përcaktojë me dakortësi mbipartizane se kush janë çështjet që gjykohet se mund të marrin amendime, në kontekstin kohor aktual dhe sesa ato mund të marrin zbatim në kontekstin e kapaciteteve vendase.

Nëpërmjet kësaj Letre, Koalicioni, duke rikujtuar zotimet e lidershipit më të lartë politik, iu bën thirrje anëtarëve të Komisionit që në këto rrethana jashtë të zakonshmes nevojitet të ngrihet edhe puna, transparenca si dhe vullneti i tyre, duke shfrytëzuar në tërë limitet e veta fizike 7 javëshin kohor të mbetur.

Ndër të tjera në Letër theksohet se në qasjen historike, në të vërtetë, zotimi për përmbushjen e rekomandimeve të Misioneve të OSBE-ODIHR-it në emër të vendit tonë është ndërmarrë që në Samitin e Stambollit të vitit 1999.

Ndërkohë, pas gati dy dekadash, pas 9 proceseve zgjedhore të përgjithshme, angazhimi politik vazhdon të përsërisë veten.

Ashtu si edhe rekomandimet e Misioneve të OSBE-ODIHR-it vazhdojnë të jenë të njëjta nga njëri proces në tjetrin, duke mbetur të paplotësuara sipas raporteve të vetë misioneve.

Situata aktuale duket se po i rezervon edhe këtij procesi të Reformës Zgjedhore të njëjtën vijimësi si proceset e mëparshme. Kjo në traditën përsëritëse tashmë të problematikave të vërejtura dhe rekomandimeve të bëra pas çdo procesi zgjedhor,  të zotimeve të lidershipeve për procese zgjedhore të vërtet të “lira dhe të ndershme”, si dhe të sjelljes jo institucionale të vetë Komisioneve Parlamentare.

Pamundësia kohore drejt ekstremeve, e krijuar artificialisht, po shfaq në perspektivë një dakortësi të orëve të fundit dhe njëkohësisht të mbyllur në dakortësinë e ngushtë politike.  Situatë kjo që penalizon që në fillesat e saj procesin zgjedhor të ardhshëm.   

Ndërkohë, nga ana tjetër, i rezervon humbësit të drejtën për delegjitimin e procesit zgjedhor dhe fituesit fajësinë mbi deformimin dhe aplikimin e elementëve të korrupsionit zgjedhor.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë me anë të dokumentit të Letrës së Hapur, i parashtroi Komisionit rekomandimet që gjykon se meritojnë amendime imediate në rrethanorin kohor të gjendur. Rekomandimet e paraqitura përfshijnë tre dimensionet e procesit zgjedhor (administrim, drejtësi zgjedhore dhe financat e partive politike) dhe vlerësohen si më thelbësoret në adresimin e problematikave.

Share: