Parlamenti votoi 6 projektligjet e paketës së Reformës në sistemin e Drejtësisë. Maxhoranca dhe opozita bashkuan votat vetëm për një prej projektligjeve që cilësohet si më kryesori për luftën kundër korrupsionit.
Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ose siç njihet ndryshe, ligji i SPAK-ut, u miratua me 122 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Por pas votimit të këtij ligji, opozita u largua nga salla e Parlamentit dhe ndërkohë, pesë ligjet e mbetura si ai për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve po ashtu edhe për funksionimin e Prokurorisë, për organizmin e pushtetit gjyqësor dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, u miratuan me 86 vota pro dhe një votë abstenim.
Në parashikimet ligjore është vendosur që 2 vjet pasi të jenë ngritur strukturat antikorrupsion, kontrolli i pasurive dhe figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit të bëhet nga një komision i përbërë nga dy prokurorë të Njësisë Antikorrupsion dhe një gjyqtar i po kësaj strukture, që do të zgjidhen me short.
Ky zhvillim i heq në këtë mënyrë të drejtën që llogaritë bankare, bisedat telefonike, pastërtia e figurës të kryhet nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Kontrollit të Pasurive.