Nga Dritan Shano
“Zotërinj të trupit gjykues
Nuk e di si ndodhi kjo. Si u prishën punët. Se i kishim terezitur aq mirë. Ndoshta ishte për shkak të insistimit të madh të amerikanëve. Por sa para bën. Tani jam këtu. Dhe më duhet të zbraz barkun. Dhe do ta zbraz. Çfarë thuhet vazhdimisht për mua është e vërtetë. Nuk kam ndërmend të debatoj apo diskutoj faktet e thjeshta. Sepse nuk do mjaftonte për të mbuluar përmasën e zullumit tim. Nderi kërkon më shumë se thjesht ta pranoj atë, prandaj po ofroj rrëfimin e të gjithë të vërtetës.
Për më shumë kohë se ç’duhet nuk kam qenë në gjendje të pranoj hipokrizinë time. Kam injoruar paburrërinë time, duke u fshehur volitshëm pas pozitës, e prezencës time, sa në qeverisje e aq në parlament, ne pozitë apo opozitë, apo diku midis, prezencë e cila herë ka qenë realisht, dhe herë e kam bërë të duket si kompromis politik, duke e shitur këtë sikur ishte për të mirën tuaj.
Dhe për çfarë? Për të grumbulluar pasuri dhe mbajtur pozitat pas të cilave shumica e njerëzve kapen me thonj. Në fakt, deri sot nuk më kishte shkuar mëndja të bëja ndonjë hap, le më dy a tre mbrapa. Vetëm përpara. Gjithmonë jam larë e shpëlarë në hallin e njerëzve. Me qetësi. Më shumë për të ruajtur paprekshmërinë personale dhe të pasurisë, dhe pse jo edhe për ta shtuar atë. Pra, sot qëndroj përpara jush i dënuar nga padrejtësitë e mia.
Për çfarë po flas? Për kancerin e korrupsionit dhe padrejtësisë, që vetëm rritet, shtrihet kudo. Ju të gjithë e dini për çfarë e kam fjalën. Çdonjëri prej jush i ka parasysh paratë nën dorë për kontrata shtetërore, ato 10 apo 20 përqindësha, që depozitohen në banka off-shore. Do i tregoj të gjitha këto llogari. Bankë për bankë. Për ata që s’e dinë kontratat shtetërore për rrugë, ilaçe, apo ristrukturim godine dhe palma janë para që dalin nga xhepat e çdo shqiptari në formë taksash dhe borxhi publik. Po ato para që kanë blerë makinat luksoze që përdorim pafytyrësisht; me të cilat mbajmë fëmijët jashtë Shqipërisë dhe del ndonjë gjë dhe për dashnoret, ose anasjelltas; me të cilat kemi ndërtuar vila dhe shtëpi të dyta e të treta sa në Shqipëri aq dhe në Europë. Dhe këto do ua them. Adresë për adresë. Për ato para që si ministra, deputetë, gjykatës, prokurorë, kryetarë bashkish, drejtorë të mëdhenj e të vegjël i marrim kujtdo që na kërkon t’i zgjidhim një hall, që nga ndonjë tender e deri te marrja në punë – edhe kur heqim ndonjë nga puna për t’i bërë vend militantit tonë; ku në tatime dhe dogana shikimet dhe gjuha e trupit mjaftojnë për ta thyer biznesin në dysh dhe devijuar paratë ku duam; kur japim koncesione majtas-djathtas siç qerasim miqtë gjithnjë e më të pakët kur vijnë vizitë; që si mjekë ia marrim nën dorë atij të sëmurit që do të operohet apo kurohet dhe themi se ai na i dha vetë; që si polic mezi ç’presim të kapim ndonjë në faj që ta rrjepim mirë; apo dhe si mësues a pedagog tek i bëjmë mësim pasdite në shtëpi të njëjtit nxënës që dështojmë me vetëdije ta mësojmë paradite në klasë, apo fare thjesht kur ia shesim diplomën universitare ndokujt që nuk ka mbaruar gjimnazin. Ato para me të cilat mbajmë haremin tonë të opinionistëve dhe analistëve që flasin ç’duam ne, që ju thonë fjalën e fundit para se të flini. Mos flasim për marijuanën me të cilën kemi mbjellë çdo cep të Shqipërisë, njësoj si atëherë kur çdo familje kishte firmën e vet piramidale, nganjëherë më shumë se një. Nënat dhe baballarët sot, symbyllur mbjellin vdekje në fusha e kodra, e ujisin dhe e rrisin vdekjen se i duket se prej saj do marrin jetë. I gënjen mendja. Kjo punë bëhet për para. Këto para i marrim ne, jo prindërit skllevër. Për këto para që pastaj i përdorim për të blerë votat. Se ju ndoshta nuk e dini atë ndodhinë kur një hallexhi i kërkonte deputetit të vet ndihmë dhe i tha që më ndihmo se të kam dhënë votën. Deputeti iu kthye, dhe i tha: jo o burr, ça thu o burr, votën nuk ma ke dhënë, por ta kam blerë. Kështu mbahemi në pushtet. Gjoja bëjmë reforma. Miratojmë ligje. Të mira. Si për vete. Që na bëjnë të paprekshëm, në mos të pavdekshëm. Me fis e me farë.
Ne i quajmë këto 25 si vite zhvillimi dhe prosperiteti. Shitemi sikur mbajmë rendin dhe ndalojmë kaosin, sikur sjellim paqen në konfliktet që ju keni. Ne ju kemi mbushur mendjen se çdo veprim i yni bëhet për të mirën e përgjithshme. Të familjes suaj. Të fëmijëve tuaj. Nuk ka gënjeshtra më të mëdha se këto.
Të varfrit sot po shtohen, por nuk është ekonomia e tregut që e ka ekstremizuar shoqërinë. As kapitalizmi që nuk ekziston në Shqipëri. Ne e kemi bërë. Ne e kemi krijuar pabarazinë. Atë më të tmerrshmen. Atë të mundësive. Që hyn te të drejtat e njeriut. Ne e kemi marrë peng Shqipërinë, dhe ajo deri dje bënte sikur nuk e dinte.
Ne kemi ndryshuar ligjin e gravitetit. Paraja tanimë lëviz nga poshtë-lart. Nga xhepat tuaj në duart tona. Këtë ia kemi ngulitur mirë në kokë shqiptarëve. Të mëdhenj e të vegjël. Të gjithëve ua kemi mësuar Rrugën e Parasë, ku ecën ajo në Shqipëri. Ne e prekim atë, e numërojmë, i gëzohemi dhe duam akoma më shumë. Ndërkaq, kemi hequr fare nga fjalori koncepte dhe fjalë si turpi, krimi, e drejta, e mira, e keqja, ndërsa kemi modifikuar kuptimin e fjalës vjedhje. Ajo është e tillë vetëm kur nuk e bëjmë ne, dhe ndodh në ndonjë rast pa lejen tonë. Ndryshe është zotësi.
Mbi të gjitha, ju nuk keni pronë me titull të sigurt. Edhe atë që keni nuk e gëzoni. Ju del gjumi natën nga sherret. Dhe dilni e kontrolloni se mos e ka zënë njeri. Dhe ne nuk mbarojmë as legalizimin dhe as regjistrimin e pronës. Ndryshe, tani që mund të lëvizni lirisht pa viza ku t’ju kapim? Që t’ju shkulim të gjitha pendët me taksimin e drejtë? Që t’ju çojmë të mbillni marijuanë? Si kujtoni ju se bëhen për 2-3 vjet qindra miliona euro?
Turpi dhe keqardhja ime është se po i them këto gjëra kur muret dhe gardhi i shtëpive dhe vilave të mia në qytete e bregdete, nuk janë më në gjendje as të fshehin zullumet e mia, dhe kur as pozita, as pasuria e vënë deri tani nuk ma sigurojnë më paprekshmërinë.
Krimi im është se jo vetëm iu dorëzova korrupsionit. Kurrë nuk protestova kundër tij. Përkundrazi u bëra mbartës dhe personifikim i tij. Rroja me shpresën se gjethja e fikut do më mbulonte gjithnjë. Se dhe më dukej sikur ju të gjithë më donit dhe bëheshit copë për mua. Apo e kam gabim?!
Por ajo që dua të pranoj, të rrëfej është se krimi ynë nuk është ai që duket. Vilat, orët e shtrenjta, makinat, shkollat private, luksi i shfrenuar etj. Tallja me ju, duke ju quajtur ca heronj e ca dembelë. Këto nuk janë asgjë. Këto rregullohen. Krimi ynë i madh është se kemi korruptuar sistemin, shoqërinë. Pse kujtoni ju se e ndryshojmë Kushtetutën kaq shpesh? Për t’i mbajtur me të gjitha format dhe mënyrat shqiptarët larg nga koncepti perëndimor se është institucioni abstrakt ai që garanton drejtësinë dhe mirëqenien e individit dhe jo lidhja e drejtpërdrejtë telefonike apo familjare me titullarin e institucionit.
Kështu kemi realizuar shpërfytyrimin moral të shoqërisë. Kemi krijuar dhe perfeksionuar në vite atë që shoqëria jonë konsideron sot si modelin e suksesit. Të kapesh duke vjedhur para kamerave, dhe jo vetëm të dalësh i pafajshëm, por edhe të bësh ligje në parlament. Ky është modeli i suksesit sot. Çdo nënë do suksesin për fëmijën e vet. Këtë urim i këndon ajo sot fëmijëve. Që të kenë këtë sukses në jetë. Atyre që po rrit, dhe atyre që i ka në bark. Ne këtu në Shqipëri, kemi arritur kështu të korruptojmë këngën e nënës me modelin tonë të suksesit, kemi helmuar përfundimisht ninullën, urimin dhe shpresën engjëllore të nënës për foshnjën e palindur në barkun e saj për të pasur një jetë të mirë. Këto janë vargonjtë e vërtetë me të cilët kemi lidhur shoqërinë shqiptare. Jo vetëm foshnjat por edhe ata që nuk kanë lindur akoma. Ky është krimi i vërtetë që kam kryer. Për të cilin pranoj çdo dënim”.***
Ky rrëfim nuk është bërë akoma. Nga askush prej qindra apo mijëra të pushtetshmëve shqiptarë, të zgjedhur apo emëruar, të këtyre 25 vjetëve. A do kemi një të tillë për shkak të reformës në drejtësi?
Shpërfytyrimi moral i shoqërisë sonë ka arritur në fund. Më poshtë se kaq është gropa e varrit. Shqipëria është sot një vend që s’ka ekonomi – ku zgjidhjet shihen te legalizimi i marijuanës, prostitucionit dhe plehrave. Shqipëria është sot një vend nga ku njerëzit e saj ikin, sikur kanë fantazma në shtëpi – në fakt e ardhmja e tyre, e fëmijëve të tyre është kthyer në fantazmë. Shqipëria është sot një vend pa dashuri, i acaruar fort – ku shqiptarët duan t’i hanë kokën, shpretkën dhe mëlçinë njëri-tjetrit. Shqipëria është sot një vend ku politika dhe ciklet e saj nuk prodhojnë qeverisje por pushtues dhe të pushtuar. Ende shumëkujt gjendja e sotme i duket normale. Më kujtohet një nënë e indinjuar se po i përflitej fëmija si kriminel kur sipas saj, ai vetëm një person kishte vrarë. Pse sa duhet të vriste? Vendi ynë i ngjan Sodomës dhe Gomorrës. Kemi nevojë urgjente për një gjykim hyjnor! Nuk di a ta pres këtë gjykim nga reforma në drejtësi që votohet ligj pas ligji, nga këta tipat si ai i rrëfimit më lart. Më duket se si popull duhet ta marrim veten në dorë. Në pritje të Vetting-ut, veç një shprehje më vjen ndër mend: “Çohuni burra kapni hujt, se na kanë vu mutat përfujt”.