Ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka ka reaguar pas prezantimit nga Saimir Tahiri të automjeteve elektrike në shërbim të policisë së shtetit. Përmes një postimi në Facebook Noka thotë se këto makina duken si lodër përballë krimit dhe vërshimit të drogës.
“Ato mund të jenë një lodër për një ministër pervers, po nuk mjaftojnë për të kapur Balilin që e kërkon gjysma e policisë së botës, por e mbron Rama me Tahirin”, shkruan Noka.
Më herët ministri Tahiri është shprehur se Shqipëria bëhet një nga pesë vendet e Evropës që përdorin këto makina.
“Sot ne prezantojmë një tjetër reformë, që e bën Policinë e Shtetit në Shqipëri të vetmen në të gjithë rajonin dhe një ndër pesë policitë e Europës, që kanë në përdorim një flotë në makina elektrike. Janë makina që nuk përdorin një pikë karburant. Karikohen në prizën e shtëpisë dhe shpenzojnë shumë-shumë pak. Më pak se një kafe në ditë në mes të Bllokut. Këto makina shpenzojnë 1200 lekë të vjetra për 100 kilometra”, shkruan Tahiri.